E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opsione nga Beogradi

Analistët politikë në Beograd thonë se modeli i Irlandës së Veriut dhe i Tirolit Jugor mund të shërbejnë për normalizimin e raporteve Kosovë –Serbi. Një ide të tillë, kohë më parë, e kishte propozuar vetë kreu i shtetit serb. Analisti Ivan Vejvoda thotë se duke kombinuar modele të ndryshme, mund të rregullojnë marrëdhëniet pa hequr dorë nga qëndrimet parimore.

Idetë që i kanë lansuar udhëheqësit në Beograd rreth raporteve të Serbisë me Kosovën, po shihen si zgjidhje edhe nga analistët politikë atje.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadic para disa ditësh ka përmendur Irlandën e Veriut, si një model për rregullimin e raporteve mes dy palëve.

Natyrisht, propozime të tilla janë hedhur poshtë nga autoritetet e Kosovës, me arsyetimin se vendi tashmë është i pavarur dhe i njohur nga shumë shtete të botës.

Nënkryetari i Fondit Gjerman, Ivan Vejvoda ka thënë se ekziston një hapësirë, ku Prishtina dhe Beogradi mund të arrijnë kompromis pa hequr dorë nga parimet e veta duke zgjidhur çështjen e Kosovës përmes shembujve nga praktika europiane.

Vejvoda me këtë rast ka përmendur Irlandën e Veriut dhe Tirolin Jugor.

Vejvoda ka thënë për mediat e Beogradit se “duhet të përdoren edhe zgjidhje që janë përdorur në raste të tilla dhe besoj se me kombinimin e zgjidhjeve të ndryshme që mund të gjenden në shembujt evropianë, edhe këtu mund të krijohet një pako që do t’i përgjigjet edhe njërës, edhe palës tjetër”, ka thënë Vejvoda.

Ai ka vlerësuar se dy palët mund t’i mbajnë qëndrimet e tyre parimore, pra Serbia mos ta njohë Kosovën dhe Prishtina ta konsiderojë veten të pavarur.

Por, sipas tij, në hapësirën e ndërmjetme mund të bëhet shumë duke mos paragjykuar qëndrimet parimore dhe në këtë mënyrë të normalizohet jeta e njerëzve.

Sipas tij, nëpërmjet një kompromisi të ngjashëm, mund të zgjidhet çështja e përfaqësimit të Kosovës në takimet rajonale, që sipas tij, është mjaft afër zgjidhjes.

Vejvoda nuk ka komentuar nëse mospërmendja e Rezolutës 1244 është sikurse edhe rreth çështjes së njohjes, por ka thënë se për një gjë të tillë Prishtina dhe Beogradi mund të gjejnë zgjidhje pa hequr dorë nga qëndrimet e tyre.

Vejvoda ka thënë se tashmë edhe BE’ja është koshiente që nuk ka qenë mirë që Serbia nuk e ka marrë kandidaturën për anëtarësim në BE, por sipas tij, një gjë e tillë është e mundur në muajin mars.

Sido që të jetë, sipas analistit serb, data për fillimin e bisedimeve mes palëve duhet pritur ende.

E, Sekretari Shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanovic ka vlerësuar se çështja e Veriut do të zgjidhet pas zgjedhjeve në Serbi, pasi që sipas tij, kur të merret vendimi, është shumë e rëndësishme që të ketë një Qeveri stabile.

Sido që të jetë, Ivanovic thotë se institucionet serbe në Kosovë nuk do të shuhen.

“Është fakt që buxheti i ministrive është rritur në raport me të kaluarin. Ky është tregues se bien në ujë tregimet për shuarjen e institucioneve serbe”, ka thënë Ivanovic.

Sipas tij, shpenzimet pritet të racionalizohen dhe të zvogëlohen para së gjithash për t’i ndihmuar ata që do të kthehen në Kosovë.

“Duke pasur parasysh që ka pasur shumë incidente pas një kohe të gjatë, mendoj se ky vit do të duhej të ishte më i mirë. Do të vazhdohet me zgjidhjen e problemeve, por është me rëndësi që të jemi trima të vendosur, edhe para së gjithash, të mençur“, ka thënë ai.

Ivanovic po ashtu ka deklaruar se ka besuar se çështja e Veriut do të fillojë të zgjidhet më vonë e jo gjatë vitit 2011.

Ndryshe, përfaqësuesit e serbëve të Zveçanit dhe të Mitrovicës tashmë kanë marrë vendim që të mbajnë referendum më 14 dhe 15 shkurt të këtij viti për t’u deklaruar “për” apo “kundër” institucioneve të Kosovës.

Zyrtarë kosovarë e kanë quajtur këtë si një përpëlitje kundërligjore, derisa zyrtarët serbë kanë deklaruar se kjo iniciativë mund t’u kthehet serbëve të Veriut si bumerang.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›