Vasili: Konferencat për mjekët do jenë të detyrueshme
Sistem vlerësimi me kredite për pjesëmarrësit
Brenda 5 viteve, mjekët duhet të grumbullojnë 150 kredite
Jo vetëm punimet shkencore, literatura, workshop-et, por edhe konferencat do të jenë pjesë e sistemit të vlerësimit me kredite për bluzat e bardha. Formimi profesional i mjekëve, dentistëve dhe farmacistëve deri në certifikimin e tyre në cikle 5-vjeçare është një nga shtyllat që mbështet sistemi jonë shëndetësor. Për këtë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, dje gjatë Konferencës XIII Kombëtare të Kardiologjisë deklaroi se aktivitete të tilla janë të rëndësishme dhe në fushën e edukimit të vazhdueshëm profesional, pasi kanë për qëllim që pjesëmarrësit të përvetësojnë dijet më të reja.
Edukimi
Duke u ndalur tek edukimi i vazhdueshëm mjekësor, Vasili vuri në dukje se “ne kemi tashmë një sistem të edukimit të vazhdueshëm konkret dhe të qartë dhe kjo konferencë është në herën e parë të saj, që në bashkëpunim të organizatorëve me drejtuesit e qendrës, do të ketë mundësi që pjesëmarrësit e certifikuar të përfitojnë kreditet e para nga pjesëmarrja në konferencë, duke u vendosur në sistemet e krediteve të secilit prej mjekëve, pjesë e sistemit publik shëndetësor shqiptar. Kemi hedhur dhe një hap tjetër të rëndësishëm ku konferencat nuk janë thjesht pjesëmarrje për dëshirë, por plotësojnë detyrimin reciprok të mjekut për t’u formuar dhe njohjen e këtij detyrimi afatgjatë, për të certifikuar cilat janë dijet dhe niveli i çdo mjeku që ka marrë përgjegjësinë të operojë në shërbimin publik shqiptar”.
Ai theksoi se sistemi shëndetësor është i orientuar në dy aspekte, menaxherial dhe atë të formimit profesional. Sipas ministrit, pa këto dy shtylla të mëdha çdo sistem shëndetësor që tenton t’iu ikë këtyre sfidave është sistem fiktiv që çon drejt një krize të pambarueshme dhe që ku gjithmonë kolapsi rri tek pragu i derës.
“Çdo lloj qëndrimi në këtë pikë jo i qartë, evaziv, i përgjithshëm dhe jo i drejtpërdrejtë në raport me qytetarin do të ishte i gënjeshtërt, aprofesional dhe që do të krijonte vështirësi dhe në një moment të caktuar do ta bënin shëndetësinë tonë të pakurueshme”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.
Teknologjia
Për sa i përket implementimit në praktikë të teknologjive më të fundit shëndetësore në vend është ende vështirë. Sipas kreut të shëndetësisë, edhe pse aftësimi profesional kryesisht i mjekëve kardiologë shqiptarë nuk mungon, por “konflikti” midis aftësive të shkëlqyera, por mundësive jo gjithmonë adekuate për të implementuar në praktikë ato që përvetësohen dhe që vjen nga pamundësitë në disa raste që sistemi t’i afrojë këto mundësi, bëjnë që këto dije të mbeten të ngurta dhe që nuk arrijnë të shtrihen në praktikë. Ndaj dhe nevoja e ndryshimit të vazhdueshëm të sistemit dhe modelit të tij menaxherial dhe filozofik janë të paevitueshme.