Vazhdon bllokada e magjistrales
Bllokada në rrugë, në shenjë proteste vazhdon edhe më tutje në rrugën magjistrale Mitrovicë – Zubin Potok, përkatësisht në afërsi të fshatit Zupq të Zubin Potokut, njofton policia.
"Një numër i personave, rreth njëzet prej tyre, banor të Zubin Potokut, konsiderohet të kenë vazhduar edhe më tutje bllokimin e rrugës magjistrale për qarkullim ndërsa së paku tri automjete transportuese dhe disa vetura civile konsiderohet të përdoren nga protestuesit për të bllokuar qarkullimin në rrugë. Për dallim nga disa ditë më parë, forma e bllokadës në rrugë manifestohet me pamundësim të qarkullimit vetëm në njërin shirit të rrugës ndërsa kjo pengesë në rrugë i referohet vetëm automjeteve të EULEX-it, duke përjashtuar pengesën e qarkullimit normal për automjetet tjera", njofton policia e rajoni te Mitrovices, nepermes nje komunikate shtypi.
Kjo formë e protestës, bllokadës së njërit shirit të rrugës, dhe zhvendosjes nga hyrja në Zubin Potok në fshatin Zupq, ka filluar dje në orët e pasdites ndërsa është duke vazhduar edhe më tutje.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe monitorues të komponentës policore të EULEX-it, janë duke monitoruar veprimet e protestuesve gjatë gjithë kohës.