E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngërçi në KLD, mandatohet Becaj për mbledhjen e Konferencës Gjyqësore

Vendimi, nga grupi nismëtar. Takimi, të pranishëm vetëm një e treta e gjyqtarëve të Shqipërisë

Dështon nisma e një grupi gjyqtarësh për të zgjidhur ngërçin në Këshillin e Lartë të Drejtësisë me votim të shumicës së gjyqtarëve, ku katër nga pesë anëtarët që zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare janë vakante. Mungesa e të paktën gjysmës së gjyqtarëve të Shqipërisë ka sjellë pamundësinë e arritjes së kuorumit të nevojshëm për të mbledhur Konferencën Kombëtare Gjyqësore. Megjithatë, në orët e pasdites së djeshme, në pamundësi për të mundësuar votimin e më shumë se gjysmës së gjyqtarëve, ky grup nismëtar vendosi të mandatojë kryetaren e Gjykatës së Lartë, Shpresa Becaj, për mbledhjen e Konferencës Gjyqësore Kombëtare, si dhe caktimin e një grupi punë për hartimin e projekt-rregullores për këtë mbledhje të rëndësishme për gjyqtarët. E paralajmëruar disa javë më parë, në takimin e djeshëm kanë qenë të pranishëm vetëm një e treta e gjyqtarëve, konkretisht 119 nga 360 gjyqtarë që duhej të ishin të pranishëm. Frika, mosdashja për të prishur një nga dy ditët e pushimit apo moskokëçarje për ngërçin në të cilin ndodhet gjyqësori! Askush nuk deklaron publikisht arsyen apo arsyet e mospranisë së pjesës më të madhe të gjyqtarëve. Por, nën zë dhe në mënyrë konfidenciale, mjaft gjyqtarë i mëshojnë arsyes së parë, frikës. “Më vjen keq ta them, por gjyqtarët kanë frikë për t’u mbledhur dhe zgjidhur problemet e tyre, kanë frikë t’i shohin se ata janë të pranishëm në një takim ku vendoset për ta. Mund të votonin edhe kundër, por të pranishëm duhej të ishin”, - shprehen disa nga gjyqtarët e pranishëm. Megjithatë, diskutime pati, mendimet ndryshe u bënë publike, por problemi për të cilin ishin mbledhur mbeti sërish pa zgjidhje. Gjatë diskutimit të tij mbi mbledhjen apo jo të Konferencës Kombëtare Gjyqësore apo pritjen e kalimit të ligjit në Kuvend, anëtari i KLD-së dhe në të njëjtën kohë gjyqtar i Apelit në Tiranë, Hysni Demiraj, u bëri një apel dhe thirrje kolegëve të tij: “Të jemi të tërë një, të mos trembemi nga askush”. Të tjerë persona kanë diskutuar dhe kanë shprehur argumentet e tyre pro dhe kundër mbledhjes së KGJK-së. Një ndër diskutuesit që ishte pro mbledhjes së kësaj konference, gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani, u shpreh se mbledhja e konferencës është një hap i domosdoshëm. Madje, ai kundërshtoi edhe zërat ndryshe për mbledhjen e KGJK-së, jo vetëm të atyre brenda gjyqësorit, por edhe të faktorëve të tjerë jashtë gjyqësorit, madje që kanë edhe konflikt interesi dhe nuk duhet të shprehen për këtë çështje. Gjyqtari Dvorani nuk i ka kursyer kritikat as për KLD, i cili është një institucion që ka konflikt interesi dhe nuk mund të shprehet as pro dhe as kundër mbledhjes së Konferencës Kombëtare të Gjyqësorit, duke u shprehur se “ndërhyjnë në pavarësinë e gjyqësorit”. Dvorani u shpreh se “KLD nuk duhet të ndërhyjë dhe të shprehet pa u mbledhur Konferenca Gjyqësore, madje ka konflikt interesi dhe nuk duhet të shprehet rreth iniciativave të gjyqtarëve”. I mendimit se konferenca duhet të mblidhet ishte edhe njëri nga drejtuesit e Unionit të Gjyqtarëve, Gerd Hoxha, i cili u shpreh se “mbledhja e KGJK-së pa ligj nuk është antikushtetuese”. Sipas tij, edhe vetë KLD është mbledhur vite më parë në bazë të ligjit 8480, neni 11 e 14, para se të bëhej ligji i KLD-së. Madje, gjyqtari Hoxha nuk la pa theksuar edhe një tezë të hedhur se KLD nuk i njeh anëtarët e zgjedhur, duke u shprehur se “KLD nuk ka tagra për të parë procedurat e votimit dhe zgjedhjes, por vetëm kriteret e përzgjedhjes së anëtarit”. Në momentin e diskutimeve e ka marrë fjalën e gjyqtari i Krimeve të Rënda, Gurali Brahimllari, i cili e konsideroi këtë mbledhje të gjyqtarëve pas pesë vitesh si të vonuar. Madje, mbi funksionimin aktual të KLD-së, Brahimllari shkoi edhe më tej kur deklaroi se “përbërja aktuale e KLD-së është antikushtetuese. Kjo, pasi funksionin me 13 gjyqtarë, 2 prej të cilëve u ka mbaruar mandati prej disa muajsh”. Nga ky takim gjyqtarët do të hidhnin në votim propozimin nëse duhej mbledhur Konferenca Gjyqësore Kombëtare pa ligj apo duhej pritur deri në miratimin e ligjit nga Parlamenti. Por që të arrihej votimi, të pranishëm duhej të ishin 181 gjyqtarë ose 50% plus një. Vendimi për të organizuar takimin e djeshëm u mor pak kohë më parë në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Becaj, ku morën pjesë të gjithë kryetarët e gjykatave të të gjitha niveleve, dy shoqatat e gjyqësorit, si dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare që kanë dhënë asistencë në lidhje me reformën në drejtësi si EURALIUS, USAID.

