Durmisi, e ardhmja e Danimarkës
Nuk janë më vetëm Zvicra, Finlanda, Suedia e Norvegjia vendet ku po zhvillohen talentet nga vendi ynë. Edhe në Danimarkë kanë filluar të mbijnë talentet me prejardhje shqiptare.
Ueb faqja daneze www.indkast.dk ka përpiluar një listë prej shatë futbollistëve të gjeneratës 1994 si e ardhja e futbollit danez. Në mesin e tyre është edhe mbrojtësi me prejardhje nga Tetova, Riza Durmisi, i cili është pjesë e klubit danez Brondby.
Kjo ueb faqe shkruan se ekipi kombëtar i Danimarkës duket se i ka gjetur yjet e së ardhës pas Eriksenit, Bendtnerit e Boilesenit. Sipas saj, në dekadën e fundit është bërë punë e madhe nga trajnerët e grupmoshave të reja dhe tashmë kanë dalë edhe frytet.
“Riza Durmisi është definicion i një mbrojtësi modern. Ai është jashtëzakonisht i shpejtë. Luan në krahun e majtë dhe është shumë i mirë në sulm dhe mbrojtje”, shkruan indkast.dk për tetovarin e talentuar.
Përveç Durmisit, në mesin e futbollistëve të lindur në vitin 1994 dhe që llogariten si e ardhmja e Danimarkës janë: Patrick Olsen, Kasper Larsen, Pierre-Emile Højbjerg, Lucas Andersen, Kenneth Zohore, Viktor Fischer
Verën e vitit të kaluar, Durmisi ka luajtur në Kampionatin Botëror U-17, i cili u mbajt në Meksikë. Ai e ka përfaqësuar Danimarkën në Grupin F, pjesë e të cilit grup ishin Brazili, Bregu i Fildishtë dhe Australia.
Ai më herët ka luajtur edhe me ekipin U-16 të Danimarkës, kurse në këtë vit paralajmëron se do të ftohet edhe nga përfaqësuesja U-18 dhe U-19 e këtij vendi.
Por, 18 vjeçari synon edhe më shumë. “Unë jam ende i ri, por shpresoj që pas dy apo tri vjetësh do të luaj edhe me Kombëtaren A të Danimarkës”, u shpreh shpresa e Brondbyt për Express.
Durmisi karrierën e ka filluar te klubi danez SB50 ISHOJ, ku ka qëndruar tri vjet me radhë. Më pas është transferuar te skuadra e Brondbyt, ku luan edhe sot me ekipin U19.
18 vjeçari nga trajnerët krahasohet me yllin e Barcelonës, Dani Alves dhe atë Real Madridit, Marcelo.
“Në Brondby jam që nëntë vjet, ndërsa kontratë kam edhe dy vjet të tjera. Pas një viti besoj se do të luaj me ekipin e parë. Trajnerët më thonë se unë luaj si Alves dhe Marcelo, pasi luaj në të dy krahët”, theksoi Durmisi.
Ai thotë se në adresë të tij tashmë kanë arritur oferta nga klube të ndryshme evropiane. Mbrojtësi i talentuar, pas futbollit danez, preferon të luajë në Gjermani ose Spanjë.