Vazhdojnë me Vokrrin
_261322.jpg)
Fadil Vokrri do të vazhdojë ta udhëheqë futbollin kosovar deri në muajin shkurt të vitit 2016.
Kështu kanë vendosur të enjten delegatët e Kuvendit Zgjedhor të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), të cilët me 54 vota pro - pa asnjë kundërshtim apo abstenim – ia besuan edhe një mandat tjetër katërvjeçar në krye të FFK-së Fadil Vokrrit, i cili nuk kishte fare kundërkandidat. Kjo bëri që edhe procesi i zhvillimit të këtij kuvendi zgjedhor të përfundonte shpejt dhe në qetësi të plotë, ndoshta si asnjëherë më parë.
I rizgjedhuri në krye të shtëpisë së futbollit kosovar u tha delegatëve se do të punojë shumë që ta arsyetojë besimin që ia dhanë ata. Sipas Vokrrit, anëtarësimi i FFK-së në FIFA e UEFA do të jetë prioriteti kryesor në mandatin e tij të ri, gjë që ai shpreson ta bëjë brenda këtij viti.
“Ndërkombëtarizimi do të jetë prioriteti kryesor i imi, sepse kjo do të reflektonte me ngritje të cilësisë dhe masivizimit e profesionalizimit të plotë të futbollit kosovar. Tashmë janë vënë bazat për ta realizuar këtë dhe shpresoj të arrihet shpejt. Jam optimist, por nuk mund të flas për data sepse nuk varet vetëm nga ne, por nga shumë faktorë. Sikur të varej vetëm nga ne, nesër do të anëtarësoheshim në FIFA e UEFA”, ka deklaruar Vokrri.
Ai premtoi se do të punojë shumë edhe brenda kufijve të Kosovës. “Prioritet tjetër i rëndësishëm do të jetë zgjerimi i administratës së FFK-së dhe profesionalizimi i plotë i saj, e cila do të reflektojë me profesionalizim dhe zhvillim të mëtutjeshëm të futbollit kosovar”, theksoi Vokrri i cili mandatin e parë në krye të FFK-së e pati nisur në shkurt të vitit 2008.
Sipas tij, anash nuk do të lihet bashkëpunimi i ngushtë me gjitha klubet kosovare, derisa potencoi se vëmendje më e madhe do t’i kushtohet futbollit femëror. Ai tha se do të punohet shumë për përmirësimin e gjendjes së infrastrukturës sportive në vend, derisa premtoi se udhëheqësia e FFK-së do të jetë shumë transparente me opinionin, duke bashkëpunuar ngushtë me mediet.
Por, nuk ishte vetëm Vokrri, të cilit iu besua edhe një mandat tjetër katërvjeçar. Në këtë kuvend zgjedhor mandatet edhe për katër vite tjera iu zgjatën anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së: Agim Ademit, Xhelal Brojës, Bakir Burrit, Murat Hoxhës, Ilaz Mjakut, Luan Vokshit e Vjollca Krasniqit. Po ashtu, në këtë organ Vokrri e ka futur edhe Bekim Haxhiun, derisa në ditët në vijmë do t’i zgjedhë edhe dy individë tjerë.
Munguan delegatët e FC Prishtinës
Në këtë kuvend zgjedhor të FFK-së qe dashtë të merrnin pjesë 59 delegatë, por pesë nga ta munguan. Në mesin e tyre ishin edhe dy delegatët e FC Prishtinës, klub ky që njihet si zë i fuqishëm opozitar i FFK-së tash e katër vite. Në fakt, bardhekaltrit më herët e kishin paralajmëruar pjesëmarrjen në Kuvendin Zgjedhor, por në fund munguan.
Vërejtja e Lirisë
Delegatët e Lirisë pa hezitim e votuan Fadil Vokrrin edhe për një mandat tjetër katërvjeçar në krye të FFK-së. Por, ata nuk ishin të kënaqur me statutin e FFK-së, e cila përcakton mënyrën e nominimit të kandidatëve për këtë post.
“Propozoj që në Kuvendin e Punës kjo të plotësohet. Do të ishte më demokratike që të ketë më shumë kandidatë. Propozoj që një njeri të nominohet me maksimum 20 nënshkrime, që t’u jepet mundësia edhe të tjerëve e jo me minimum prej 15 nënshkrimeve”, tha drejtori i prizrenasve, Hatmi Gashi.