E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdojnë protestat antiamerikane

Forcat e sigurimit bllokuan të premten rrugën përreth Ambasadës së SHBA në Sanaa. Në Egjipt, demonstruesve të dhunshëm policia ua bllokoi rrugën drejt ambasadës amerikane në Kairo. Njëkohësisht, protesta kundër filmit që ofendon profetin Muhamed pati edhe në Indonezi, Bangladesh dhe Malajzi.

Vetëm një ditë pasi që në kompleksin e ambasadës amerikane në Sanaa hynë qindra demonstrues, të cilët po protestonin kundër filmit “Çiltërsia Myslimane” , të premten në mënngjes atje u mblodhën disa dhjetëra njerëz, të cilët në duar bartnin transparente me mbishkrime “I dërguari i Zotit është një”, i th agjencisë Reuters një dëshmitar i ngjarjes.

Në Egjipt ndërkaq demonstruesit – të cilët tash katër ditë po protestojnë për shkak t filmit që e konsiderojnë ofendues ndaj islamit – të premten hodhën gurë drejt policisë, e cila u detyrua të intervenojë me gaz lotsjellës, derisa mundohej t’ua bllokonte rrugën që shpien drejt ambasadës amerikane në Kairo. Sipas agjencisë AFP, me këtë rast janë lënduar më shumë se 200 demonstrues.

Gjatë protestave për shkak të filmit që ofendon islamin, demonstruesit në kryeqytetin e Bangladeshit, Daka, për cak kishin hyrjen brenda Ambasadës së SHBA’ve. Afro 10,000 demonstrues, sa u mblodhën në Daka, dogjën flamuj amerikanë dhe izraelitë.

Demonstratat në Daka filluan pas faljes së xhumasë, kur njerëzit e tubuar para xhamisë më të madhe në vend filluan të brohorisnin se nuk do të tolerojnë ofendimin e profetit të tyre më të madh. Disa qindra policë specialë, të pajisur me topa uji, ishin pozicionuar para xhamisë, me qëllim të pamundësimit që masa të lëvizte drejt Ambasadës së SHBA’ve, e cila ndodhet pak kilometra më larg. Gjithashtu, policia e Bangladeshit njoftoi se kishte përforcuar edhe sigurimin përkthe ambasadës amerikane.

Kryeimami i xhamisë Maolana, Mohamad Salahudin, ndërkaq, gjatë faljes së xhumasë kritikoi filmin amerikan, dhe nënvizoi se realizuesit e filmit duhet të dënohen, edhe pse ai, rreth 20,000 besimtarëve që ndodheshin në xhami, u bëri thirrje që gjatë demonstratave të mos e kalojnë “vijën e kuqe” , dhe të mos lëndojnë njerëz të pafajshëm e as të dëmtojnë objekte dhe të mira të tjera materiale.

Protesta pati edhe në Xhakarta, të Indonezisë me 240 milionë banorë, që është shteti me popullatën më të madhe myslimane në botë. Afro 500 islamistë radikalë protestuan kundër filmit “Çiltërsia Myslimane”.

"Ky film ofendon profetin tonë, andaj e dënojmë fuqishëm. Ai për ne paraqet shpalljen e luftës”, theksoi zëdhënësi i lëvizjes islamiste, Hizbuth Tahiri, i cili ishte organizator i protestave. Po ashtu, para protestuesve të tubuar afrë Ambasadës së SHBA’ve në Xhakarta, ai i bëri thirrje autoriteteve amerikane që “të ndërpresin këtë barbari”, dhe pohoi se ofendimi i profetit nënkupton dënimin me vdekje.

Ndryshe, autoritetet indoneziane i frikësoheshin dhunës së ngjashme me atë që ditë më parë shpërtheu në Libi, andaj përkthe ambasadës amerikane në Xhakartë kishin pozicionuar me kohë 300-400 policë indonezianë.

Gjithashtu, Qeveria e Indonezisë kërkoi zyrtarisht bllokimin e shfaqjes së filmit, ose të pjesëve të tij në internet.

Protesta të ngjashme pati edhe në shtetin e Malajzisë, një shtet ky ku popullata shumicë gjithashtu i përket besimit mysliman. Disa qindra banorë të Kuala Lumpurit shëtitën deri tek Ambasada e SHBA’ve, ku e dorëzuan një letër proteste, përmes të cilës kërkohet që realizuesi i filmit të dalë para gjyqit, për shkak të “krimeve kundër njerëzimit”.

Arrestohen katër të dyshimtë në Libi

Në ndërkohë, agjencia e lajmeve AP – e cila po citonte një zyrtar të lartë libian - njoftoi të premten se në Libi janë arrestuar katër persona të dyshuar për sulmin ndaj konsullatës amerikane në Benghazi, si pasojë e të cilit u vra ambasadori amerikan, Christopher Stevens.

Zëvendësministri i Brendshëm i Libisë, Wanis al-Sharef, deklaroi se kundër konsullatës në Beghazi janë kryer dy sulme; njëri kishte për cak vetë ndërtesën e konsullatës, ndërkaq tjetri shtëpinë e sigurt, në të cilën ishte tërhequr personali i konsullatës. Sipas tij, është shumë e mundur që në mesin e forcave libiane të sigurimit janë infiltruar individë të caktuar, të cilët sulmuesve ua kanë treguar lokacionin e kësaj shtëpie të sigurt.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›