E Shtunë, 31 Tetor 2026

Steinberg: Përgatitje sa më të mira për zgjedhjet e 8 majit

Nga Express më 25 shkurt 2011 në ora 14:02

Nënsekretari amerikan i Shtetit, James Steinberg, ka nisur të premten takimet në Tiranë me autoritetet më të larta shtetërore dhe politike të vendit, për të diskutuar rreth krizës politike të rënduar edhe më shumë pas ngjarjeve të 21 janarit.

I dërguari i SHBA-ve mbështeti presidentin Bamir Topi në rolin e tij në rivendosjen e dialogut dhe ka kërkuar përgatitje sa më të mira dhe me kohë për zgjedhjet e 8 majit.

“Presidenti Topi dhe Steinberg nënvizuan rëndësinë e rivendosjes sa më të shpejtë të dialogut të frytshëm mes forcave politike dhe përgatitjen sa më të mirë e në kohë për zgjedhjet vendore, që do të zhvillohen në 8 maj të këtij viti”, thuhet në njoftimin për shtyp të shpërndarë nga presidenca pas takimit me diplomatin amerikan.

Presidenti Topi, pasi ka vlerësuar lart marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e ndihmesën e vazhdueshme të SHBA-se ka ritheksuar gatishmërinë e tij personale dhe institucionale për të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm që nxit apo garanton dialogun politik midis palëve politike, si dhe të mirëpresë dhe të mbështesë propozime konkrete që do të bëjnë të mundur jetësimin e këtij dialogu institucional në shërbim të interesave madhore të vendit."

Steinberg takoi dhe kryeministrin Sali Berisha, prokuroren e përgjithshme Ina Rama dhe kreun e PS-së Edi Rama.

Takimi i Steinberg me Ramën u zhvillua në Ambasadën amerikane në Tirane, në praninë e ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu dhe pa praninë e medieve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›