Vdes lojtari De Nigris. Dosier Albania-sport.com paraqet dy speciale, të parën me futbollistët që kanë bërë vetëvrasje, kanë vdekur në fushë dhe janë vrarë, dhe të dytën me futbollistë që janë konsideruar si të vdekur, por që janë “rikthyer” sërish n

Rrjetet sociale:
Futbollisti meksikan i Larisës në Greqi, Antonio De Nigris, vdiq si pasojë e një ataku kardiak. 31-vjeçari, 8 ndeshje me Kombëtaren e Meksikës, la të pikëlluar bashkëshorten dhe vajzën 5-vjeçare. Kjo është vdekja e dytë e një futbollisti brenda një kohe të shkurtër pas asaj të vetëvrasjes së portierit të Kombëtares gjermane, Robert Henke.
Albania-sport.com paraqet dy speciale, të parën me futbollistët që kanë bërë vetëvrasje, kanë vdekur në fushë dhe janë vrarë, dhe të dytën me futbollistë që janë konsideruar si të vdekur, por që janë “rikthyer” sërish në jetë.
Të vdesësh e të vritesh për sportin
Vetëvrasja e portierit 32-vjeçar gjerman të Hanoverit dhe Kombëtares gjermane, Robert Enke, për shkak të depresionit nuk është e para në botën e futbollit. Djali i një ish-vrapuesi të 400 metrave me pengesa e më pas psikoterapist dhe një sportisteje të famshme hendbolli, u hodh mbi shina dhe u shtyp nga një tren, më 10 nëntor 2009, disa qindra metra larg varrit të vajzës së tij 2-vjeçare, duke zhytur sportin gjerman në lot e zi, por duke “detyruar” mediat të rikujtojë e të rishkruajë për një kolonë të gjerë emrash të sportit të vetëvrarë, të vrarë apo të vdekur në fushën e futbollit apo në klinikat gjatë përpjekjeve të mjekëve për t’i risjellë në jetë. Fusha e futbollit, përveç golave, ka parë edhe vdekjet e futbollistëve, që në jo pak raste e kanë kthyer ndeshjen në një skenë të trishtuar. Duke iu referuar Shoqatës Spanjolle të Kardiologjisë, 74-94% e rasteve të vdekjeve të sportistëve kanë ndodhur për shkak të parregullsive kardiovaskulare, ndërkohë që mosha e atletëve të cilëve u kanë ndodhur vdekje të tilla kanë qenë sportistë nën moshën 30 vjeç, të cilët kanë pasur defekte të lindura në arteriet e tyre koronare. Rasti i parë në botë i vdekjes së një lojtari daton plot 120 vjet më parë, kur më 13 janar 1889, futbollisti anglez, Ulliam Kroper, i skuadrës Stavelu, vdiq një ditë më pas problemeve që pati në zorrë gjatë ndeshjes kundër Krimbsi Toun. Që nga ajo ditë “kronika” e vdekjeve në fushë është e gjatë, duke bërë një “lexim të afisheve të vdekjeve deri në ditët tona. Më 19 shkurt 1916, futbollisti i Arsenalit, Bob Benson, vdiq gjatë një ndeshjeje kundër Ridingut. Duke ardhur më në kohë, më 30 tetor 1977, futbollisti i famshëm italian, Renato Kuri, i Peruxhias, pësoi një goditje kardiake në ndeshjen kundër Juventusit në Serinë A. Stadiumi ku luan Peruxhia mban pikërisht emrin e tij. Rasti i fundit të vdekjes së një futbollisti në fushë i takon sulmuesit kroat 25-vjeçar, Hrvoje Kustiç, më 3 prill 2008, i cili vdiq në spital pasi kishte marrë në fushë disa goditje në kokë në ndeshjen Zadar-Sibalia. Është rasti t’i hedhim një sy se çfarë ka ngjarë në botën e futbollit. Më poshtë po japim një listë të “vdekjeve më të famshme”.
