Zgjedhjet e 23 qershorit arritje e madhe, një test i kaluar
Ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Carola Muller Holtkemper
Ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Carola Muller Holtkemper ka deklaruar se zgjedhjet e 23 qershorit janë më të mirat të zhvilluara ndonjëherë. Por megjithatë sipas saj ka hapësira për përmirësime duke përmendur edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që vijon të mbetet i paplotësuar. Në një intervistë për DW, ambasadorja gjermane theksoi se është i nevojshëm një KQZ e qëndrueshme dhe jo politike. “Megjithëse zgjedhjet më të mira, por sigurisht që ka hapësira për përmirësime. Ja p.sh, deri më sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i pakompletuar dhe punon vetëm me anëtarët e mazhorancës. Ky është një nga kufizimet e procesit zgjedhor. Mendoj se në të ardhmen një institucion i qëndrueshëm, jo politik, tërësisht profesional është i nevojshëm. Dita e votimit në pjesën më të madhe ishte e qetë, përjashto raste të veçuara të përdorimit për fat të keq të dhunës. Rasti më i rëndë u shënua në qytetin e Laçit. Për ne ushtrimi i dhunës nga kushdoqoftë është tërësisht i patolerueshëm. Procesi i numërimit të fletëve të votimit dukshëm është më i shkurtër në kohë se herët e mëparshme. Por në disa qendra të numërimit ka pasur vonesa dhe zvarritje dhe këtu mendoj se ka shume vend për përmirësime të performancës në të ardhmen. Që procesi të jetë edhe më i shpejtë, që të angazhohen dhe përcaktohen njerëz brenda afateve ligjore nga ana e partive dhe jo të ketë emërime dhe ndryshime të anëtarëve të komisioneve të numërimit në fazën kur puna është në vijim. Kjo i jep mundësi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që ta artikulojë më herët rezultatin final të zgjedhjeve dhe do të shmangë mundësitë për rritjen e tensioneve” ka theksuar ambasadorja. Duke pasur parasysh dhe raportin paraprak të ekipit të vëzhguesve ndërkombëtarë, ambasadorja gjermane përmendi edhe ndryshimet që duhet të bëhen në favor të përmirësimit të procesit zgjedhor në të ardhmen. “Mendoj se në përgjithësi personeli që angazhohet me zgjedhjet, duke nisur nga anëtarësia e KQZ-së, e komisionerëve të numërimit të fletëve të votimit, apo me administratorë të tjerë – këta duhet të jenë njerëz shumë të kualifikuar. Kjo është çështje e trajnimit të tyre, por dhe e përgjegjësisë së atyre që emërohen. Menaxhimi i zgjedhjeve të bëhet me ekipe të depolitizuara. Po ju marr rastin e Gjermanisë. Kemi zgjedhje parlamentare në shtator të këtij viti dhe si çdo herë ato do organizohen nga Zyra e Statistikave. Unë si shumë të tjerë në vendin tim nuk njoh asnjë prej tyre, as dhe si portret. Sepse është një proces me tipare profesionale dhe teknike. Nuk ka mbledhje të tensionuara apo kriza, ndaj dhe nuk njoh askënd prej tyre shtoi ajo. E pyetur nëse me zgjedhjet e 23 qershorit Shqipëria ka përmbushur kushtin politik për marrjen e statusit të vendit kandidat, ambasadorja gjermane theksoi se ky është një test i kaluar. “Zgjedhjet janë një arritje e madhe. Do të shikohet dhe mënyra e procedimit dhe aktivitetit në jetën parlamentare, ndërkohë që janë dhe dy çështje varur për të cilat ka pasur dakordësi në mbledhjen e Këshillit dhjetorin e vitit të kaluar. Këto dy çështje janë lufta kundër korrupsionit dhe lufta kundër krimit të organizuar. Dua të them se në këto dy aspekte ka ende shumë për të bërë”- tha ajo.
Bumçi, Holtkemper: Shqipëria dhe Gjermania, marrëdhënie të shkëlqyera/Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, z. Aldo Bumçi priti dje për një takim lamtumire Ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, znj. Carola Müller-Holtkemper, në përfundim të misionit të saj në vendin tonë. Ambasadorja gjermane i përcolli Ministrit Bumçi vlerësimet e saj për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit konkret mes dy vendeve tona. Ambasadorja Holtkemper falënderoi dhe i shprehu mirënjohjen e saj ministrit Bumçi për bashkëpunimin e hapur me qeverinë shqiptare. Nga ana e tij, Ministri Bumçi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe mbështetjen e Gjermanisë në kuadrin dypalësh dhe më gjerë, përmes realizimit të vizitave të nivelit të lartë, me besimin e plotë që kjo mbështetje do të vijojë edhe në të ardhmen.