OBSH thërret një mbledhje urgjente pas shfaqjes së virusit vdekjeprurës të gripit të derrave

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) do të mblidhet sot pasdite në një mbledhje urgjente për të diskutuar lidhur me situatën e krijuar pas rasteve fatale të infektuara me virusin vdekjeprurës të gripit të derrave në Meksikë dhe vende të tjera gjatë ditëve të fundit. "Drejtoresha e Përgjithshme e OBSH-së, Margareth Chan do të mbledhë komitetin e emergjencave me ekspertë të pavarur. Konferenca urgjente do të zhvillohet virtualisht, pasi ekspertët aktualisht ndodhen në vende të ndryshme të botës", deklaroi zëdhënësi i drejtoreshës Aphaluck Bhatiasevi. Të paktën 68 persona kanë humbur jetën në Meksikë dhe të paktën tetë të tjerë janë infektuar nga një virus i panjohur më parë i gripit të derrave, që është një kombinim i pazakontë i viruseve të gripit të kafshëve, shpendëve dhe njeriut.
Meksikë 68 të vdekur nga gripi derrave
68 vetë kanë vdekur në Meksikë nga një virus i rrallë gripi derrash. Virusi mund të dallohej qartë në 20 raste. Sipas të dhënave të autoriteteve më shumë se 1.000 vetë janë prekur nga sëmundja. Qeveria u mblodh në një takim krize. Edhe në shtetet fqinjë të SHBA-së, në Teksas dhe në Kaliforni janë infektuar tetë vetë, bënë të ditur autoritetet. Organizata Botërore e Shëndetësisë shprehu shqetësimin se mund të shkaktohet ndonjë pandemi dhe krijoi shtabin e krizës. Sipas të dhënave të zëdhënësit, kemi të bëjmë me një virus që shfaq tipare të derrit, zogjve por edhe të njerëzve. “Duket se kemi të bëjmë me një virus të ri, i cili infekton edhe njerëzit, ” tha zëdhënësi i OBSH-së, Thomas Abraham.
...