Vasili:Urgjencat e rretheve, trajtim me telemedicinë
Reforma:Ministria e Shëndetësisë do të afishojë të gjitha vendet e lira në sistemin shëndetësor të të gjithë vendit
Jo të gjitha rastet e urgjencës së rretheve do të trajtohen në spitalet e Tiranës. Me sistemin e ri që pritet të aplikojë Ministria e Shëndetësisë, urgjencat e rretheve do të trajtohen me anë të telemedicinës. Duke përdorur telemedicinën, e konsideruar si mjekësia e së ardhmes, konsulta mjekësore do të kryhet nga dy palë mjekë në të njëjtën kohë. Kjo nismë pritet të frenojë disi ardhjet e panevojshme të qytetarëve të rretheve drejt spitaleve të Tiranës. Kështu, ministria do të instalojë në spitalet kryesore aparaturën e telemjekësisë, duke bërë të mundur konsultimin në distancë për sëmundjen e pacientit. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, në një intervistë për standard, tregon reformat që po ndërmerren në shëndetësi, strategjitë e reja të rekrutimit të mjekëve dhe instalimin e një metodë të re të diagnostikimit të pacientëve, telemedicinës.
Ky vit në shëndetësi duket se ka si kryefjalë autonominë spitalore, ku spitalet do të kenë buxhetin e tyre, çka do të thotë që edhe menaxhimi do të vijë prej tyre si për blerjen e ilaçeve, si për aparatura dhe çdo gjë tjetër. Atëherë natyrshëm lind pyetja, cilat janë favoret dhe disfavoret që ofron kjo nismë ekonomike?
Kryefjalë e reformës është ridisiplinimi i sistemit shëndetësor, duke dhënë një orientim të qartë mbi të drejtat dhe detyrimet e sistemit kundrejt qytetarëve. Them kryefjala e reformës është pikërisht kjo, për arsye se deri më sot kemi pasur një sistem kaotik, qytetarë të paqartë për të ditur se cilat ishin shërbimet që përfitojnë nga derdhja e kontributeve dhe të tjerë qytetarë, që duke mos kontribuar për sistemin, janë të detyruar të bëjnë pagesat përkatëse. Ky lloj qëndrimi ndaj reformës ka të bëjë me ndarjen një herë e përgjithmonë nga këndvështrime shumë të vjetruara të një shëndetësie gratis, të një shëndetësie që mund të përfitohet pa asnjë lloj kontributi, duke krijuar kështu të gjitha premisat për një abuzivitet të pamatshëm, informalitet shumë të lartë. Njëkohësisht fenomene korruptive të nivelit të lartë dhe shpeshherë të shëmtuar. Një nga instrumentet që na çon përpara në këtë çështje është edhe autonomia spitalore, ku spitalet do të kenë gjithmonë e më shumë pavarësi administruese menaxheriale të fondeve të tyre. Por autonomia nuk mund të jetë efikase në rast se sistemi nuk është i disiplinuar, në mënyrë që pacienti të dijë se cilat janë nivelet e shërbimit, ku fillimisht të kalojë në sistemin primar, sekondar dhe atë terciar. Ne po ecim në një reformë në dy shina, rivlerësimi i të drejtave të qytetarëve dhe autonomia financiare dhe menaxheriale të tërë sistemit shëndetësor. Këtu reforma financiare nënkupton krijimin gjithnjë e më shumë të burimeve të reja të financimit, gjithnjë e më shumë njerëzve që sigurohen. Sistemi shëndetësor shqiptar ka këto dy volume kryesore të financimit, sigurimet dhe buxhetin e shtetit, pra po shkohet nga një buxhetim historik drejt atij real. Pasi buxheti nuk do të ndahet më në mënyrë historike por në bazë të performancës. Reforma cilëson se një spital që performon mirë dhe trajton shumë raste merr një financim pak më të madh..
Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza është vlerësuar gjithnjë si figura e shëndetësisë shqiptare. Mirëpo ajo vazhdimisht vuan fluksin e pacientëve, mungesën e ilaçeve, ryshfetet, dhunën ndaj bluzave të bardha dhe infrastrukturë të dobët. Në këto kushte pretendohet edhe për kërkim shkencor. Por realisht i ka këto kapacitete QSUT-ja dhe sa mund të përballojë?
