Vasili: Dy ministri mbështesin me 25 milionë euro aferën korruptive të Inceneratorit të Elbasanit

Opozita e ka akuzuar të enjten dy dikastere të qeverisë Rama se janë implikuar në aferën korruptive sipas saj të Inceneratorit të Elbasanit. Nënkryetari i LSI Petrit Vasili tha se Ministria e Mjedisit dhe ajo e Energjisë kanë vendosur në dispozicion të kësaj afere 25 milionë euro. “Kjo vjedhje është e provuar me dokumente, të cilat flasin vetë!…ka vjedhje, evazion, korrupsion dhe përfituesit financiarë të kësaj afere korruptive janë të qartë, pasi janë vetë qeveritarët. Është një skemë e mirë strukturuar, e ndërtuar me vetëm një qëllim: grabitjen e parave të shqiptarëve” tha zoti Vasili para mediave.
Sipas tij gjithçka është kryer nën hundën e Drejtorisë së Tatimeve dhe institucioneve dhe agjensive të tjera shtetërore. Zoti Vasili kujtoi se një vepër e tillë dënohet me 5-10 vjetë heqje lirie.