E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: Rama trilloi rezolutën e PES për Shqipërinë

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petri Vasili theksoi se Rama dhe Partia Socialiste ka shpifur dhe ka shpikur një rezolutë të tillë.

“Sigurisht të gjendur në vështirësi të mëdha për arsye të një bojkoti vetëvrasës, Edi Rama ka arritur në marrëzinë e tij politike që të shpik edhe veprime që nuk kanë ndodhur kurrë, edhe rezoluta që nuk kanë ekzistuar kurrë”, theksoi Vasili.

Ai tha më tej se në konferencën e fundit të Partive Socialiste Evropiane nuk është miratuar asnjë rezolutë për Shqipërinë. Vasili shtoi se delegacionit të Partisë Socialiste drejtuar nga Edi Rama i është bërë thirrje e qartë publike që t’i jap fund bojkotit, të shkojë sa më parë në Parlament, debati parlamentarë dhe çdo veprim tjetër i karakteri politik të kryhet në sallën e Parlamentit.

 “Ky skandal dhe mashtrim i radhës sigurisht që është pjellë e një momenti shumë të vështirë, të një situate pa rrugëdalje dhe të një ndërthurje të shëmtuar, siç po bëhet e qartë dhe publikisht, të interesave të politikës së keqe dhe politikës së pistë”, tha më tej zyrtari i lartë i kësaj partie.

 “Në këtë pikëpamje, ne e dënojmë këtë standard të turpshëm. Sigurisht është goxha më i turpshëm se skandali i djeshëm ku në konferencën e punës me përfaqësuesit më të lartë të Partive Socialiste Europiane, zoti Rama u ngrit dhe doli jashtë në momentin kur zoti Meta po mbante fjalën e tij pasi zoti Rama kish mbajtur fjalën e tij, duke treguar qartë, atë që unë e kam thënë dhe herë të tjera, një sistem sjelljesh të pagdhendura që s’kanë të bëjnë fare me sjelljet evropiane, por dhe demonstrimet e një njeriu që është në një krizë të madhe edhe psikologjike, por edhe politike pa rrugëdalje” u shpreh ministri i Shëndetësisë.

Në fund të deklaratës, Vasili i ka bërë thirrje opozitës që të kthehet në Parlament, si i vetmi vend ku aspiratat europianiste të Shqipërisë dhe të opozitës realizohen dhe ti japin fund deklaratave dhe sulmeve të njëpasnjëshme që po çudisin jo vetëm Shqipërinë, por dhe mbarë Evropën.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›