E Diel, 1 Nëntor 2026

Vata: “Jam gati per futbollin shqiptar"Në një intervistë për “Ora-news”, Vata gjithashtu pohon se ka ndërmend të kandidojë për president të FSHF-së dhe të ndryshojë faqen e futbollit shqiptar brenda një harku kohor shumë të shkurtër.

Rrjetet sociale:

(Gazeta "PANORAMA SPORT") - Shpërthen Rudi Vata. Ish-legjenda e futbollit shqiptar e ka metë gjithë, por më së shumti me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Dukën. Këtë të fundit ai e ka cilësuar si shkaktarin kryesor të problemeve në futbollin shqiptar. Por akuza më e rëndë nga Vata vjen për Kombëtaren. Sipas tij duhet bërë një hetim i hollësishëm i ndeshjeve, pasi ato mund të jenë trukuar. Në një intervistë për “Ora-news”, Vata gjithashtu pohon se ka ndërmend të kandidojë për president të FSHF-së dhe të ndryshojë faqen e futbollit shqiptar brenda një harku kohor shumë të shkurtër.

Si e shikon Rudi Vata kombëtaren e Josip Kuzhesë?
Për mendimin tim vazhdojmë me të njëjtën monotoni. Akoma nuk po tregojmë se duam dhe se duhet të ndryshojmë. Kjo në të mirë të futbollit tonë, në të mirë të tifozëve. Mendoj se ndryshimet duhet të bëheshin që përpara ndeshjes me Estoninë, por fatkeqësisht pashë një kombëtare, identike sikundër ajo dështake që kemi pasur.
Mendoni se Kuzhe duhet të guxojë më shumë?
Po pasi Kombëtarja ka shumë probleme, thuajse në të gjitha repartet. Kemi probleme me mënyrën sesi luajmë. Nuk kemi një sistem të qartë loje. Arritëm diçka me Bariç pasi ai kuptoi diçka nga mentaliteti ynë por nuk arriti që të bënte hapin e madh. Në Kombëtare ka influenca nga të gjitha krahët dhe Kuzhe nuk është i vetëm që drejton këtë ekip. Atij i diktohen shpesh futbollistë paçka se besoj se edhe ai e kupton mirë se ka 2-3 lojtarë që nuk duhet të luajnë më në Kombëtare.
Cilët asnjë këtë lojtarë?
Kombëtarja ka probleme në mesfushë, prodhon pak dhe mendon koha e Skelës dhe e Duro ka përfunduar. Ata kanë pasur vlerat e tyre por ka ardhur momenti që ti japin fund me Kombëtaren.
Po Lala?
Edhe ai sigurisht, por ai është distancuar nga kjo situatë vetë gjatë kohëve të fundit. Në futbollin e sotëm ka nevojë për këmbë të shpejta, për djemtë me fantazi.
Po kush mund ti zëvendësojë?
Duhet parë në fillim se çfarë i kanë kërkuar Kuzhesë që të arrijë në këto eliminatore. Nëse Kuzhe i kërkohet kualifikimi me këta lojtarë nuk e arrin dot ndaj duhet që të rinovojë me patjetër skuadrën. Ka ardhur momenti që në edicionin e ardhshëm të ndërtojmë një ekip më serioz dhe më të mirë. Kuzhe duhet të guxojë. Në Shqipëria ka kualitete, por nuk punohet si duhet që lojtarët më të mirë të afrohen në skuadër.
Mendoni se duhet bërë një revolucion në Kombëtare?
Unë do thosha se ka nevojë për ndryshime duke filluar nga mbrojtja. Ne sot po sakrifikojmë dy lojtarë si Cana e Curri në mbrojtje kur po ti kishim ata në mesin e fushës do të kishim rezultate më të mira. Cana dhe Curri luajnë si të improvizuar sepse nuk ka lojtarë në mbrojtje që të bëjë punën e tyre. Këto probleme kanë qenë evidente prej kohësh por që vazhdojnë edhe deri më sot.
Po sulmuesit?
Kemi lojtarë të mirë në sulm por që nuk shërbehen si duhet. Marrim një shembull Salihi shënon rregullisht te Rapidi sespe shërbehet mirë ndërsa në Kombëtare nuk ka ata topa nga mesfushorët që i nevojiten për të shënuar më shumë. Kombëtarja nuk ka ndërtuar një sistem të qartë lojë në mënyrë që gjithkush të japin më të mirën e vet.
Kuzhe ktheu Haxhin me Suedinë, si iu duk ajo lëvizje?
Nuk e di sesi e ka pritur Haxhi por unë në vend të tij nuk do të isha kthyer në Kombëtare. Ndaj tij nuk është treguar respekt në të shkuarën. Haxhia aty ka qenë edhe para dy vitesh por nuk është kujtuar kush për të, ndaj kjo gjë nuk është normale. Nuk kishte kuptim që ai të thirrej pas një harrese. Haxhi, Bushi, Fatmir Vata e të tjerë kanë nevojë për një respekt nga federata e kombëtarja dhe asgjë tjetër më shumë.
