E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gjashtë” sa gjashtë

Dramës “Gjashtë” të dramaturgut Arian Krasniqi, do t’i bëhet lexim skenik në Nottingham Playhouse të Anglisë. Po ashtu, Krasniqi është ftuar të shkruajë një monolog 10 minutash si pjese e projektit Theatre Writting Pasrtnership. Nga Albana S. Muja më 29 maj 2011 në ora 20:30

“Gjashtë” është drama e Arian Krasniqit, e cila më datë 31 të këtij muaji, do të udhëtojë bashkë me autorin e saj, për një lexim skenik, në kuadër të Festivalit Nottingham European Arts & Theatre Festival (NEAT 11) në Nottingham Playhouse të Anglisë.

Përzgjedhja për lexim skenik e dramës “Gjashtë” ka ardhur pas prezantimit të dramaturgut Krasniqi në katalogun “120 dramaturgët më të mirë bashkëkohorë evropianë për vitin 2010”, të selektuar, përmbledhur dhe botuar nga European Theatre Convention. Leximi skenik i dramës “Gjashtë” do të përgatitet nga regjisorja, Susannah Tressilian me pjesëmarrjen e dy aktorëve, po ashtu profesionistë nga Anglia.

Leximi skenik është praktikë e njohur evropiane dhe botërore, që realizohet në prezencën e mysafirëve, dramaturgëve, regjisorëve, menaxherëve të teatrit, kritikëve dhe audiencës artdashëse, në mënyrë që të merren përshtypjet e tyre, vërejtjet, kritikat dhe sugjerimet para se një tekst ta ketë inskenimin e tij të plotë.
Krasniqi shpreson se kjo është një nismë e mirë në karrierën e tij.

“Shpresoj se kjo është një nismë e mirë në karrierën time profesionale që do të më hapë rrugë për zhvillim dhe avancim të mëtutjeshëm”, theksoi Krasniqi.

Ai gjithashtu shpreson që drama të ngjallë interesim nga ana e regjisorëve dhe audiencës.

Festivali anglez “Nottingham European Arts & Theatre Festival” është një festival i ri që objektiv ka rrymat e reja të artit. Në këtë festival defilojnë çdo vit teatrot më të mëdha evropiane. Objektivi i dytë i festivalit kap muzikën, performancat filmike dhe artin vizual për të rritur e fëmijë.

I pyetur nga Express pse pikërisht kjo dramë është duke qarkulluar kaq shumë, Krasniqi tha: “‘Gjashtë’ është e përkthyer në anglisht dhe po qarkullon më shumë dhe me shpesh, por kjo nuk do të thotë se është drama ime më e mirë”, tha ai.

Drama ‘Gjashtë’ është shkruar më 2004 dhe është inskenuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Më 2005 si shfaqje ka marrë pjesë në Festivalin e Teatrove Eksperimentale në Kairo të Egjiptit.

Në dramën ‘Gjashtë’ (2004), e cila është shkruar mbi motivet e kapitullit të fundit të romanit ‘I huaji’ të Albert Camus-së, në qendër të rrëfimit është Ana, një grua rreth të pesëdhjetave, e cila, në pritje të ekzekutimit me varje në litar, meqë kishte vrarë të dashurin e saj, gjashtë orët e fundit të jetës i kalon në një qeli burgu, në të cilën ajo, duke refuzuar të pendohet për krimin e saj, rrëfehet para një prifti. Ana, para shumë vitesh, ka braktisur foshnjën e saj, djalë, në ditën e gjashtë të lindjes së tij. Këtë foshnje ajo e ka lënë në portën e një kishe. Kjo foshnje, tashmë e rritur, është dora vetë prifti.

Në kuadër të pritjes gjashtë mujore, prej ditës kur i është bërë ftesa për lexim skenik, Krasniqi ka marrë një ftesë. Është ftuar qe krahas katër dramaturgëve tjerë të shkruajë një monolog 10 minutësh me temën "Kur ti pëshpërit...unë imagjinoj", si pjesë e projektit Theatre Writting Pasrtnership.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›