Mbyllet hetimi për grabitësit e kasafortave
Shtatë të akuzuarit, dyshohet se bastisën vitin e kaluar edhe selinë e ambasadës Daneze në Tiranë
TIRANE- Prokuroria e Krimeve të Rënda iu komunikon akuzat përfundimtare shtatë të arrestuarve të akuzuar si pjesëtarë të grupit të vjedhjes dhe grabitjes së kasafortave, mes të cilave janë edhe bastisja e ambasadës daneze në kryeqytet, si dhe vjedhja 500 milionë lekëshe e banesë së një biznesmeni ndërtimi.
Pas më tepër se nëntë muajsh hetimi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, kjo e fundit iu komunikoi pak ditë më parë akuzat personave të arrestuar dhe pritet që shumë shpejt dosja të mbyllet dhe të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Arrestimi i personave në muajin dhjetor të vitit të kaluar, theu makthin e policisë, për vjedhje dhe grabitje kasafortash dhe banesash, ndërsa grupi i goditur u etiketua me emrin "Hija e natës", për shkak të kohës kur ata vepronin. Nga hetimi i kryer dyshohet se të akuzuarit në tetë muaj kanë arritur të vjedhin vlera të konsiderueshme monetare dhe më pas zhdukeshin pa lënë gjurmë.
Goditja e këtij grupi kriminal u krye në muajin dhjetor të vitit të kaluar, kur policia arrestoi shtatë persona me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe shoqëroi një grup të konsiderueshëm personash të njohur si lidhje të tyre.
Elton Lika, Sajmir Kuçi, Sulejman Bakalli, Taulant Mataj, Euklid Habili, Dritan Duka dhe Admir Burri u arrestuan nga policia në muajin dhjetor, të gjithë të akuzuar si pjesëtarë të grupit të strukturuar kriminal.
Mekanizmi i tyre ishte tejet i fshehtë dhe i veçantë, pasi sa herë bënin goditje, pushonin për një periudhë kohore, e më pas riktheheshin me goditje të tjera, në vende të tjera, me qëllim për të zhdukur gjithë dyshimet mbi ta.
Gjithashtu, hetimet e policisë janë shtrirë edhe për një aktivitet po kaq të rëndë të këtij grupi, siç janë grabitjet me armë. Ata dyshohen se kanë realizuar katër vjedhje bankash gjatë periudhës dyvjeçare.
Madje, strukturat e hetimit të Policisë së Tiranë disponojnë informacione se këta persona, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, kanë kryer një sërë vjedhjesh, që prej vitit 2000 në autostradën Tiranë-Durrës, si dhe për një sërë vjedhjesh të tjera të ndodhura në Tiranë.