Ndërkohë që as juve nuk u është bërë sikundër edhe atyre një ndeshje lamtumire....
Kultura profesionale nuk është e mjaftueshme te drejtuesit e FSHF-së. Ndoshta janë njerëz që nuk kanë përjetuar momente të mëdha ose janë xhelozë. Dhe kjo shfaqet edhe në të tilla forma në sportin shqiptar. Për ata unë nuk kam ndonjë respekt të veçantë.
Sa kohe keni pa komunikuar me presidentin Duka?
Që në kohën kur ai bëri zgjedhjen e Hanit, ndërsa unë i kisha ofruar Zengën. Po prisnin që të takoheshim me Dukën për të shpalosur programin tonë por ai as që e mori mundimin pasi bëri zgjedhjen e tij.
Vetëm për këtë gjë jeni zënë?
Jo vetëm. Di të them që jam larguar nga Kombëtarja pikërisht nga Armand Duka. Vetë ai ka marrë vendimin që unë nuk duhesha të grumbullohesha më në Kombëtare. Kur takova Brigelin në 2003-in ai më tha se më kishte parë në një ndeshje dhe donte të më kthente në skuadër por pasi u ballafaqua me Dukën natyrisht që ndryshoi menjëherë mendim. Kjo sepse Dukës nuk i pëlqejnë liderët, nuk i pëlqejnë zërat kundër. Unë për të isha një zë kritik, kjo vetëm për të mirën e punës.
E keni kritikuar Dukën përballë?
Jo sepse nuk kam qenë pjesë e Kombëtares në atë kohë. Kur ai u bë president dha urdhër që Rudi Vata të mos vijë më në skuadër dhe këtë gjë e vazhdoi edhe kur në krye të skuadrës mund të vinte një personalitet si Litbarski. vetëm se ai i tha se donte Rudi Vatën në staf, Duka nuk pranoi që të drejtonte Kombëtaren edhe pse ai kishte projektin më të mirë për ekipin tonë.
E megjithatë Duka është zgjedhur dy herë deri tani në krye të FSHF? 
Shqipëria është e tillë që shumë gjëra ndodhi ndryshe nga çfarë duhet në ndodhin vërtet. Kemi si pikësynim të futemi në Evropë porjo me të tillë zgjedhje, por me njerëz që i duhen atdheut.
Ka pasur akuza nga Berisha, Pango dhe ministra të tjera ndaj Kombëtares se kanë shitura ndeshjet, ju si mendoni?
E kanë ekzagjeruar shumë herë. Nuk përjashtoje fiksimin e një rezultati por do të ishte e mira që ti shkonin deri në fund asaj situate dhe të gjendeshin fajtorë. Mendojmë se jemi në Ballkan dhe këto janë fenomene që mund të ndodhin. Por mendoj se ndeshjet e Kombëtares duhen hetuar pasi mund të ketë pasur trukime.
Po kur keni qenë ju në Kombëtare, ka pasur trukime?
Po ka pasur. Le të kujtojmë Uellsin. Tashmë dihet mirë polemika që unë kam pasur me Strakoshën dhe ajo lindi vetëm nga një ngacmimi pikërisht i tij, jo se unë dojë me të vërtetë që të tregoja fakte mbi atë takim.
Po pse nuk e thatë këtë gjë që në 1995?
Nuk ka qenë detyra ime që të thosha një gjë të tillë. Unë në ato kohë luaja te Sëlltiku dhe nuk duhej të isha unë që të denoncoja një fakt të tillë, kur të gjithë pjesëtarët e stafit të Kombëtares e dëgjuan ofertën që mua më bëri Strakosha para ndeshjes me Uellsin. Aty ishte Lluka Heqimi dhe stafi tjetër i skuadër por asnjëri nuk foli për këtë gjë. Pas kësaj unë nuk kam pasur asnjë lloj marrëdhënie me Strakoshën. Unë e kam bërë evidente në dhomat e zhveshjes, aty ku e kam menduar. Por në Shqipërinë e atyre viteve kishte edhe pak frikë. Madje kishte njerëz që çuditeshin me ne dhe në thoshin se pse vinim në Kombëtare në ato kushte ku ishte vendi ynë.
Po më pas këni pasur oferta të tjera për trukim?
Jo, më pas nuk kam pasur asnjë ofertë tjetër.
Ka pasur trukime pas largimit tuaj nga kombëtarja?
Kam dëgjuar për 3-4 emra që mund të kenë shitur ndeshje të Kombëtares por nuk mund ti bëj publikë pasi duhet të kesh fakte konkrete për këtë gjë.
Edhe Igli Tare e Bledar Kola kanë kundërshtuar FSHF-në dhe Armand Dukën, si janë marrëdhëniet tuaja me ata?
Me Kolën kam marrëdhënie të shkëlqyera. Flasim shpesh dhe më vjen mirë që ka ecur përpara. Por më vjen mirë edhe për Taren, paçka se mes nesh në periudha të ndryshme diçka është ftohur. Ka pasur disa kontradikta, por gjëra kalimtare. Nuk kemi pasur rast të takohemi por jam krenar që ai përfaqëson një klub si Lacio. Është nder për të gjithë ne që një si Tare drejtoj një klub në Serie A.
