Vasili: Dy vajzat do kurohen në Austri, nesër nisja
Ndizet drita jeshile për dy vajzat e aksidentit tragjik të Himarës, të cilat momentalisht po marrin ndihmën mjekësore në Spitalin Ushtarak dhe ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore. Mëngjesin e ditës së nesërme Florije Peci dhe Eriselda Gubere do të drejtohen drejt Austrisë për tiu nënshtruar mjekimit në klinikat më të specializuara atje. Lajmi u konfirmua nga Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe ambasadori austriak, Florian Rauning.
“Kemi lajme të mira nga Vlora, 5 vajza kanë lënë spitalin. Është një lajm pozitiv, vajzat e tjera në spitalin e Vlorës vazhdojnë të jenë në një gjendje mjaft të mirë. Edhe në Spitalin Ushtarak gjëndja është e mirë, stacionare, jemi shpresë plotë që ato që nuk kanë komplikacione të tjera do të fillojnë të lënë spitalin. Problem mbeten dy vajza, për të cilat kemi bashkëpunuar me Ambasadorin e Austrisë dhe sëbashku kemi arritur të kemi një zgjidhje pozitive, trajtimin e tyre në klinika të specializuara në Austri. Në këtë mënyrë hapen mundësi të reja për një trajtim pozitiv dhe shpresëmadh, sepse miqtë e mirë duken në ditë të vështira” deklaroi Vasili.
Nga ana tjetër ambasadori austriak, Florian Rauning, shpjegoi se është punuar për gjetjen e klinikave më të mira për trajtimin e tyre, ndërsa shtoi se nisja do të bëhet nesër.
“Transporti është parashikuar nesër në mëngjes, nëse e lejon statusi i tyre shëndetësor. Ishte një punë intensive këto dy ditë për gjetjen e klinikave të specializuara”tha ai.