Rikrijimi i të djathtës larg ideologjisë puniste
Mihallaq Qilleri/ Shkrimtar
-Një mbrëmje të vitit 1993, tek prisja të kthehej im bir nga shëtitja, dikush trokiti në apartamentin tim. Ishte një burrë i panjohur, rreth të gjashtëdhjetave. Mbante në dorë një dosje të shtrembër. Më pyeti nëse mund të hynte. E vështrova disi me dyshim. Ishin kohë të turbullta, por pastaj vendosa ta ftoja. Në divanin standard të kuzhinës sime më tha thjesht se kërkonte prej meje ta ndihmoja për të botuar një libër me kujtime. Kishte qenë në burg për 28 vjet dhe këtë “përvojë” e kishte hedhur ndër letra. Pranova me vështirësi. Por pasi lexova dorëshkrimin e shthurur, u frikësova. Mysafiri im paskësh qenë jo thjesht një ish-kundërshtar i regjimit komunist, por, mbi të gjitha një agjent i huaj. Ky njeri kishte hyrë në vitin 1974 nga jashtë për të vrarë Enver Hoxhën në tribunën e parakalimeve, me rastin e 30-vjetorit të Çlirimit. Nuk do tregoj këtu gjithë historinë e tij, tashmë të botuar e të bërë objekt edhe për disa organe shtypi. Por miku im, - sepse do të bëheshim shpejt miq, - ishte bërë ballist në vitin 1943, kur nuk ishte më shumë se 14 vjeç. Për ironi të fatit babai i tij pat qenë partizan, ndërsa vet këtë njeri do ta arrestonin gjermanët e do ta shpinin në një kamp përqendrimi në Gjermani. Këtu nis e gjithë historia intriguese e jetës së tij... Me rënien e sistemit të vjetër ishte e kuptueshme që ai do të vendosej menjëherë në anën e demokratëve. Si antikomunist, sigurisht. Por çdo njeri mund të pyesë? Çfarë lidhje kishte ky njeri me të djathtën, edhe pas rrëzimit të komunizmit? Sepse e kishte rekrutuar një ballist në Shkollën Teknike të Kavajës në moshë thuajse fëmijërore? Qindra e qindra ish-komunistë, për përfshirje të tyre në dosjet e agjenturave, por edhe për luftën e egër të vetë sistemit, i cili ndodhej nën trysninë e Luftës së Ftohtë, u burgosën, u internuan. Çfarë lidhje kishin ata me të djathtën? A mund të ishin të djathtë përcjellësit e parë të ideve komuniste në Shqipëri, të cilët më pas u burgosën e u internuan? A mund të ishte i djathtë Todi Lubonja e familja e tij për shkak të vuajtjeve që regjimi komunist u shkaktoi me lejfenizmin e vet banal? Një i njohuri im, erdhi nga fshati ku kishte lindur në qytet si instruktor i Komitetit të Rinisë. Pastaj u bë drejtuesi kryesor i tij. Më vonë studioi në Shkollën e Lartë të Partisë. U emërua në Institutin e Studimeve M-L dhe, duke qenë atje, diku gaboi. E dëbuan. Madje nuk e çuan në fshatin e tij, por e lanë mësues në qytet. Edhe ky përkrahu PD-në si hakmarrje antikomuniste. A mund të ishte i djathtë ky njeri? Dhjetëra nëpunës të vegjël e të lartë shtetërorë vodhën, shpërdoruan detyrën dhe u burgosën nga drejtësia. Edhe ata e quajtën veten viktima të regjimit komunist. A janë të djathtë këta ish-analfabetë e varfanjakë? Mjaftonte një barcaletë e ironi për ish-drejtuesit e PPSH-së dhe mund të internoheshe, të pushoheshe nga puna, të mos të të jepnin të drejtë studimi për fëmijët. A janë të djathtë gjithë këto viktima të injorancës shtetërore, apo edhe të vetë moralit e kulturës së dyshimtë të militantëve të asaj kohe? Mund të ndaheshe nga gruaja dhe gjyqet e Frontit Demokratik të dënonin. Por mund të ishe edhe bir-komunisti e të kishin emëruar në zona të thella dhe pakënaqësia do shprehej duke u vendosur kundër regjimit që të “internoi”. Mund të vazhdonin raste të tjera përse PD-ja e vitit 1991 u mbush shpejt me mijëra anëtarë e simpatizantë. Me këtë pasuri të madhe anti-komuniste ajo jetoi deri më 23 qershor të këtij viti. Jo më kot PS-ja vazhdonte të quhej parti e trashëgimtarëve të ish-Bllokut, jo më kot Edi Ramës i gërvishtej biografia edhe pas 23 vjetësh në të quajturën demokraci shqiptare. Kjo luftë e pamoralshme e ndau shoqërinë shqiptare si në kohën e PPSH-së në të mirë e në të ligj, ndërsa vet ish-komunisti Berisha kishte të drejtë të udhëhiqte këtë kryqëzatë shtrigash kundër gjysmës së popullit shqiptar. Deri sa vet arrivisti revolucionar vendosi të bënte koalicion me Ilir Metën, i quajtur në disa vite, si majtisti i ashpër, i cili luftonte kundër liberalit Fatos Nano. Deri sa futi në listën e kandidatëve për deputet Kastriot Islamin, ish- ministër punist, derisa “Blloku” e “blloqet” e krijuara nga PD-ët dhe fëmijët e tyre i kalojnë sot qindra herë vilat e marra me qera të ish- byroistëve. Tashmë turma e djathtistëve majtistë ndërroi drejtim, ktheu rrjedhë, sepse edhe privilegjet e premtuara nuk i mori, por, mbi të gjitha nisi kthjellimi i vërtetë shoqëror, ndërsa fëmijët e tyre tashmë kanë një kulturë më perëndimore. Historikisht e djathta në Shqipëri nuk ka pasur kurrë vota, interesa, pikëpamje e filozofi dominuese. Për shkak të nivelit të ulët kulturor të popullsisë, pronës së vogël e të copëtuar, për shkak të ndarjes së madhe që ndodhi gjatë Luftës. Shqipëria po krijon të djathtën e re me pasuritë e vëna diku me djersë e mund, diku me drogë e prostitucion, diku si dhuratë për shërbime shtetërore, diku për shkathtësi intelektuale. Por krijimi i filozofisë së taksës së “sheshtë” do të kërkojë edhe shumë vite të tjera. Ja pse është koha e rikrijimit të së djathtës së vërtetë si pasuri kombëtare, që kërkon një punë të madhe, të vërtetë, intelektuale, seleksionuese, por jo më me ideologji puniste.