Edhe ai u largua nga kombëtarja në mënyrë të çuditshme, por edhe ai foli pasi ishte larguar....
Më fal por unë kam folur si më parë dhe më pas. Kam qenë gjithmonë kritik dhe gjithmonë në mbrojte të ekipit kombëtar. Kam kritikuar gjithmonë sikur kam qenë në Kombëtare dhe tani që nuk jam më, pasi futbolli është pjesë e jetës sime. Kritika ime ka qenë në vazhdimësi.
Cili nga të huajt që ka drejtuar Kombëtaren i ka shërbyer më mirë?
Mendoj se asnjëri nuk ka bërë kthesën e madhe. Asnjëri nuk ka bërë ndryshimin që ne pritnim. Investuam shumë por të gjithë kemi pritur kthesën e madhe por askush nuk arriti. Dosena nuk gjykohet se iku shpejt. Brigel kishte lojtarë por nuk arriti asgjë. Bariç bëri një ndryshim disi më të mirë por edhe ai në 2 ndeshjet e fundit u tradhëtua. Gjithsesi Bariç ka notën më pozitive.
Kalojmë te Shpresat? Humbje të njëpasnjëshme dhe asnjë ndryshim...
Nëse do të ndërtosh një biznes ai matet me arritje. Në futboll janë rezultate. Nëse biznesi falimenton dështon edhe ti. Në futbollin tonë ne kemi vetëm dështime dhe po të shikosh te moshat trajnerët kanë vite me radhë që drejtojnë me rezultate zhgënjyese dhe vazhdejnë ende të jenë aty. Pyetja më direkte duhet ti bëhet Dukës, sepse ai që i ka zgjedhur. Është ai që duhet të kërkojë llogari atyre. Duhet parë sesa futbollistë kanë prodhuar këta trajenrë. Ka vite që nuk kemi qendërmbrojtës do të thotë që prodhimi ka qenë i paktë.
Po lojtarët që janë jashtë?
Nuk punohet fare për të thirrur lojtarët që luajnë jashtë. Kjo është një politikë e ndjekur nga FSHF-ja. Mendoj se ka shumë talentë që për një arsye ose nëj tjetër u bllokohet hyrja për në Kombëtare. Kjo është një strategji e FSHF-së e ndjekur prej vitesh.
Keni pasur ndonjëherë ftesë nga FSH për të punuar në atë institucion?
Jo. Iu thashë se unë përfaqësova Litbarskin. Ai kishte një strategji dhe kur tha se Vata duhet të jetë në Kombëtare me të, nuk u zgjodh më trajner vetëm prej meje.
Po nëse do t’ju propozohej sot?
Absolutisht jo. Sepse nuk punoj me njerëz që s’dinë të kërkojnë llogari. Vetë Duka nuk e di gjendjen e futbollit tonë. Nuk njeh problemet që ne kemi.
Do të dëshironit që të drejtonit Kombëtaren?
Po pse jo. Me njerëz të saktë mund të bëj.
Do kandidoni për president të FSHF-së?
Kam të drejtën absolute si shqiptar, si punëtor, si njeri që kam nderuar Shqipërinë që të pretendoj të bëhem trajner ose president. Jam në garë me veten me të tjerët sepse jam një njeri ambicioz dhe që di të punoj shumë mirë. Nuk i tremben Dukës pasi jam më i përgatitur se ai.
Keni një platformë për të ardhur në krye të FSHF-së?
Kam një mbështetje të mirë nga shumë njerëz të ndershëm nga shumë tifozë dhe mendoj se nga ana menaxheriale jam shumë më lart se Duka. Nëse do të ketë një garë të ndershme jam i bindur se fitoj.
Cilat janë marrëdhëniet tuaja me politikën.
Korrekte. Kam qenë një lojtar, dhe një njeri i sportit që jam duartrokitur si nga të majtët dhe të djathtët pa asnjë lloj paragjykimi.
Çfarë do të ndryshonit ju në se do të bëheshit president?
E para do kem një përkushtim maksimal në federatë. Do të ballafaqohem çdo ditë me futbollin dhe problemet dhe do të jam një prioritet klubeve. E dyta do të kem marrëdhënie serioze me investitorët e klubeve me qëllim që ata të kenë mundësi të shfaqin ambiciet e tyre për atë çfarë ata investojnë. E treta të eliminoja problemet me arbitrat.
Cili është projekti juaj më i madh?
Ëndrra ime është ndërtimi i një stadiumi luksoz dhe mendoj se nëse do të bëhem president do t’ia arrij.
Po ju do të mbani një trajner të huaj apo një shqiptar?
Varte nga kushtet, por mendoj se ka trajnerë shqiptarë mjaft të mirë që mund të drejtojnë kombëtaren.

