E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bastet pretendimet e Euro 2012

Kur kanë mbetur diçka më shumë se tre muaj nga starti i fazës finale të Euro 2012, “bookmakers”-at kanë nisur të bëjnë llogaritë, për skuadrat pretendente për triumfin në Poloni dhe Ukrainë.
Kompanitë e basteve kanë publikuar koeficientët paraprakë për skuadrat që kanë më shumë shanse të fitojnë kurorën europiane, ndërsa përllogaritjet janë bazuar te paraqitjet e skuadrave në miqësoret e mesjavës.
Sfidat i shërbyen trajnerëve të përfaqësueseve respektive për të eksperimentuar me skemat e lojës, provuar lojtarë dhe krijuar një ide se me çfarë skuadrash do të marrin pjesë në Kampionatin Europian. Megjithatë, rezultatet e regjistruara kanë ndikuar edhe në garën e favoritëve për trofeun më të rëndësishëm continental.
Sipas basteve, në letër favorite absolute mbetet Spanja, kampione e botës dhe Europës në fuqi, me triumfin e “Furisë së Kuqe” që kuotohet 3,5. Iberikët ndiqen nga Gjermania, me 3,75, skuadër që pavarësisht humbjes në shtëpi me Francën, ka bërë përparime të konsiderueshme gjatë këtyre dy vjetëve, pas Botërorit 2010.
Pas tyre, përfaqësueset me koeficientët më të mirë janë Holanda, Italia, Anglia dhe Franca. “Tulipanët” zhvilluan një provë bindëse duke fituar 3-2 në Angli dhe kuotohen me koeficientin 8. Italia e Prandelit ndjek me koeficnentin 9, aq sa edhe “Tre Luanët”, ndërsa “gjelat” francezë me 14.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›