Gjyqtarët kërkojnë rritje pagash

Mbledhja e gjyqtarëve për të vendosur mbi mbledhjen apo jo të Konferencës Kombëtare Gjyqësore, nuk ka qenë e vetmja pikë ku janë përqendruar diskutimet e gjyqtarëve. Pasi e kanë prekur të gjithë me radhë këtë rend të mbledhjes, ata janë fokusuar edhe në problemet e gjyqësorit, një prej të cilave ishin edhe pagat e ulëta krahasuar me kolegë të tyre në disa vende të rajonit. “Rritje pagash dhe plotësim të disa kushteve të tjera lehtësuese për gjyqtarët” ka qenë thelbi i disa apeleve që kanë bërë disa nga gjyqtarët diskutues. Madje, njëri prej tyre, Ardian Dvorani e ka ilustruar edhe me një shembull, ku një gjyqtar dhe një prokuror ndanin bashkë qiranë e shtëpisë në një rreth ku i kishin caktuar për të punuar. “Palët në proces i akuzuan për paragjykim në një shpallje vendimi, duke e argumentuar se ata jetonin në të njëjtën shtëpi dhe kishin vendosur njësoj për çështjen”, - vijoi diskutimin Dvorani. Sipas tij, për gjyqtarët duhet të ketë lehtësira në banim, në pensione dhe transport, si në gjithë vendet e tjera të rajonit apo Evropës Juglindore dhe Qendrore. Por, çështja e trajtimit financiar të gjyqtarëve nuk është lënë pa përmendur edhe në fjalën e kryetares së Gjykatës së lartë, e cila është shprehur se “vlerësimi i sistemit të pagave të gjyqtarëve dhe caktimi i tyre me ligj sipas përvojave të suksesshme të rekomandimeve ndërkombëtare, duhet të jetë çështje në vëmendje të të gjithë aktorëve, pushteteve dhe institucioneve. Ana tjetër e medaljes: mosrritja e pagave të gjyqësorit, ulja e përfitimeve të parashikuara me ligj, trajtimi me një buxhet të pamjaftueshëm, të gjitha këto e vënë gjyqësorin në një pozitë mosmarrëveshjesh midis pushteteve”. Madje, këtu iu drejtua edhe KLD-së, duke u shprehur se “në funksion të trajtimit adekuat në përputhje me punën e gjyqtarit, ngarkesën e madhe që ndikon shpesh në cilësinë e shpejtësinë e gjykimit, një vëmendje të veçantë kërkohet edhe nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si organi që ka kompetenca për transferimet/komandimet e gjyqtarëve, duhet që në të njëjtën kohë t’u garantojë edhe një trajtim të denjë për ushtrimin e detyrës në gjykata të tjera ku caktohen për të ushtruar këtë detyrë”.

