Zhgënjen EULEX’i

Lufta e fjalëve që kohëve të fundit po ndodh ndërmjet politikanëve të Kosovës dhe EULEX-it ka ndikuar që qytetarët e Kosovës të humbin besimin te ky mision, u tha në një konferencë të organizuar nga Instituti Ballkanik i Politikave (IPOL), me rastin e publikimit të raportit të punës mbi punën e EULEX-it “Sundimi i Ligjit dhe EULEX”.
Drejtori i IPOL-it, Seb Bytyqi ka thënë se fusha e sundimit të ligjit në Kosovë vazhdon të mbetet pikë e dobët, ndërsa prioritetin e supozuar të Qeverisë për sundimin e ligjit në Kosovë, ai e ka quajtur një retorikë fjalësh.
“Sundimi i ligjit në Kosovë mbetet i dobët dhe fatkeqësisht prioriteti i supozuar nga Qeveria për sundimin e ligjit mbetet më shumë në retorikë, sepse e kemi parë se proporcionalisht buxheti për sundimin e ligjit është zvogëluar për vitin 2011 në krahasim me vitin 2010. Gjithashtu, parashikimet për vitin 2012 dhe 2013 janë që të zvogëlohet ose të mbetet konstant buxheti për sundimin e ligjit”, ka thënë Bytyqi.
Sipas tij, EULEX’i nuk po shënon progres në fushat për të cilat është angazhuar duke premtuar kështu se do t’i zërë “peshqit e mëdhenj”, dhe duke mos e realizuar këtë premtim.
“Pastaj, sa i përket EULEX-it, në çështjet kryesore për të cilat ka pritje edhe më të mëdha siç janë korrupsioni i nivelit të lartë, Veriu i Kosovës, pikat doganore 1 dhe 31 në Veri, fatkeqësisht nuk ka ndonjë progres për t’u raportuar, sepse duhet të theksojmë se EULEX-i është lidhur me disa raste të krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku ka pasur edhe disa gjykime të nivelit të ulët, mirëpo premtimet e dhëna se “peshqit e mëdhenj” do të dalin para drejtësisë, nuk janë realizuar”, ka thënë Bytyqi.
Ndërkaq, lufta e fjalëve, siç e ka quajtur ai, në mes të EULEX-it dhe politikanëve vendorë e ka dëmtuar fushën e sundimit të ligjit, dhe me këtë rast edhe qytetarët e kanë humbur besimin te ky mision.
“Lufta e fjalëve që po ndodh kohëve të fundit mes politikanëve vendorë dhe EULEX-it, po e dëmton fushën e sundimit të ligjit, ngase e tërheq vëmendjen nga çështjet reale dhe gjithashtu duhet të theksojmë se kënaqshmëria e qytetarëve me punën e EULEX-it në këtë vit në krahasim me vitin e kaluar ka rënë sipas sondazheve të UNDP-së. Kjo ndoshta është pasojë e këtyre akuzave që bëhen ndaj EULEX-it”.
Sipas Bytyqit, preferenca e disa politikanëve që rastet e dyshuara për krime t’i marrë përsipër EULEX-i, tregon se nuk ka besim ndaj sistemit vendor të drejtësisë.
IPOL-i ka rekomanduar Qeverinë e Kosovës që të shfrytëzojë më mirë Bordin e Sundimit të Ligjit duke shërbyer si forum, ku krijohet një listë e caqeve që duhet të arrihen brenda një viti, si dhe të harmonizohen strategjitë mes EULEX-it dhe ministrive që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.