E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vata Optimist ne ndeshjen e se dieles

Dy ditë përpara ndeshjes, Vllaznia-Kamza, takim i cili do të luhet ditën e dielë në ora 14.00 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës pa spektatorë, tekniku i Vllaznisë Rudi Vata shprehet optimist për arritjen e një rezultati pozitiv. Në prononcimin e tij për shtyp dhënë pasditen e së premtes në sallën e konferencave të klubit kuqeblu, përballjen me Kamzën, Vata e konsideron shumë të rëndësishme për fatet e ecurisë së Vllaznisë në vazhdim të fazës së dytë të kampionatit.
Edhe pse Vllaznia ka marrë dy goditje radhazi nga komisionet e FSHF-së, atë të dhënies së tre pikëshit Flamurtarit dhe dënimin e stadiumit “Loro Boriçi” për të luajtur pa spektatorë ndaj Kamzës, për Vatën një gjë e tillë nuk ka pse të reflektohet psikologjikisht në gjirin e skuadrës që ai drejton, sepse gjendja e formacionit, sidomos edhe me rikthimin e Smajlit, ka një kompaktësi dhe rritje në të gjitha drejtimet, çka garanton për fitimin e betejave që ajo ka përpara.
Deklaratat e drejtuesve të Kamzës se vijnë në Shkodër për të marrë pikë, Vata i quan normale, si çdo ekip që ka objektivat e veta, por në krahun tjetër thotë me bindje se Vllaznia i ka marrë të gjitha masat e duhura dhe me modulin e lojës që ka ndërtuar është e bindur se do të arrijë synimin e saj për të marrë tre pikë.
Në mbyllje, Vata bën të ditur se me rikthimin e Smajlit në formacion, formati i skuadrës përballë Kamzës, pritet të ketë paksa ndryshime, të cilat do të bëhen të ditura një orë përpara takimit. Ndërkohë që, më pas foli edhe për situatën fizike të skuadrës, për të cilen pohoi se ka disa dëmtime, por që gjatë 48 orëve të mbetura, deri në fillimin e ndeshjes, me kontributin edhe të stafit mjekësor, pritet që ato të riaftësohen të gjithë për lojë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›