E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si bëhet Shqipëria e paqeverisshme?

Prej disa muajsh vazhdon në vend tensioni politik lidhur me saktësinë e rezultateve të zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit të kaluar. Fakti që deputetët socialistë vajtën në Kuvend, kryen betimin dhe morën pjesë në seancë, është një hap i mirë përpara, që duhet përgëzuar. Në planin formal kjo lexohet qartë se ligjërisht ata e njohën këtë Kuvend dhe bashkë me të edhe rezultatet e zgjedhjeve. Me siguri që hapa të tjerë do të vijnë më pas. Por, tensioni vazhdon, sepse përsëri ballafaqimi lidhur me hapjen ose jo të kutive të votimit vazhdon njësoj si më parë.
Në këtë shkrim do të përpiqem të shoh lidhur me këtë rast marrëdhëniet mes politikës edhe së drejtës, pra jurisprudencës, sepse, paradoksalisht, atje ku duhet të ishte zbatuar një tërësi normash juridike është zëvendësuar ky proces me përqasje politike dhe, çfarë është ende edhe një problem akoma më i madh, po shihen propozime, sipas të cilave, atje ku politika duhet të parashikojë të vendosen norma juridike të sakta, po shkon drejt riprodhimit të krizës politike aktuale. Interesi për të dalë nga situata aktuale po e shtyn politikën drejt propozimeve që e politizojnë përfundimisht kuadrin tonë juridik.
Le ti shpjegoj se si i kuptoj këto dy procese. Por, fillimisht le të them hapur dhe në mënyrë fare të qartë se nuk besoj që të ketë qytetar shqiptar aq të marrë, i pangatërruar me politikën, që të mos dëshirojë që rezultatet e votimeve të jenë krejtësisht në përputhje me vullnetin e elektoratit, cilido që të jetë ky rezultat. Kur dikush prej tyre shprehet për ose kundër hapjes së kutive të votimit, problemin nuk e ka fare te ndonjë dilemë idiote përqendruar te fakti i paqenë sikur pyetja të ishte: Jam ose jo për të nxjerrë rezultate të sakta të procesit zgjedhor?
Janë dy çështje që nuk ngatërrohen aspak me njëra-tjetrën. Tjetër është problemi nëse kutitë duhet ose jo të hapen dhe krejt tjetër problemi nëse zgjedhjet duhen bërë të ndershme dhe rezultati i nxjerrë të jetë real dhe i saktë.
Po na ndodh krijimi i një rrjeti vicioz. Mekanizmat institucionalë që duhet të masin rezultatet e zgjedhjeve tona apo ti kishin matur këto rezultate, janë krejtësisht të politizuara. Me pëlqimin dhe vulën e vendosur nga partitë kryesore politike shqiptare. Pyetja është e thjeshtë: Kush i krijoi këto instrumente institucionale matëse? Qytetari i thjeshtë, që tani i kërkohet të dalë nëpër mitingje për të rimatur rezultatet e zgjedhjeve apo partitë politike?
Sepse, po na ndodh që të mbyllemi në një rreth vicioz. Politika i krijon problemet dhe pastaj po politika përpiqet që me muaj e vite të riparojë po ato probleme që i ka krijuar vetë.
Në vend që politika ti shërbejë shoqërisë, është shoqëria që po paguan haraçet e dëmeve që politika ka shkaktuar nëpërmjet një funksionimi jonormal ose të gabuar të saj.
Të vijmë te raporti midis politikës dhe së drejtës.
Çfarë duhet të ishin komisionet zgjedhore që u ngarkuan me numërimin e votave?
Duhet të ishin institucione juridike që të vepronin vetëm në bazë të ligjit.
Po cilët ishin anëtarët e tyre?
Militantë partiakë, të besuar të partive politike.
Ky është paradoksi i rëndë që duhet të marrin në sy ta shprehin dhe ta zgjidhin politikanët tanë. Në vend të anëtarit të komisionit zgjedhor, nëpunës i shtetit, i paanshëm, ne kemi pasur gjatë gjithë këtyre dhjetëra viteve atje, në zgjedhjet qendrore apo lokale, militantë partie. Nuk kam asgjë me militantët partiakë. Janë njerëz të nderuar, por flas në parim.
Çfarë duhet një militant partiak në një institucion juridik, normativ?
Të bëhet garant i respektimit të normës juridike.
Po shtrohet pyetja: Përse një militant partiak qenka më i drejtë dhe i respektueshëm ndaj ligjit, sesa një qytetar i thjeshtë?
Nuk ka asnjë arsye, përkundrazi. Qenia e dy palëve të militantëve brenda një institucioni juridik, si komisionet zgjedhore, mund të sjellë si vigjilencën kundër njëri-tjetrit, pra në zbatim të ligjit, por edhe hile nga të dyja palët ose edhe nuk përjashtohen pazare në kurriz të palëve të treta. Nga kjo pikëpamje nuk ka asnjë legjitimitet logjik asimilimi i nëpunësit ligjor anëtar i komisionit zgjedhor te militanti partiak. Aq më shumë se këto dy statuse janë edhe në konflikt të pastër interesi mes tyre.
