Numri i madh i qendrave të votimit dhe numërimi i shpejtë, suksesi i procesit
Shefja e misionit OSBE- ODIHR Conny McCormak, takim me kryeministrin Berisha, ministrin Bumçi dhe kreun e KQZ, Lleshi
Ulja e numrit të zgjedhësve në qendrat e votimit dhe procesi i shpejtë i numërimit të votave, ishin dy nga treguesit më kryesore që bënë që procesi zgjedhor i 23 qershorit të shënonte tregues pozitiv në demokracinë e vendit. Në këtë mënyrë e ka vlerësuar procesin zgjedhor të 23 qershorit shefja e misionit të vëzhgimit të OSBE- ODIHR Conny McCormak gjatë një takimi me kryeministrin Sali Berisha. Zonja McCormak vlerësoi pozitivisht organizimin e ditës së votimit, duke theksuar se zhdukja e radhëve në votim, si pasojë e uljes së numrit të zgjedhësve për qendër votimi, ishte një përmirësim i dukshëm. Ajo u shpreh se procesi i numërimit shënoi gjithashtu përmirësim. Për këto arsye tha ajo ky proces tregoi pjekurinë e demokracisë në Shqipëri. Nga ana tjetër kryeministri në largim Sali Berisha vlerësoi punën profesionale të vëzhguesve të ODIHR në zgjedhje, të cilët sipas tij ishin element themelor për garantimin e transparencës dhe të besueshmërisë së procesit zgjedhor. Kryeministri e çmoi procesin zgjedhor me standarde të larta dhe të civilizuar, si dhe vlerësoi pjesëmarrjen e lartë në votim. Ai theksoi se numri i vogël i ankesave, i cili i dedikohet një procesi numërimi jashtëzakonisht transparent dhe të rregullt, është tregues për cilësinë e lartë të këtyre zgjedhjeve. Po ashtu shefja e misionit të vëzhguesve të ODIHR u takua me Ministrin e Jashtëm Aldo Bumçi, ndërsa palët vlerësuan proçesin zgjedhor të 23 qershorit si të suksesshëm. Në këtë takim dy bashkëbiseduesit nënvizuan vullnetin e përbashkët për të vazhduar bashkëpunimin në të ardhmen. Znj. McCornack falenderoi Ministrin Bumçi për bashkëpunimin e Qeverisë shqiptare me vëzhguesit ndërkombëtarë. Në veçanti, ajo shprehu vlerësime për ecurinë e procesit zgjedhor. Sa i përket procesit të numërimit të votave, kryesuesja e ODIHR-it u shpreh se procesi ishte transparent dhe profesional. Ministri Bumçi falenderoi zonjën McCormack për angazhimin e saj personal dhe për punën e Misionit Vëzhgues të OSBE/ODIHR, duke e cilësuar praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë si shumë të rëndësishme në realizimin e standardeve më të mira të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se këto zgjedhje shënuan një hap përpara drejt konsolidimit demokratik dhe proceseve integruese të vendit. Në fund të ditës së djeshme, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, znj. Lefterije Lleshi, priti në një takim kryetaren e Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR-it, Costance Berryman McCormack, një ditë para largimit të saj nga Shqipëria. Zonja McCormak shoqërohej nga Zëvendëskryetari i këtij Misioni, Harald Jepsen, dhe dy analistët zgjedhorë, Linda Mazure dhe Pavel Cabacenco. Kryetarja e KQZ e njohu znj. McCormak me vendimmarrjen e Komisionit dhe hapat që do të ndërmarrë KQZ deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve që u zhvilluan më 23 Qershor. Lleshi u shpreh se KQZ, realizoi me sukses zgjedhje të lira, transparente dhe të pakontestueshme. Kryetarja e Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR-it, kryetaren e KQZ, për bashkëpunimin që komisioni ka patur me Misionin që ajo drejton. Znj. McCormak shprehu vlerësime për ecurinë e procesit zgjedhor, procesit të numërimit të votave dhe punën që KQZ ka bërë për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kryetarja e KQZ e falënderoi zonjën McCormack për angazhimin e saj dhe të Misionit të OSBE/ODIHR-it, në vendin tonë.