Berisha, takon të rinjtë e PPE-ve: Kutitë nuk hapen
“Rama akuzon komisionerët e tij, jo të mitë”
Integrimi, të rinjtë evropian zgjedhin Shqipërinë
Të rinjtë evropianë kanë zgjedhur Shqipërinë për konferencën vjetore pas vendimit të 16 nëntorit për pranimin e kërkesës së Shqipërisë si vend kandidat për anëtarësim në BE. Kryeministri Sali Berisha përshëndeti dje Konferencën e Forumeve Rinore të Partive Popullore Evropiane (YEPP) me temë “Zgjerimi i Bashkimit Evropian”, e cila zhvillohet për herë të parë në Shqipëri me mbështetjen dhe organizimin e Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Rrugëtimi i Shqipërisë nga diktatura në Bashkimin Evropian dhe roli i rinisë në përafrimin me Brukselin, ishte në fokus të takimit që Kryeministri Berisha zhvilloi me përfaqësues të forumeve rinore të PPE-ve. Si pjesë e reformave që duhet të përmbushen për të arritur këtë objektiv, Berisha përmendi luftën ndaj krimit të organizuar dhe mafies. I pyetur nga studentët pjesëmarrës në këtë forum ndërkombëtar, për rolin që kanë të rinjtë për të sjellë një politikë të ndryshme, për të bërë të mundur shembjen e pengesave që ndajnë popujt, Kryeministri shqiptar ka rrëfyer mbi kontributin që kanë luajtur të rinjtë shqiptarë në shembjen e komunizmit. Por shefi i qeverisë i njohu të rinjtë evropianë edhe me situatën e fundit politike në vend dhe bojkotin e opozitës ndaj institucionit të Kuvendit. Kryeministri Sali Berisha deklaroi sërish dje se procesi zgjedhor i 28 qershorit ishte me transparenti dhe kutitë e votimit nuk do të hapen. Z. Berisha vuri në dukje se vëzhguesit ndërkombëtarë në raportet e tyre arritën në përfundimin se nuk ka prova për manipulim të rezultateve ose për numërimin të parregullt. Ai ripërsëriti qëndrimin e tij të prerë, kundër hapjes së kutive të votimit dhe rinumërimit të votave. Gjatë një takimi me përfaqësues të Parlamentit Rinor Evropian dhe të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha u ndal tek situata aktuale politike në vend dhe komentoi kërkesën e opozitës për hapjen e kutive të votimit. Duke theksuar se zgjedhjet e 28 qershorit ishin procesi më transparent që është zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri, Kryeministri u shpreh: "Kjo u faktua njëzëri nga monitoruesit ndërkombëtarë që shkruan në raportet e tyre se nuk kishte asnjë prove për manipulim të rezultatit, apo numërim të parregullt". "Zgjedhjet plotësuan standardet kryesore të OSBE-së, por kreu i PS-së nuk e pranon rezultatin. Ai po kërkon të hapë kutitë për rinumërim, në një kohë kur ka një vendim gjykate që ka vendosur se nuk mund të ketë rinumërim, pa kontestim. Këtë e thotë ligji që ka shkruar vetë", - tha Kryeministri.
Nga ana tjetër, duke u ndalur tek integrimi evropian, kreu i qeverisë u shpreh se 96 për qind e popullit shqiptar përkrah integrimin, duke theksuar se "kjo përbën një forcë të jashtëzakonshme për qeverinë për të proceduar në rrugën e integrimit evropian".
Ndërsa informoi se treguesi i kriminalitetit në këtë vend është më i ulëti se në të gjitha vendet e BE-së së bashku, kreu i qeverisë u ndal në miratimin e ligjit "antimafia" dy ditë më parë në Kuvend, i cili sipas tij "është i standardeve më të larta, një përzierje e ligjit italian dhe atij anglez". "Të luftosh mafien nuk është një objektiv i lehtë për t’u realizuar. Në muajt që vijnë ne do të shkojmë drejt një beteje të hekurt dhe do ta bëjmë Shqipërinë një prej vendeve më të sigurta në të gjithë Evropën", - tha Kryeministri Berisha.
I pyetur nga përfaqësuesit e Parlamentit Rinor Evropian se çfarë mund t'i ofrojë Shqipëria Bashkimit Evropian, kreu i qeverisë u shpreh se "shqiptarët janë ndër popujt më të vjetër të kontinentit, ndaj kultura dhe identiteti i tyre do ta pasurojë kulturën evropiane. Shqipëria do t’i japë Evropës dhe shembullin e tolerancës fetare”. “Zgjedhjet përmbushen parimet dhe angazhimet kryesore të standardeve të OSBE-së. Ai nuk i pranon rezultatet. Ai po më kërkon mua të hap kutitë dhe të rinumërojmë. Çfarë do të thotë kjo? Ka një vendim gjykate. Ai shkoi në gjykatë dhe gjykata vendosi që nuk mund të ketë rinumërim pa pasur kontestime. E thotë ligji, i shkruar nga ai vetë. Dhe sa kohë ju nuk keni kontestime, asnjë kontestim, nuk mund të këtë rinumërim. Ai akuzon komisionerët e vet për mungesë integriteti. Hera e parë që dëgjoj një akuzë kolektive për komisionerë. Ai akuzon jo komisionerët e mi, por të vetët”, - theksoi z. Berisha. Forumi Rinor i Partive Popullore Evropiane do të mbahet për 3 ditë në Tiranë.