VETËVRASJET
Sergi Lopez Segu është një nga futbollistët e njohur spanjollë, i aktivizuar me Barcelonën, Majorkën dhe Real Saragozën. Pas karrierës sportive ai u zhvendos në Argjentinë, ku u martua e pati një fëmijë. Martesa dështoi plotësisht dhe e kombinuar edhe me përfundimin e karrierës së tij profesionale e çuan Seunë në depresion, e cila rezultoi më pas në një vetëvrasje, më 4 nëntor 2006, në moshën 39-vjeçare. Në funeralin e tij ishin të pranishëm njerëz të njohur të botës së futbollit, përfshirë presidentin e Barcelonës Hohan Laporta, futbollistin Samuel Eto, ish-presidentin e Valencias, Pedro Kortes dhe të gjithë skuadrën e Monakos. Lester Morgan Suazo ishte një portieri nga Kosta Rika pjesëmarrës në Kupën e Botës 2002. Suazo në nëntor të vitit 2002 vrau veten. Robert Enke është rasti më i freskët i vetëvrasjes së një futbollisti. Një arbitër rus i kampionatit të kategorisë së parë, Almir Kayumov, po rikuperohet ne një spital psikiatrik, pasi kishte tentuar vetëvrasjen. Gjyqtari, 44 vjeç, kishte tentuar të hidhej nga dritarja e apartamentit të tij, por ishte ndalur në momentin e fundit nga disa punëtorë, pikërisht dy ditë pas vdekjes së Enkes, më 12 nëntor. Ish-sulmuesi i Interit, Adriano, pranoi se kishte menduar të vriste veten në vitin 2004, në kohën kur ai luante në Itali. “Pas vdekjes së babait e mendova këtë gjë, prandaj pata dhe probleme me alkoolin”, - tha braziliani për “Globesporte”. “Fillova të pija në mënyrën time për të shmangur problemet pasi dhe vuaja nga pagjumësia. Nuk duhet nënvlerësuar aspak depresioni që ekziston edhe në sport. Është e nevojshme të kurohet”. Edhe portieri i Italisë dhe Juventusit, Xhixhi Bufon, pranoi se në të kaluarën e tij ka qenë në gjendje depresive. Pak ditë më parë vrau veten portieri i Hanoverit dhe Kombëtares gjermane, Robert Enke.
VDEKJET NË FUSHË
MARK-VIVIEN FOE - Futbollistët që vdesin në fushë nuk janë të paktë, madje pamjet janë të tmerrshme për këdo që ka parë vdekjen në fushë të kamerunasit 28-vjeçar, Mark-Vivien Foe, i cili vdiq pas një ataku në zemër gjatë gjysmëfinales së Kupës së Konfederatave gjatë ndeshjes Kamerun-Kolumbi, të zhvilluar më 26 janar të vitit 2003, në Lion të Francës. Imazhi i fundit i mesfushorit në stadiumin “Gerland” të Olimpikut të Lionit, në minutën e 72-të të takimit, pas infarktit, ka mbetur gjatë në kujtesën e të gjithëve. Foe vdiq vetëm 45 minuta më vonë në qendrën mjekësore të stadiumit, me gjithë përpjekjet e gjithanshme të stafit mjekësor. Vdekja e Foes shkaktoi një shok të madh në botën e futbollist dhe në median sportive. Tieri Henri, golin e tij të fitores së Francës në finalen e Kupës së Konfederatave ia kushtoi kamerunasit, ndërsa Kevin Kigan, trajneri i Mançester Sitit, lajmëroi se klubi do të hiqte për një kohë të gjatë nga përdorimin fanellën me numër 23, që Foe e kishte mbajtur me klubin anglez. Në stadiumin e Mançester Sitit është ndërtuat një memorial i vogël kushtuar futbollistit, ndërkohë klubi i tij i parë Rasing Klub de Lens i dha emrin Mark Vivien Foe një prej rrugëve që të çon te stadiumi “Feliks Bolaert”.
