E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLSH kallezim penal per ish-kryebashkiakun e Permetit

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka çuar në Prokurorinë e Rrethit për kallëzim penal, ish kryetarin e Bashkisë Përmet për periudhën 2008 -2011. Ky kallëzim bazohet në akuzën “Për shpërdorim detyre” të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, pasi në kundërshtim flagrant me ligjin ka nënshkruar aktin noterial të shitjes ndaj subjekteve private të pronës shtetërore (truall) ndonëse nga verifikimet e bëra gjatë procesit të auditimit rezultoi se pala shitëse Bashkia Përmet nuk ka qenë pronare e trojeve që ajo ka shitur me anë të kontratës noteriale.
Kështu, Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 990/1 prot., datë 6.9.2012 të ushtruar në Bashkinë Përmet, ka konstatuar një sërë shkeljesh lidhur me shitjen e trojeve brenda vijës kufizuese të qytetit të Përmetit, në kundërshtim të hapur me dispozitat ligjore të parashikuara në Ligjin nr. 7980, datë 27.07.1995 “Për shitblerjen e trojeve”, dhe Ligjin nr. 8405, datë 17.09.1998 “Për Urbanistikën”.
Për të gjitha veprimet e mësipërme i janë përcjellë Prokurorisë së Rrethit të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse.
Gjithashtu, KLSH ka çuar kallëzim penal për drejtorin i shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime” SH.A, Mat, kryetarin e Degës Teknike të shoqërisë, kryetarin e Degës së Financës në shoqërisë, dhe dy ish-kryetaret e Degës së Financës në shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime”; të cilët gjatë ushtrimit të detyrës së tyre funksionale, kanë kryer me dashje veprime dhe mosveprime të kundërligjshme të cilat referuar përmbajtjes së dispozitës penale, neni 248 i Kodit Penal, mbartin elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›