Becaj

Pranon korrupsionin në gjyqësor, janë vetëm disa individë

Fenomeni i korrupsionit në gjyqësor vazhdon, por asnjëherë nuk duhen etiketuar të gjithë të korruptuar. Konstatimi është bërë kryegjyqtarja e vendit, Shpresa Becaj, e cila gjatë fjalës përshëndetëse në takimin me gjyqtarët, u shpreh se ka korrupsion në gjyqësor, por që kryhet nga individë të caktuar dhe jo nga gjithë gjyqtarët. “Ndaj, e shpreh me forcë se largimi i këtyre elementeve nga organet e drejtësisë është domosdoshmëri, sepse toleranca dëmton rëndë imazhin e drejtësisë. Për të luftuar paaftësinë dhe korrupsionin duhet t’u jepet fund fjalimeve të përgjithshme, akuzave pa autor konkret. Është momenti për të gjetur rrugëzgjidhje të ndershme e konkrete”, - u shpreh znj. Becaj. Sipas saj, shpesh ndodh që ndaj gjyqtarëve e prokurorëve, elementi keqbërës ushtron presione dhe ky fenomen nuk duhet nënvleftësuar. “Në gjykata shqyrtohen çështje të rëndësishme e më pak të rëndësishme të karakterit penal, civil, tregtar etj. Ka mjaft nga ata gjyqtarë që nuk mund t’iu rezistojnë këtyre presioneve”, - u shpreh kryetarja e Gjykatës së Lartë, duke shtuar se “gjithashtu, përdoret dhe rruga e komprometimit të gjyqtarëve drejtpërdrejt ose me ndërmjetësinë e personave të tjerë”. Ajo u bëri thirrje gjyqtarëve se fenomeni i korrupsionit është një fenomen realisht që duhet të parandalohet, sepse korrupsioni është tepër i rrezikshëm për institucionet e demokracisë, siç është sëmundja kanceroze e pashërueshme në trupin e njeriut. “Ajo çka do vështirësonte goditjen e korrupsionit është penetrimi i tij në instancat e shkallës së dytë dhe akoma më e rëndë në gjykatën supreme të vendit”, - vijoi apelin e saj znj. Becaj.

119 ishin gjyqtarët e pranishëm në takim, nga 181 që duheshin për votimin e mbledhjes së KGJK-së

360 është numri i gjyqtarëve në gjithë Shqipërinë, dje mungonin shumica

Pse duhet mbledhur KGJK, tri arsyet, sipas Dvoranit

• Pavarësia e pushtetit gjyqësor dhe gjyqtarëve dhe nënshtrimi i tyre vetëm para Kushtetutës dhe ligjeve. Kur gjyqtarët çmojnë se ligjet vijnë në kundërshtim me Kushtetutën, nuk i zbatojnë ato. Kjo është garancia më e madhe që kemi ne si gjyqtarë të Republikës së Shqipërisë për vetorganizim si pushtet i pavarur.

• Konferenca ka një përgjegjësi dhe detyrim për vetëmbledhje dhe vetorganizim më të lartë se ato që burojnë nga një ligj organik ose i zakonshëm. Kjo rrjedh nga një mandat ose kompetencë kushtetuese të përcaktuar në nenin 147/1, në harmoni me nenin 4/3 të Kushtetutës sipas të cilit dispozitat e Kushtetutës zbatohen drejtpërsëdrejti.

• Konferenca është konstituuar si një organizëm vetërregullues.

Gjykata Kushtetuese në vendimin me të cilin ka shfuqizuar ligjin “Për Konferencën Gjyqësore Kombëtare” konkludon se shkaqet kryesore të papajtueshmërisë së këtij ligji me Kushtetutën janë: për mosrespektim të procedurës për miratimin e ligjeve organike dhe për shkelje të parimit të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve e të pavarësisë së gjyqësorit. Në arsyetimin e vendimit ajo shprehet se “gjykata e çmon të nevojshme të theksojë se tërësia e gjyqtarëve të të gjitha niveleve si një organizëm vetërregullues duhet të ndërtohet mbi bazën e parimeve dhe të standardeve kushtetuese, në respekt të pavarësisë së jashtme dhe të brendshme të gjyqësorit dhe gjyqtarëve”. “Gjithashtu, - vazhdon konkluzionin, - gjykata vlerëson se neni 147, pika 1 që ka sanksionuar kompetencën e Konferencës Gjyqësore Kombëtare për zgjedhjen e anëtarëve të KLD-së nga gjyqtarët e të gjitha niveleve mbetet një dispozitë e zbatueshme në mënyrë të drejtpërdrejtë”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›