MIKLOSH FEHER - Më 25 janar të vitit 2004 ndodhi vdekja e futbollistit të Kombëtares hungareze dhe të ekipit të Benfikës, Miklosh Feher, i cili vdiq pas një kolapsi nga një goditje kardiake në zemër, në fund të ndeshjes me Viktoria Guimaraes, të fituar nga ekipi i hungarezit 1-0. Sulmuesi i Benfikës, Feher, ishte vetëm 23 vjeç. Feher e pësoi atakun kardiak gjatë minutave shtesë dhe vetëm pak sekonda pasi ishte ndëshkuar me karton të verdhë nga gjyqtari i takimit. Edhe pse i trajtua në fushë nga personeli mjekësor dhe u transportua në spitalin më të afërt, nuk mundi të jetonte. Për fatin e keq të “Mikit” lojtarit edhe ambulanca mbërriti me vonesë, për shkak të vështirësisë për të hyrë në stadium. Në kujtim të Mikloshit, Benfika tërhoqi përgjithmonë numrin 29, të cilën Feher e mbajti gjatë karrierës së tij futbollistike me Benfikën, për t’u mos u veshur kurrë nga një lojtar i Benfikës.
MOHAMED ABDELVAHAB – Futbollisti egjiptian ishte një nga lojtarët e rëndësishëm të Kombëtares egjiptiane kur fitoi Kupën e Afrikës në vitin 2006. Abdelvahab vdiq gjatë stërvitjes me ekipin e tij El Ahly, më 31 gusht 2006, në moshën 23-vjeçare. Doktorët egjiptianë dolën në konkluzionin se futbollisti kishte vdekur nga ataku kardiak. Doktori i klubit shtoi se vdekja e tij ishte e menjëhershme pas infarktit. Katalin Hildsan- futbollisti i Dinamos së Bukureshtit, i cili vdiq në moshën 24-vjeçare, gjatë një ndeshjeje miqësoreje midis Dinamos dhe Oltenitë, më 5 tetor të vitit 2000. Katalin pësoi një infarkt kardiak në minutën e 74-rt të ndeshjes dhe ra në fushë, duke vdekur më pas. Një sektor i stadiumi të Dinamos mban emrin e tij.
ANTONIO PUERTA - Mbrojtësi i Seviljes në kampionatin spanjoll vdiq në spital më 25 gusht 2007, vetëm disa ditë pas infarktit të zemrës të pësuar gjatë fitores 4-1 të ekipit të tij me Getafen në ditën e parë të sezonit të Temporadës. Infarkti që Puerta pësoi është shoqëruar me dëmtim të trurit. Puerta pësoi dy goditje të zemrës një në fushë dhe një të dytë në dhomat e zhveshjes. Ndërkombëtari spanjoll 22-vjeçar jetoi vetëm disa ditë falë një frymëmarrje artificiale të furnizuar nga një aparat special në spitalin “Virgen del Roko” të Seviljes.
VRASJET E FUTBOLLISTËVE
Vdekjeve natyrore në fushë u shtohen edhe ato të sportistëve të vrarë, që kanë të bëjnë ose jo direkt me futbollin. Futbollisti kolumbian, Elson Evelio Besera Vaca, u vra në moshën 27-vjeçare. Vaka ishte lojtar i përfaqësueses kolumbiane mori pjesë në Kupën e Amerikës 2001 dhe në Kupën e Konfederatave 2003, aktivitet që mbeti i famshëm për vdekjen e kamerunasit Mark Vivien Foe. Kolumbiani ishte lojtar i klubit të pasur të Emirateve të Bashkuara Arabe, Al Xhazira. Besera u vra më 8 janar 2006, në një klub nate, me katër plumba pistolete në qytetin e tij të lindjes, Kartagjena, në departamentin e Bolivarit, së bashku me shokun e tij, Aleksandër Rios, i cili në fakt ishte edhe objektivi reali i grupit të gangsterëve. Besera vdiq disa ditë më vonë, më 10 janar, pas plagëve të shumta. Autoritetet kolumbiane ofruan në këmbim të informacioneve 5 milionë dollarë për të gjetur vrasësit të 27-vjeçarit. David Lang ishte një lojtar i njohur i futbollit amerikan, duke u bërë edhe kapiten i ekipit të Dallas Kaubojs, që fitoi Super Boul. Lang u vra afër shtëpisë së tij në Ston Mountain të Xhorxhias. Brajan Sidnej Pata, një mbrojtës amerikan i Miami Hurricanes, u vra më 7 nëntor 2006 jashtë apartamentit të tij, pasi kishte përfunduar më herët stërvitjen atë ditë. Vrasja e 22-vjeçarit u servir si një vetëvrasje nga policia.
