E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi kërkon amnisti fiskale, opozita politike

Debati për amnistinë fiskale rikthehet duke vënë përballë biznesin me opozitën. Biznesi kërkon që çlirimi i aseteve dhe kapitaleve të bëhet menjëherë, duke përcaktuar si kohë, verën e 2011, pasi në këtë periudhë vijnë edhe shqiptarët jashtë kufijve. Ndërsa opozita gjykon se më parë duhet të kryhet amnistia politike, pasi ligjet e rëndësishme për të kaluar në parlament kërkojnë ¾ e votave dhe amnistia fiskale është një prej këtyre ligjeve të rëndësishme, që duhet të miratohen me shumicë votash. Kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, gjykon se është krejtësisht e papranueshme, që në një hapësirë kohore 20-vjeçare të ndryshimeve kaq të thella ekonomike, fiskale dhe institucionale, Shqipëria mbetet i vetmi vend në rajon, që nuk ka kryer asnjë falje fiskale. “Edhe vendet e tjera konkurrente të rajonit përveç Greqisë, po veprojnë me shpejtësi, deri në veprime të dëshpëruara, për tërheqjen e lukseve financiare ndërkombëtare drejt ekonomive të tyre. Kihet parasysh, për sa më sipër, nisma e qeverisë së Malit të Zi, deri për shitjen e nënshtetësisë për qytetarët e huaj, gjatë vitit 2010, që investojnë 500 mijë euro, faljen e përsëritur e të njëpasnjëshme fiskale të Qeverisë së Italisë, etj. Turqia gjithashtu, nëpërmjet faljes fiskale, të filluar në fillim të vitit 2011, ka futur në sistem mbi 25 miliardë euro ”- tha Buxhuku. Ndërsa Ervin Koçi, deputet i Partisë Socialiste, ekspert në fushën e ekonomisë, mendon se shteti është i kapur dhe nuk është momenti për të kryer amnisti fiskale. Ajo që duhet gjykuar, sipas tij, është periudha pas amnistisë. “Po pas faljes, çfarë do të ndodhë? Ata që do të falen do të mendojnë se do të falen sërish. Vendi është i mbërthyer nga korrupsioni dhe, sipas nesh, nuk është koha e duhur për të ndërmarrë një hap tillë”, - u shpreh deputeti Koçi. Ditë më parë, edhe Kryeministri Berisha foli për një fillim të mundshëm të procesit të faljes fiskale.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›