Vasili Situate pozitive ne tregjet e Tiranes

Monitorimi i tregjeve nga task - forca e Bashkisë së Tiranës ka vijuar edhe gjatë ditës së sotme. Së bashku me task – forcën, në tregun e Uzinës “Dinamo” ishte sot edhe nën/kryetari i Bashkisë së Tiranës, Petrit Vasili. Situata në tregje vazhdon të mbetet positive, dhe jo vetëm që deri më sot nuk është shënuar rritje çmimi, por përkundrazi, disa artikuj kanë pësuar rënie. Zoti Vasili ka shprehur një falënderim të veçantë edhe për tregtarët, të cilët kanë treguar mirkuptim dhe nuk kanë abuzuar me çmimet.
“Situata vazhdon të jetë pozitive, ashtu sikurse në ditët e mëparshme dhe alternativa të shumta në pjesë të caktuara të tregut, kanë shënuar edhe ulje që u krijon mundësi qytetarëve të kenë zgjedhje nga më të mirat dhe më ekonomike dhe sigurisht që edhe tregtarët kanë treguar mirëkuptimin e duhur, duke mos shpërdoruar në këto momente festash dhe sikurse dallohet qartë edhe frekuentimi i jashtëzakonshëm që ka tregu, ka qenë pikërisht sepse kjo klimë çimimesh ua mundëson këtë gjë”, bëri me dije Vasili.
Nënkryetari i Bashkisë, zoti Vasili theksoi se, kontrolli do të vijojë me të njëjtin intensitet deri në pasditen e datës 31 dhjetor që shënon dhe fundin e këtij viti.
“Kontrolli dhe monitorimi do të vazhdojë me insistim deri në fund dhe deri në ditën e nesërme në mbasdite vonë, duke shënuar përmbylljen pozitive të këtij kontrolli, të këtyre çmimeve në këtë vit. Falënderoj edhe gjithë median, për ndjekjen sistematike që i ka bërë dhe përcjelljes së kësaj situate duke i mundësuar edhe qytetarëve të informohen në lidhje me këto tregje, ku për shembull situata e çmimeve është pozitive dhe ku ata mund të bëjnë qetësisht shpenzimet e tyre të fundvitit pa u cenuar buxhetet familjare, po duke i planifikuar ato ashtu sikurse ata i kanë menduar”, vuri në dukje ai.
Vendosmëria dhe angazhimi i Bashkisë së Tiranës për të mbrojtur qytetarët nga abuzimi shënoi sukses për të dytin vit radhazi, si dhe i dha fund traditës së rritjes abuzive të çmimeve në fundviti.