E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdojnë rokadat

Edhe në këtë edicion, trajnerët nuk po gjejnë aspak rehati nëpër klube të Superligës. Tani kur ka përfunduar vetëm cikli i parë garues, rrafsh gjysma e skuadrave të elitës kanë bërë ndryshime në shtabet e tyre teknike. Por, deri në fund të kampionatit ky fenomen pritet të shënoj rritje shumë më të madhe. Andaj, Shoqata e Trajnerëve u bën thirrje anëtarëve të vet që t’i hapin sytë dhe mos të bëjnë marrëveshje gojore me klube, por me kontrata, nëse duan që sadopak të mbrohen.

Klubet e Superligës së Kosovës në futboll edhe në këtë edicion, sikurse në kampionatet e kaluara, po vazhdojnë të mos u ofrojnë aspak siguri trajnerëve. Këta të fundit në asnjë mënyrë nuk po gjejnë rehati nëpër klube, të cilave tashmë u është bërë si ‘sëmundje’ ndërrimi tepër i shpeshtë i trajnerëve.

Tani kur ka përfunduar vetëm cikli i parë i garave të këtij edicioni, respektivisht njëmbëdhjetë xhirot e para të kampionatit, ndërrimi i trajnerëve nga ana e klubeve ka shënuar shifër shqetësuese.

Prej dymbëdhjetë skuadrave të Superligës, vetëm gjashtë nga to vazhdojnë të udhëhiqen nga trajnerët me të cilët edhe e kishin nis edicionin. Kurse gjysma e klubeve tjera elitare tashmë kanë bërë rokada nëpër shtabet e tyre teknike.

Rafet Prekazi nuk pati aventurë të gjatë te Trepça ’89, sikurse Musa Selimi te Ferronikeli, Besnik Kollari te Llamkos Kosova, Shefqet Kurti te Trepça, Ejup Mehmeti – Kapiti te Prishtina dhe Skënder Shengyli te Vëllaznimi.

Disa nga ta u shkarkuan, e disa të tjerë dhanë dorëheqje nga postet e tyre, ngase krerët e klubeve ua kishin pru punën ta bënin një gjë të tillë.

Por, fat i njëjtë sikurse këta të lartpërmendur duket se po i pret edhe trajnerë tjerë të klubeve të Superligës. Pra, deri në fund të këtij kampionati ndërrimi i trajnerëve nga ana e klubeve pritet të shënojë rritje. Kështu mendon edhe strategu i njohur Rafet Prekazi, duke u bazuar në faktin se e njeh mirë mentalitetin e njerëzve që i udhëheqin klubet kosovare.

“Kjo tashmë klubeve u është bërë si sëmundje. E kjo do të vazhdojë përderisa klubet nuk udhëhiqen nga borde të përbërë prej njerëzve profesionistë, të cilët dinë ta vlerësojnë drejt punën e një trajneri”, thotë Prekazi.

Edhe kryetari i Shoqatës së Trajnerëve, Ajet Shosholli, është i bindur se fenomeni i ndërrimit të trajnerëve nga ana e klubeve do ta përcjellë deri në fund këtë kampionat. “Kjo për shkak se ende nuk ekziston ndonjë instrument për ta parandaluar këtë fenomen”, thotë ai.

Shosholli thekson se edhe vetë trajnerët në njëfarë mënyre po e ‘lypin’ të shkarkohen. “Ata duhet t’i ndërpresin marrëveshjet gojore me klube. Ne u kemi sugjeruar atyre të nënshkruajnë kontrata me klube dhe ato t’i verifikojnë në Federatë, me qëllim që ne të kemi bazë për të iniciuar mbrojtje për ta. Por, fatkeqësisht ata po i preferojnë marrëveshjet gojore dhe kjo na pamundëson neve të ndërhyjmë”, theksoi Shosholli.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›