Futbollistët që "panë vdekjen me sy"
Lajmi është i “mbreti” i informacionit. Madje lufta për pak sekonda më shpejtë se konkurrentët e tjerë është e ashpër në botën mediatike, për të pasur “pronësinë” e “scoop”-it ekskluziv dhe të pakundërshtueshëm. Por jo gjithmonë “headline’, ka rezultuar i vërtetë. Të paktën, në dhjetë rastet që po ju paraqesim. Dhe nuk janë emra dosido, por emblema në futboll apo personazhe në vendet e tyre. Le t’i marrim me radhë.
1. Pol Gaskonj
Lajmi për “vdekjen” e Pol Gaskonji në shtator të vitit 2008, njërit prej legjendave të mëdha të futbollit anglez, por dhe i famshëm në botën për “gjestikulacionet” e “grimasën fantazmagorike” të tij, mori përmasa botërore, madje një nga faqet më të mëdha sportive britanike e ndërkombëtare, “Sky Sports”, shpenzoi një ditë të tërë, duke i bërë “update” gjithë karrierës futbollistike dhe momenteve të pazakonta të jetës së futbollistit të “hekurt”. Zija përfshiu Anglinë, derisa të nesërmen, vetë Gaskonji u shfaq në media, duke qeshur e bërë shaka: “Mësova se kisha vdekur, por kur pyeta rreth e rrotull, morra vesh se nuk ishte e vërtetë”. Ish-futbollisti, i cili prej vitesh është me probleme mendore për shkak të përdorimit ekstrem të alkoolit. Madje historitë e “Gazës” janë gjithmonë në faqet e para të gazetave rozë.
2. Ferenc Pushkash
Emblema e futbollit hungarez e atij botëror, kampionit të padiskutueshëm të Realit të Madridit, Ferenc Pushkash, gjatë Revolucuonit Hungarez në tetor të vitit 1956, u raportua se kishte mbetur i vrarë, duke dhënë shpirt në “barrikadat e lirisë kundër tiranisë të regjimit komunist” hungarez. Gazeta angleze “Mançester Guardian” i kushtoi një artikull të posaçëm në faqen e parë, me një “obituary” (një përkujtimore) shumë prekëse, duke shprehur “hidhërimin e pafund”. Pas vetëm 24 orësh, radio hungareze konfirmoi faktin se Pushkash ishte gjallë dhe se i kishte kaluar 24 orët e mëparshme duke u ushtruar me goditjet në futboll. Një muaj më pas, Pushkash vendosi të mos luajë më për vendin e tij.
3. Helmut Dukadam
Pasi u akuzua egërsisht nga media rumune pas humbjes së Steauas së Bukureshtit me Barcelonën më finalen e Kupës së Kupave në vitin 1986, portieri Helmut Ducadam, u ankua se një makinë nuk ishte e mjaftueshme të mbushte ato që ai kishte dhënë për lavdinë e futbollit rumun. Atë verë, ai papritur u zhduk nga “qarkullimi”, duke i shtuar zërat se ai do të kishte mbetur diku i vrarë në rrethana krejt të panjohura, ose i ishin prerë krahët nga agjentët sekretë të presidentit komunist të asokohe, Nikolae Çausheskut. Pesë vjet më pas, ai i rikthye në “jetë” me të dy krahët në rregull, për të luajtur për një skuadër të kategorive inferiore, Vagonul.