Gjithë sistemi i referimit dhe ridisiplinimi i sistemit konsiston në çlirimin e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë nga ngarkesat e panevojshme, siç është shërbimi ambulator, që në një pjesë të mirë të rasteve mund të jepet edhe në spitalet e rretheve. Çlirimi nga kjo punë e panevojshme krijon hapësira më të mëdha për një punë kërkimore shkencore gjithmonë e më të thelluara. Lejon përfshirjen në punën e përditshme të metodave të reja për caktimin e diagnozës, trajtimit mjekësor. Duke drejtuar gjithnjë e më shumë qendrën spitalore universitare drejt rolit të saj terciar dhe elitar që ka në shkencë. Këto role i ka pasur tradicionalisht, ka qenë avangardë e trajtimit klinik mjekësor, por mbingarkesat e panevojshme, kthimi në një poliklinikë të madhe në vend të një spitali terciar bënë që ky nivel të zbehej. Me reformën e nisur, kërkimi shkencor do të rigjallërohet.
Më problematike duket se janë shërbimet e urgjencës, ku përveç një granti të dhënë nga qeveria japoneze, a ka ministria një plan veprimi?
Granti i dhënë nga qeveria japoneze është shumë i rëndësishëm dhe aty mishërohet edhe detyrimi ynë. Në këtë grant parashikohen ngritja e 14 departamenteve urgjencash në 12 spitalet rajonale dhe një në qendrën spitalore në Tiranë. Do të krijohet një urgjencë e unifikuar komunikuese që shkurton kohët e komunikimit e kombinuar në perspektivë edhe me sistemin e telemedicinës, që ne do të instalojmë me një projekt me USAID-in. Kjo u mundëson mjekëve që të jenë shumë të qartë për diagnozën, duke shkurtuar kohët e transportit. Telemedicina do të ketë qendrën kryesore në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, do ketë degë të tjera edhe në disa rrethe të vendit. Në qoftë se një rast diagnostikohet qartë dhe është në Shkodër, kjo urgjencë do të trajtohet atje në rast të kundërt do të shkurtojmë kohën e komunikimit, duke trajtuar në stacionarin më të afërt të kualifikuar. Kur emergjenca është madhore dhe kërkon të trajtohet në Tiranë në dispozicion të saj do të ketë automjete të pajisura me ndihmë reanimatore, në rast se është e nevojshme edhe me helikopter. Do të ketë një sistem urgjencë integrale të shtrirë në territor me komunikim dhe me të gjitha mjetet logjistike të duhura për transportimin në kohë të të sëmurit.
Si do të fuqizohen spitalet rajonale, kur dihet që në to mungojnë jo vetëm pajisjet dhe barnat, por ka mungesa edhe të bluzave të bardha?
Një nga elementët kryesorë të fuqizimit është pajisja me teknologji diagnostik të domosdoshme, përfshi skanerët, rezonancat dhe pajisjet laboratorike. Këto pajisje do të jenë në spitalet më të mëdha rajonale të vendit në spitalin e Shkodrës, Durrësit, Fierit, Vlorës, Korçës, Elbasanit. Janë spitale që mbulojnë mbi 85% të popullsisë së vendit. Normalisht që edhe në spitale të tjera do të vazhdohet dërgimi i pajisjeve. Kjo do të rrisë fuqinë diagnostike, fillimisht mjekët të caktojnë diagnozën dhe më pas të trajtohet i sëmuri. Në rast se spitali rajonal është në gjendje të trajtojë rastin, do ta trajtojë atje dhe jo në kryeqytet. Trajtimi i rasteve në Tiranë do të bëhet vetëm nëse është e domosdoshme. Në rast të kundërt do të drejtohet për në Tiranë. Pacientët nuk do kenë nevojë të vijnë nga rrethet për një diagnozë që mund të vendoset në spitalin e rrethit dhe kjo do të arrihet duke rritur ndihmën mjekësore të specializuar nëpër rrethe.
Për punësimet e reja në sektorin e shëndetësisë apo edhe për stafin aktual do të ketë rregullime me kontrata, ndoshta edhe të përkohshme?
Ne do të vendosim standardet e mbulimit me mjekë të spitaleve. Njëkohësisht do të ndjekim një strategji krejt tjetër transparente për hapjen e vendeve të lira. Aktualisht është fakt që ka vende të lira, por ka shumë pak informacion. Pasi ka shumë njerëz që dëshirojnë të punojnë qoftë në Lezhë apo në vende të tjera, sepse duke bërë llogaritë e tyre midis pagës dhe shpenzimeve që kanë, u leverdis më mir