E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdojnë grevën

Nga Express më 29 maj 2011 në ora 18:43

Të dielën u mbushën shtatë ditë që kur veteranët e ish-UÇK-së vazhdojnë grevën para ndërtesës së Qeverisë në shenjë pakënaqësie për statusin e pazgjidhur të tyre. Anëtarët e Këshillit për mbrojtjen e të drejtave të ish-luftëtarëve të UÇK-së, të cilët e kanë organizuar këtë grevë, thonë se janë të vendosur që të mos e ndërpresin grevën derisa të plotësohen kërkesat e tyre. Këshilli grevist njoftoi se nga e shtuna nuk do të komunikojë më as me zyrtarë të institucioneve, e as me media.

Rreth 50 veteranë të UÇK-së, në ditën e gjashtë të grevës para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, përsëritën edhe një herë qëndrimin e tyre se janë të vendosur ta vazhdojnë grevën derisa të realizohen kërkesat e tyre. Kërkesa kryesore e grevistëve është që institucionet e Kosovës të miratojnë dhe zbatojnë sa më parë Ligjin për vlerat e luftës. Pos kërkesës që urgjentisht të miratohet dhe zbatohet Ligji për vlerat e luftës, ata i parashtruan edhe kërkesa të tjera, si: UÇK-së dhe luftës së saj t’i bëhet njohja politike duke e bërë si kategori kushtetuese; veteranët e luftës, invalidët dhe familjet e dëshmorëve të kenë trajtim nga Ministria e Mbrojtjes, e jo nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale; veteranët dhe invalidët e luftës të kenë imunitet dhe të mos kenë ndjekje penale për krime lufte.

Grevistët të premten i vizituan disa nga përfaqësuesit e grupeve parlamentaret të Kuvendit të Kosovës, të cilët kërkuan që të ndërpritet greva. Kjo kërkesë u refuzua nga grevistët, kurse përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës deri më tash nuk janë marrë me këtë çështje.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›