E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse Serbia nuk pranon çdo vendim të GJND?

Vuk Jeremiq ka thënë se Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën, madje edhe nëse GJND vendos ndryshe. Ekspertët në Beograd e quajnë imoral qëndrimin e tillë dhe e krahasojnë me qëndrimin e Adolf Hitlerit. Procesi para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë praktikisht filloi me deponimin e parashtresave të anëtarëve të Kombeve të Bashkuara. Çështjen e obligimit të Serbisë e aktualizoi ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiq, kur u pyet se a do ta njohë Serbia Kosovën nëse Gjykata vendos se Kosova nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. "Jo, kurrë dhe në asnjë rast", u përgjigj Jeremiq. Shtrohet pyetja - si të kuptohet ky qëndrim? Në tetorin e kaluar, para Asamblesë së Përgjigthshme të OKB-së, shefi i diplomacisë serbe kështu e arsyetoi iniciativën e Serbisë. "Përgjigjja që duhet të merret në formë të mendimit këshilldhënës, do të bazohet në të drejtën ndërkombëtare. Kam besim se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të dijë çfarë të bëjë dhe do t’i marrë parasysh mendimet e të gjitha vendeve të interesuara dhe të organizatave ndërkombëtare", tha Jeremiq.
Më pas, kur shumica e vendeve votuan për nismën serbe, Jeremiq këtë e shpalli si fitore të madhe të Serbisë. "Rezultati i sotëm, votimi i sotëm, është fitore jo vetëm e Serbisë, por edhe e së drejtës ndërkombëtare dhe e drejtësisë në marrëdhëniet ndërkombëtare", tha ai. Ata që ishin kundër nismës, pohuan se kjo nuk do ta zgjidhë kontestin, sepse Serbia vetëm dëshiron ta ndalë procesin e njohjeve të Kosovës. Dhe, me të vërtetë, Serbia reagoi në mënyrë drastike kur pas vendimit të OKB-së, vendet fqinje, Maqedonia dhe Mali i Zi, e njohën Kosovën.
Prandaj, shtrohet pyetja se çfarë don të thotë deklarata më e fundit e shefit të diplomacisë, Jeremiq, se Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën, pavarësist nga mendimi i Gjykatës? Analisti dr. Vatroslav Vekariq është anëtar i Forumit për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe i Këshillit të Politikës së Jashtme pranë Ministrisë së Jashtme në Beograd. "Nëse ai që e ka ngritur çështjen dhe ka kërkuar mendim, ndërsa mendimin do ta pranojë vetëm po t'i përgjigjet, atëherë kjo nuk lë përshtypjen e një sjelljeje kredibile. Mendoj se ky është obligim i propozuesit, në rastin konkret i vendit tonë, që mendimin e Gjykatës ta pranojë të atillë siç do të jetë", thotë Vekariq.
Avokati Srgja Popoviq gjithashtu mendon se deklarata e Jeremiqit është shumë më tepër sesa një deklaratë problematike. "E para, ky është një qëndrim krejtësisht i pamoralshëm. E dyta, ai tregon se jeni të gatshëm ta keqpërdorni edhe institucionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë dhe se për ju është e drejtë vetëm ajo që është e mirë për ju. Kjo është një porosi tipike nacionaliste, të cilën i pari e ka formuluar Adolf Hitleri, në deklaratën e njohur të tij se drejtësia është ajo që është e mirë për popullin gjerman", deklaron Popoviq. Sidoqoftë, analistët në Beograd janë të mendimit se vendimi i Gjykatës nuk do të jetë i prerë, në kuptimin që Kosova ka të drejtë apo Serbia ka të drejtë. Ata mendojnë se vendimi do të jetë i përzier dhe do të marrë parasysh edhe mendimin e palës tjetër.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›