RUDI VATA ...

për Kuzhenë
“Në Kombëtare ka influenca nga të gjitha krahët dhe Kuzhe nuk është i vetëm që drejton këtë ekip. Atij i diktohen shpesh futbollistët, paçka se besoj që edhe ai e kupton mirë se ka 2-3 lojtarë, të cilët nuk duhet të luajnë më në Kombëtare. Mendoj se ai duhet të guxojë më shumë dhe të jetë më autoritar e profesionit në punën e tij.”

për “senatorët”
“Kombëtarja ka probleme në mesfushë, prodhon pak dhe mendoj se koha e Skelës dhe e Duros ka përfunduar. Ata kanë pasur vlerat e  tyre, por ka ardhur momenti që t’i japin fund me Kombëtaren. Të njëjtën gjë po bën Lala. Ai është distancuar nga kjo situatë vetë gjatë kohëve të fundit. Në futbollin e sotëm ka nevojë për këmbë të shpejta.”

për mbrojtjen
“Kombëtarja ka nevojë për ndryshime, duke filluar nga mbrojtja. Ne sot po sakrifikojmë dy lojtarë si Cana e Curri në mbrojtje, ndërkohë që po t’i kishim ata në mesin e fushës, do të kishim rezultate më të mira. Cana dhe Curri luajnë si të improvizuar, sepse nuk ka lojtarë në mbrojtje që të bëjë punën e tyre. Këto probleme kanë qenë evidente prej kohësh.”

për trukimet
“Jemi në Ballkan dhe këto janë fenomene që mund të ndodhin, por mendoj se ndeshjet e Kombëtares duhen hetuar, pasi mund të ketë pasur trukime. Le të kujtojmë Uellsin. Tashmë dihet mirë polemika që kam pasur unë me Strakoshën dhe ajo lindi vetëm nga një ngacmim pikërisht i tij, jo se unë doja me të vërtetë që të tregoja fakte mbi atë takim.”

Numri i klikimeve - 294
  E Hene, 16 Nentor 2009
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›