Si mund të dua të kem rezultat të zgjedhor të paanshëm, kur jam militant i njërës palë në garën zgjedhore? Me sytë e errësuar nga pasioni i mitingjeve, si mund të jem i qartë kur të lexoj një votë?
Kuptohet që në vend të normës juridike, këtu kemi mekanizma prodhimi dhe riprodhimi devijancash politike. Politika vendoset në ruajtje të ligjit dhe nuk është ligji, norma juridike, që përcaktojnë kufijtë e veprimit politik. Që këtu nis paradoksi prej të cilit ne si qytetarë nuk po dalim dhe ia dalim dot të zgjidhim, paradoks i krijuar nga politika dhe që nuk po zgjidhet nga politika. Flas politika, sepse ky konceptim i statusit ligjor të komisioneve zgjedhore është bërë nga të gjithë krahët politikë.
Po cilët mund të jenë anëtarë të komisioneve zgjedhore? Ose, të bëhet një investim dhe të kalohet në votimin elektronik. Duhet një sasi parash, por humbjet që kemi pësuar si komb nga gjendja e turpshme ku kemi hyrë, janë kaq pafundësisht më të mëdha sesa këto pare, saqë llogaria del e qartë. Në mos kjo, ka zgjidhje të tjera. Të vendosen gjyqtarë ose persona të tjerë me status juridik ose të nëpunësit civil. Dhe në mos jo, vetëm këta edhe qytetarë sipas kritereve të caktuara, të emëruar me short pak para ditës së votimeve. Partitë politike me militantët e tyre ti vrojtojnë nga afër votat e numëruara, por komisionerët të mos jenë militantë politikë.
Mirëpo situata ka nisur të bëhet edhe më e ndërlikuar. Ka propozime nga juristë partiakë, të cilët po paraqesin kuadro të tjera juridike zgjedhore, të cilat në fakt nuk janë veçse riprodhime të tensionit të tanishëm politik, e projektojnë këtë konflikt drejt përfytyrimesh juridike të ardhshme. Përsëri rrezikojmë që kuadri juridik i ardhshëm zgjedhor të jetë thjesht një politikë e veshur me nene juridike të pakuptimta. Do të dalim nga një tension politik për të hyrë sërish në një krizë politike të ardhshme.
Në propozimet që bëhen, duket sikur kërkohet të legjitimohet hyrja e deputetëve socialistë në Kuvend nëpërmjet propozimit të një kuadri ligjor për të ardhmen. Nga pikëpamja e legjitimimit politik të pranisë socialiste në Kuvend, çështja duket e shtruar normalisht. Të pranohet një kuadër i ardhshëm juridik që të lejojë hapjen e kutive të votimit në të ardhmen dhe gjithçka rregullohet. Edhe demokratët ruajnë raportet e tanishme politike në Kuvend, edhe socialistët hyjnë në Kuvend pa prishur imazhin e tyre.
Puna është se duhet pyetur përse edhe në zgjedhje të tjera të ardhshme, kushdo që ti fitojë ato, duhet sanksionuar hapja e kutive të votimit nga ana e deputetëve?
Mirë, e dobishme mund të jetë, po e drejtë a është?
Pra, lihet të kuptohet që përsëri mekanizmat juridikë dhe institucionalë që do të numërojnë votat, përsëri do të manipulojnë, gjykatat përsëri do të jenë të pabesueshme. Në vend që të shihet problemi te rregullimi i mekanizmit të matjes së rezultateve zgjedhore, parashikohen procedura politike, kryer nga përfaqësues politikë të partive, deputetët, që të rivendosin saktësinë e matjes të pretenduar të shprishur nga institucionet që po këta deputetë kanë ngritur për të numëruar votat!
E kuptoni o miq se në çfarë paradoksi të paparë rrezikojmë të futemi përsëri në të ardhmen? Çfarë ngatërrimi fenomenal midis politikes dhe juridikes! Përse nëse nuk u besoj gjykatësve lidhur me numërimin e votave, do të duhet tu besoj deputetëve që nuk kanë asnjë status numërimi votash, bile çka bie në kundërshtim me statusin e tyre juridik?
A do të mbaronte dot kështu ndonjëherë numërimi i votave në Shqipëri?
Por, na qetësojnë duke na thënë se e drejta për rinumërimin e fletëve të votimit do të zgjasë vetëm gjashtë muaj. Pas gjashtë muajsh fletët e votimit nuk mund të hapen më!
E përse jo më pas gjashtë muajsh? Ku është këtu logjika e shëndoshë juridike? Dihet se një dokument zyrtar si burim arkivor nuk mund të hapet dot para një afati të caktuar, por jo pas një afati. Gjithçka kthehet ju

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›