E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vatikani nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit me Sekretarin e Përgjithshëm të Lidhjes Arabe

Dje pasdite, Benedikti XVI priti Sekretarin e Përgjithshëm të Lidhjes Arabe, Amr Musa. Në takimin e përzemërt u diskutua mbi gjendjen në rajonin e Lindjes së Mesme e mbi argumente të tjera me interes dypalësh. Dje paradite, në Pallatin Apostolik në Vatikan, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Sekretarisë së Shtetit dhe Lidhjes së Shteteve Arabe. Për Selinë e Shenjtë, nënshkroi Sekretari për Marrëdhëniet me shtete, imzot Dominik Mambertì, ndërsa për Lidhjen Arabe, Sekretari i saj i përgjithshëm, Amr Musa. Kjo marrëveshje e re konsolidon më tej bashkëpunimin ndërmjet Vatikanit dhe Lidhjes, sidomos në nivelin politik e kulturor, në favor të paqes, të sigurisë e qëndrueshmërisë rajonale e ndërkombëtare. Gjithashtu, Memorandumi propozon mjete konsultimi ndërmjet palëve, duke treguar vëmendje të veçantë për iniciativat e dialogut ndërfetar. Të dëgjojmë nuncin apostolik në Egjipt, kryeipeshkvin Majkëll Ficxherald, i cili është edhe legat i Selisë së Shenjtë në Organizatën e Lidhjes së Shteteve Arabe:
Ky Memorandum Mirëkuptimi sigurisht që konsolidon marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Lidhjes Arabe. Ai përcakton dy fusha bashkëpunimi: kërkimin e paqes - veçanërisht kjo i intereson Selisë së Shenjtë, por edhe Lidhjes Arabe, e cila ka bërë shumë për të ndërmjetësuar, sidomos gjatë luftës në Irak - e pastaj, fusha e dytë, bashkëpunimi kulturor, dialogu i kulturave, dialogu i qytetërimit e edhe dialogu ndërfetar, që mund të realizohet me Lidhjen Arabe, e cila ka një departament për kulturën. Me Memorandumin e Mirëkuptimit duhet të shohim se ç’mund të bëjmë e ç’kontribut mund të japim sëbashku.
Frikë për të krishterët në Pakistan/Në Pakistan, frikë për të krishterët pas sulmit të personave të armatosur pranë Karaçit. Gjashtë vetë u plagosën, ndër të cilët një fëmijë 11 vjeçar, në sulmin kundër një qyteti, ku strehohen rreth 700 familje të krishtera, 300 prej të cilave katolike. Dyshohet se personat e armatosur kanë qenë talebanë. Njerëzit e terrorizuar janë mbyllur nëpër shtëpitë, në muret e të cilave talebanët kanë shkruar parrulla për kthimin e të krishterëve në myslimanë.
Bota kujton genocidin e armenëve/Dje bota kujtoi flijimin e një milion e gjysëm armenëve, të vrarë në vitin 1915 nga qeveria e Xhonturqve. Armenët e kremtojnë gjithnjë këtë përvjetor me Meshë e lutje. Akoma sot, Turqia nuk e ka pranuar, atë që bota perëndimore e quan me të drejtë genocidi i armenëve. Nismat përkujtimore do të vazhdojnë deri më 6 maj.
16 vjetori i vizitës së Papës Gjon Pali II në Shqipëri/Më 25 prill, bie 16 vjetori i vizitës së parë të një Pape të Romës në Shqipëri. Më 25 prill 1993 Ati i Shenjtë Gjon Pali II shkelte në tokën shqiptare duke puthur truallin e atij vendi, që i kishte dhënë Kishës Universale kaq martirë për Krishtin, pas një dimri të gjatë e të ashpër kaluar nën regjimin komunist. “Shqipëri qëndro në lartësinë e detyrave që të presin” – pat thënë Papa atëherë duke u drejtuar të pranishmëve në Tiranë dhe theksoi – “të mos harrohet e kaluara, por të shikohet e të ndërtohet me guxim e ardhmja”. Vizita e Papës së paharruar Vojtila, që tani prehet në Bazilikën e shën Pjetrit në Vatikan, i dha Shqipërisë hierarkinë e parë katolike pas komunizmit e të gjithë qytetarëve u tregoi udhën e demokracisë. Vizita përkujtohet si në Shkodër, ashtu edhe në Tiranë, dy qytetet që patin fatin të takonin e brohorasin për Papën Gjon Palin II.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›