4.Sandi Jang
Në fillim të viteve 1900, ish-sulmuesi i Totenhem Spërs, u përfol se ishte varur në Australi për trafikim dhensh. Thashetheme të tjera e paraqisnin se ai ishte çmendur dhe se kishte vdekur në një spital për të sëmurët mendorë. Por, pas 50 vjetësh, Jang u rikthye në Edinbërg, në moshën 79 vjeç, duke pohuar se dhe “ai vetë e kishte harruar se çfarë kishte bërë në 20 vitet e fundit”.
5.Tomi Farrer
“Një deklaratë surprizë e Gledis Farrer befasoi botën kur tha se bashkëshorti i saj kishte ikur, por vetëm për pak minuta për të blerë letër”. Lajmi u dha nga një gazetar i “Northern Echo”, pasi një gazetar i tij kishte telefonuar “vejushën” për t’i shprehur asaj ngushëllimet për kalimin në botën tjetër të ish-yllit të “Bishop Auckland”. Në janar të vitit 2009, klubi mbajti një minutë zi për Farrerin, që befas u ngjall, duke thënë ironikisht: “Është koha për të treguar gjithë të vërtetën e vdekjes dhe të asaj që pashë në jetën e përjetshme”.
6.Abas Rahim Zair
Pasi mesfushori irakian nuk arriti të realizojë penalltinë kundër Jordanisë në vitin 1997, frika se ai mund të terrorizohej nga sekretari irakian i sporteve, Udaj Hysein, provokoi një situatë të pazakontë në vend. Dy ditë pasi skuadra u kthye në Bagdad, u thirr në selinë famëkeqe të Komitetit Olimpik Irakien. Hysein lajmëroi familjen e Zairit se ai kishte vdekur, ndërkohë që pas tre javësh tortura të vazhdueshme, futbollisti u lirua. “Fundi i historisë”, - tha Zair, -të paktën, e kuptova se çfarë krimi kisha bërë”.
7.Mulamba Ndage
Në vitin 1998 gjatë Kupës Afrikane të Kombeve, u lajmërua se sulmuesi i Zaires, Mulamba Ndage, i cili kishte shënuar nëntë gola në turneun e vitit 1974, kishte vdekur gjatë kryengritjeve që sollën edhe rrëzimin e presidentit despotik Mobutu. Dhjetë vjet më pas, Ndage u rikthye si një varfanjak. “Është shumë e lehtë të humbasësh në Kongo”, - shpjegoi ai.
8.Malkolm MekDonald
“Unë mund të konfirmoj se jam shumë i gjallë”, - tha “Supermac” në vitin 1978, teksa disa radio lokale kishin dhënë detaje të vdekjes së tij në një aksident automobilistik. Në fakt, MekDonald kishte pësuar një aksident në të njëjtën ditë, por natyrisht, që ai nuk kishte vdekur. Sulmuesi i Arsenalit tha: “Nuk do t’i jap kurrë ndonjë intervistë në jetën time për këtë gazetar”.
9.Horge Olguin
Kur mbrojtësi argjentinas i Kupës së Botës 1978, shprehu mospëlqimin e tij ndaj juntës ushtarake që drejtonte vendin nga vitet 1970, dhe u zhduk në fillim të viteve 1990, u fol se ia ishte vrarë. Dy vjet më pas, ai u bë i gjallë në Peru, duke thënë se kishte “gjetur shpirtin e tij në malet e Andeve”.
10.Ernst Zhan Josef
Pas dalje pozitiv si përdorues dopingu në Kupën e Botës së vitit 1974, mbrojtësi haitian u morr me forcë nga autobusi i ekipit në aeroportin e Frankfurtit, për ta dërguar si “pako” në selinë e diktatorit haitian “Baby Doc”, Dyvalje. Pas tre muajsh, Jozef, për të cilin shokët e skuadrës besonin se kishin vdekur, u ribashkua me skuadrën Kombëtare të futbollit. “Gjithçka kaloi mirë, vetëm se mësova shumë gjëra që s’kishin të bënin më futbollin”, - tha ai.
Numri i klikimeve - 292
E Hene, 16 Nentor 2009