E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vatikani i njeh Papa Gjon Palit II mrekullinë e dytë - brenda vitit, shpallja e tij shenjtor

03-07-2013 / Gazeta 55

Brenda vitit, Papa Gjon Pali II mund të bëhet shenjtor dhe ceremonia mund të zhvillohet në muajin dhjetor. Mbledhja plenare e kardinalëve dhe peshkopëve të Kongregacionit të Çështjeve të Shenjtorëve miratoi të martën “mrekullinë e dytë” të Vojtilës. Vendimi erdhi pas aprovimit nga mjekët dhe Komisioni i Teologëve, të cilët pranuan mrekullinë e shërimit që kishte ndodhur mbrëmjen e lumturimit, më 1 maj të vitit 2011. Gjatë mbledhjes, kardinalët dhe peshkopët, anëtarë të Kongregacionit, u shprehën në favor të kanonizimit në dhjetor, pas përfundimit të Vitit të Fesë. Megjithatë, gjithçka mbështetet në vullnetin e Papa Franceskut, që siç shkruan “Corriere della Sera” mund të sjellë “surpriza”. Papa Francesku do ta shikonte me shumë vëmendje shpalljen shenjtor në të njëjtën kohë të Papa Vojtilës dhe Gjonit të 23-të.
Papa Françesku: “Të ikim nga mëkati pa na marrë malli e të jemi të fortë, në ligështi”/I krishteri është i thirrur të jetë i guximshëm në ligështinë e tij. Këtë nënvizoi Papa Françesku gjatë Meshës së djeshme, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Papa pohoi se nganjëherë duhet ta pranojmë që jemi të ligshtë, prandaj duhet të ikim nga mëkati pa keqardhje e pa e kthyer kokën pas. Në Meshën, bashkëkremtuar nga kardinali Manuel Monterio de Kastro dhe imzot Beniamino Stela, mori pjesë edhe një grup meshtarësh e bashkëpunëtorësh të Gjykatës së Pendestarisë Apostolike dhe një tjetër, i Akademisë Papnore Kishtare. Të veprosh ngadalë, të ecësh duke kthyer kokën mbrapa, të kesh frikë t’i drejtohesh Zotit, hirit të Shpirtit Shenjt. Në homelinë e djeshme, Papa Françesku e mori shtytjen nga Leximet liturgjike, për t’u ndaluar mbi katër sjelljet e mundshme në situata të ngarkuara me konflikte. Në çaste të vështira. Sjellja e parë është ajo e ‘ngadalësisë’ së Lotit. Ai, vërejti Papa, kishte vendosur ta linte qytetin, para se të rrënohej, po këtë e bën dalë-nga-dalë. Engjëlli e nxit të ikë një orë e më parë, por ai ngurron, nuk e ka të lehtë të shkëputet nga e keqja, nga mëkati. Edhe ne, shtoi Papa, duam të ikim. Jemi të vendosur, por diçka na pengon, na tërheq mbrapa. E kështu Loti nis të diskutojë deri me Engjëllin: “Është shumë e vështirë ta këputësh çdo lidhje me një gjendje mëkatare. E vështirë! Edhe kur tundohesh, është vështirë! Po zëri i Zotit të thotë këtë fjalë: ‘Ik!’. Ti nuk mund të luftosh aty, sepse zjarri e squfuri do të ta marrin frymën. Ik, pra!’. Shën Terezina e Krishtit Fëmijë na mëson se disa herë, në çaste tundimesh, e vetmja mënyrë është të ikësh e të mos kesh fare turp nga ikja; ta pranojmë se jemi të ligshtë e duhet të ikim. E populli ynë, në urtinë e tij, thotë paksi me tallje: ‘Ushtari që ikën, duhet për një luftë tjetër’. Të ikësh, për të ecur përpara në rrugën e Jezusit”.
Engjëlli, shtoi, thotë të mos e kthesh kokën mbrapa, të ikësh duke shikuar vetëm përpara. Këtu, vijoi Papa, vlen këshilla për ta mundur mallin për mëkatin. Të mendojmë për popullin e Zotit në shkretëtirë, nënvizoi Ati i Shenjtë, për premtimet, për gjithçka ka të bëjë me daljen nga skllavëria, në liri. E pra të ikurit i mori malli për qepët e Egjiptit. Harruan se këto qepë i hanin në sofrën e skllavërisë. Patën mall. Mall për t’u kthyer mbrapsht. E këshilla e engjëllit, shtoi Papa, ishte tejet e urtë. Mos shiko mbrapa! Ec përpara! Nuk duhet të bëjmë si gruaja e Lotit; duhet ta flakim çdo mall, çdo keqardhje, e edhe tundimin e kureshtjes, për të parë ç’po ndodh mbas shpinës sonë: “Përballë mëkatit, të ikim, pa na marrë malli për të. Kureshtja nuk duhet gjë, bën keq!’. Po, si t’ia bëjmë, në këtë botë kaq mëkatare? E si do të jetë ky mëkati? Dua ta njoh....’. Jo, lëre! Kureshtja të bën keq. Ik e mos shiko mbrapa! Jemi të ligshtë, të gjithë, e duhet të mbrohemi. Situata e tretë është mbi barkë: frika. Kur deti trazohet nga stuhia e barka tundet e shkundet nga dallgët-mal: ‘Shpëtona, Zot, jemi të humbur’ - thonë ata. I kap frika! Edhe ky është tundim i djallit: të kesh frikë për të ecur përpara në rrugën e Zotit”. Por duhet kujtuar edhe një tundim tjetër. Ai, që të pëshpërit në vesh: ‘Është më mirë të rri këtu, ku jam i sigurt’. Po ky, sqaroi Papa, është Egjipti i skllavërisë! ‘Kam frikë të ec përpara, shtoi Papa, kam frikë të shkoj atje, ku do të më çojë Zoti’. Por frika nuk është këshilltar i mirë. Jezusi, shtoi Shenjtëria e Tij, shumë herë na thotë: “Mos kini frikë! Frika nuk na ndihmon”. Kur Jezusi e fashit detin e trazuar, dishepujt në barkë mbeten me gojë hapur. Gjithnjë, kur jemi para mëkatit, para mallit, para frikës, tha Papa, duhet t’i drejtohemi Zotit: “Duhet ta shikojmë Zotin. Ta kundrojmë Zotin. Kjo na e krijon mahnitjen e bukur të një takimi tjetër me Zotin. O Zot, kam këtë tundim: dua të mbetem në këtë gjendje mëkati; kam kureshtje të di si janë këto gjëra. E pastaj thua: ‘Zot, kam frikë!’. Si dishepujt që, sa e panë Zotin, bërtitën: ‘Na shpëto, o Zot, jemi të humbur’. E u mahniten nga takimi i ri me Jezusin. Nuk jemi të leshtë, as të vaktë, jemi kreshnikë, guximtarë. Jemi të ligshtë, por duhet të jemi guximtarë në ligështi. E guximi ynë shumë herë duhet të shprehet duke ikur, pa kthyer kokën mbrapa, për të rënë në mallin e keq. Mos kini frikë ta shikoni gjithnjë Zotin!”.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›