Vasili: Objektiv, rritje e pagave dhe hapja e zyrës së RTSH-së pranë PE-së

TIRANË, 17 nëntor/ATSH/ Drejtoresha e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili kërkoi sot nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik një fond shtesë prej 90 milionë lekësh të buxhetit për këtë institucion për vitin 2026.
Në seancë dëgjimore me Këshillin Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar ku po shqyrtohet projektligji “Për buxhetin e vitit 2026″, Vasili tha se Ministria e Financave ka parashikuar për vitin 2026 një buxhet me vlerë 319 milionë lekë, ndërkohë që nevoja reale, sipas saj, është 409 milionë lekë, kërkesa jonë për fond shtesë është 90 milionë lekë”.
Vasili deklaroi se në realizimin e buxhetit 2025 (janar–tetor), totali i shpenzimeve nga financimi buxhetor është realizuar në masën 80%, ndërsa fondi për prodhimet filmike është realizuar vetëm 14%.
Por, sipas saj, kjo do të përmbyllet plotësisht deri në fund të vitit, pasi muaji në vijim mbulon ngjarjet kryesore si Festivali i 64-t i Këngës në RTSH, Junior Song dhe programet e fundvitit.
Drejtoresha e përgjithshme e RTSH shtoi ndërkaq se fondi për orkestrën simfonike, kinematografinë dhe projektet teknike pritet të shpenzohet në nëntor–dhjetor, ndërsa fondi investues prej 100 milionë lekësh për 2025 është plotësisht i planifikuar dhe me procedura të mbyllura.
“Projektbuxheti 2026 – totali i financimit është parashikuar në vlerën 890 milionë lekë pothuaj aq sa ishte fondi për vitin 2025. Rritja prej 44 milionë lekë për 2026-ën më shumë se në 2025-ën për Orkestrën Simfonike të RTSH dhe kinematografisë është rrjedhojë e rritjes së pagave për orkestrën simfonike në tetor 2025. Për programin “Shërbimi për shqiptarët jashtë kufirit” dhe “Shërbimi për publikun në gjuhë të huaj” ka rritje prej 5 milionë lekë në 2026. Ndërsa është ulur fondi i investime, 50 milionë lekë më pak se 2025-a”, theksoi Vasili.
Vasili u shpreh se “të ardhurat maksimale nuk shkojnë më shumë se 2,2 miliardë lekë. Struktura e të ardhurave është kjo: 59% tarifa e aparatit transmetues, 32% financim nga buxheti i shtetit, 9% të ardhura të tjera nga reklama, qira, sponsorizime”.
Ajo theksoi se tarifa e aparatit transmetues nuk është indeksuar prej 10 vitesh, ndërkohë që kostot operative janë rritur ndjeshëm.
Sipas drejtueses së RTSH-së, arsyeja kryesore është se institucioni nuk mund t’i mbulojë më kostot me të ardhurat aktuale, sikurse: rritja e kostove operative, nevoja për modernizim dhe digjitalizim të teknologjive, rritja e kërkesës për përmbajtje digjitale dhe ndërkombëtare, nevoja për bashkëprodhime artistike dhe filmike, shpenzime kapitale që nuk mbulohen dot vetëm nga të ardhurat e RTSH-së.
Drejtoresha e RTSH-së tha se “kemi disa objektiva strategjikë. Për ne është shumë i rëndësishëm krijimi i rrjetit të korrespondentëve në 10 vende kryesore të diasporës, hapja e zyrës së RTSH pranë Parlamentit Europian në Bruksel, zgjerimi i redaksive të huaja, krijimi i portalit multimedial shumëgjuhësh, rivendosja e platformës OTT, rritja me 5% e pagave nga 86.200 lekë në 90.500 në 2026, flasim për pagën mesatare, rritja e kostove të transmetimeve satelitore dhe shërbimeve teknike”.
Kryetari i Këshillit të Radio Televizionit Shqiptar, Fatjon Hoxhalli, theksoi se “sot sezoni i ri televiziv është nisur në tërësinë e tij, ndërsa procesi i uljes së borxheve vijon me shumë kujdes”.
“Me mbështetje shtesë nga ana e buxhetit kjo kthesë pozitive financiare mund të përshpejtohet duke i hapur rrugë investimeve në teknologji dhe trajtimeve të punonjësve me paga më të mira. Gjatë kësaj periudhe angazhimi i stafit të televizionit ka qenë i orientuar në dy drejtime kryesore. Së pari, garantimi i funksionimit normal të institucionit dhe menaxhimi i situatës financiare. Së dyti, përgatitjen për procesin e transformimit institucional në bashkëpunim më EB, puna e të cilëve nis zyrtarisht nesër në zyrat e RTSH. Kemi marrë masa që asnjë nga proceset e mësipërme të mos ndërhyjë në pengimin e tjetrit. Projektbuxheti për vitin 2026 është hartuar në përputhje më programin buxhetor afatmesëm 2026-2028”, tha Hoxhalli.
Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Jorida Tabaku u shpreh se do të bëjë maksimumin për t’ia sugjeruar kërkesat Komisionit të Ekonomisë, duke pasur parasysh edhe vështirësinë që ka kaluar institucioni. Ajo shprehu dëshirën që “të shohim këtë vit një faqe ndryshe dhe një imazh ndryshe të RTSH-së”.
Megjithëse jam në opozitë, tha Tabaku, nuk më vjen fare mirë që dëgjoj për këtë institucion problematika financiare të menaxhimit.
“Duhet të sjellim një standard të ri edhe në transparencë dhe më vjen për masat për sa i përket transparencës për publikimin e vendimeve të bordit, procedura prokurimi, tenderimi që nuk cenojnë të drejtat tregtare. Por me shpresën dhe me sugjerimin që problematikat e të shkuarës të mos ripërsëriten, kjo është në dorë të kryetarit të bordit dhe drejtoreshës ekzekutive, që ne në këtë komision në Parlament të diskutojmë për zhvillime pozitive”, tha Tabaku.
Seancë dëgjimore me Këshillin Drejtues të RTSH në Komisionin e Mjeteve te Informimit Publik 1 nga 3/k.s/j.p/r.e/