E Shtunë, 31 Tetor 2026

Janar, rriten kreditë dhe depozitat në banka

Në muajin janar, sistemi bankar shqiptar realizoi një rritje vjetore të portofolit të kredisë me 8.8%. Të dhënat zyrtare, të publikuara nga Banka e Shqipërisë, treguan se rritja e portofolit të kredisë vazhdoi edhe në muajin janar, duke arritur vlerën e 483.8 miliardë lekëve. Ndonëse rritja mujore nuk është e krahasueshme me muajt nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar, për shkak të faktorëve sezonalë, kreditimi vazhdon të japë sinjale pozitive rritjeje. Portofoli i kredisë vazhdon të dominohet nga biznesi, që në fund të muajit janar zotëronte 65% të totalit. Gjithnjë duke ju referuar Bankës së Shqipërisë, muaji janar solli edhe një rritje të interesave për kreditë e reja në lekë. Interesat për kreditë afatshkurtra dhe afatmesme janë rritur deri në 2%, ndërsa për kreditë afatgjata, mbi 5 vjet, norma mesatare e interesit qëndron në nivelin 11%. Në krahun e detyrimeve, depozitat vazhdojnë të rriten me ritme të larta. Krahasuar me një vit më parë, ato u rritën me 16.8%, ndërkohë që vetëm në muajin janar sistemi bankar shtoi mbi 10 miliardë lekë depozita.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›