Vazhdon ‘Lidhja...’ e Teutës

Aktorja Teuta Krasniqi do të vazhdojë rrugëtimin e emisionit të saj “Lidhja mes nesh”, pjesa humanitare e të cilit kësaj radhe do të financohet nga UNICEF.
Në një bisedë për Express, Teuta ka thënë se do ta vazhdojë edhe me një edicion të ri, që do të jetë më ndryshe së ai i pari.
“Jam në përgatitje të emisionit ‘Lidhja mes nesh’, ndërkaq pritet që përpos anës humanitare – që kësaj radhe do të financohet nga UNICEF - të ketë edhe rubrika të tjera”, tha ajo.
Sipas aktores, edicioni i ri pritet që të transmetohet shpejt në RTK, mirëpo, për shkak të transmetimit të disa serialeve të reja, po kërkohet termini i duhur për transmetim.
“Po bisedoj me ta për një orar më të përshtatshëm të transmetimit”, thotë ajo.
Teuta ka folur edhe për anëtaren më të re në familjen e tyre, vajzën e vogël Tara.
“Është një vajzë për mashallah dhe unë bashkë me Bleron po kënaqemi më të, aq më shumë kur tani ajo është më e rritur dhe shqipton fjalët e para”.
Në prillin e vitit të kaluar, Teuta kishte lindur vajzën që e pagëzoi me emrin Tara, përderisa ishte martuar disa muaj më vonë me këngëtarin Blero, më të cilin ishte në lidhje.
Teuta, po ashtu, ka thënë se do të vazhdojë prapë të luajë në serialin “Kafeneja jonë”.
Ajo ka folur edhe për emërimin e vëllait të saj në postin e ministrit të Kulturës, Memli Krasniqit.
“Dua të përpiqem të jem objektive, sepse Memlin e kam vëlla, por kur flas në aspektin artistik, mendoj se Memli është një person që punon në mënyrë të pastër dhe e njeh shumë mirë këtë sferë. Mendoj se kultura me të do të jetë më ndryshe dhe më e avancuar se më parë”.
Sipas Teutës, në familjen e saj flitet shumë për artin. “Është politika e para, por menjëherë, e dyta, është kultura, ku bisedohet kryesisht për problematikat dhe zhvillimin kulturor në vend. Gjithmonë flasim për problemet që kemi në art si shoqëri, ndoshta pse të gjithë jemi artistë (motra këngëtare, babi shkrimtar dhe dhëndri këngëtar). Unë besoj se zgjedhja e Memlit për të parin e kulturës në vend është një shtysë e mirë për kulturën, sepse si motër e di se ai gjithmonë ka dashur që Kosova të ecë më përpara në aspektin kulturor”.
Sipas saj, Memli është një njëri i duhur, sepse e ka edhe një veti: punën kur e bën, e bën me zemër.
“Memli gjithmonë ka qenë i veçantë edhe në familje. E mbaj në mend qëkur ka qenë i vogël, në shkollë fillore, të mesme, por edhe në fakultet. Ne të gjithë binim për të pushuar, përderisa ai lexonte deri në orët e vona të natës”.
Përveç angazhimit në disa role në teatër dhe në serialin “Kafeneja jonë”, Teuta është edhe ambasadore e Vullnetit të Mirë, e shpallur nga UNIFEM më 2009.