Drejt grevës së urisë
Greva e organizuar nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve (KMDL) të UÇK-së ka hyrë në ditën e tretë. Edhe pse tenda e tyre ndodhet para ndërtesës së Qeverisë, deri më tash asnjë zyrtar nuk i ka vizituar ish-luftëtarët.
Kryetari i Këshillit, Xhevdet Qeriqi paralajmëron se nëse brenda javës nuk plotësohet kërkesa e tyre kryesore, që është miratimi i Ligjit për vlerat e Luftës, do të hyjnë në grevë urie. “Grevën e kemi filluar pa e cilësuar që është grevë urie, por vetëm grevë. Por nëse brenda një jave nuk plotësohen kërkesat tona, do të fillojmë të mbajmë grevë urie, të izoluar nga të gjitha komunikimet me jashtë, me media apo institucione”, ka thënë Qeriqi për Express.
“Deri më tani, në nivelin institucional, nuk kemi pasur asnjë vizitë. Të vetmit që na kanë vizituar kanë qenë qytetarët, duke përfshirë edhe një qytetar të Kosovës me vendbanim në SHBA, që është interesuar për gjendjen tonë”, ankohet ai.
Gjendja shëndetësore e grevistëve ka filluar të rëndohet, kurse Qeriqi tregon se dy grevistë janë në gjendje jo të mirë shëndetësore, të cilët janë dërguar në QKUK.
Ndër të rrallët që i kanë vizituar grevistët, janë zyrtarët e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) në Prishtinë. Sipas KMDLNj-së, gjendja shëndetësore e grevistëve është e rënduar. "Sidomos e rënduar është gjendja e kryetarit të Këshillit, Xhevdet Qeriqi", thuhet në një komunikatë shtypi të KMDLNJ-së.
Qeriqi ishte vizituar nga mjekët dhe ishte nën trajtim mjekësor.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së mërkurës nuk e ka përmendur fare çështjen e veteranëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që tash e tri ditë po qëndrojnë në grevë përballë ndërtesës së Qeverisë më kërkesën e vetme, miratimin e Ligjit për vlerat e Luftës së UÇK-së.
Memli Krasniqi në konferencë për media ka thënë se tashmë nuk i takon Qeverisë të merret me këtë ligj, por është në dorën e Kuvendit miratimi i tij.
“Qeveria i ka kryer krejt obligimet e veta. Është çështje e Kuvendit të Kosovës. Ne e kemi dërguar ligjin atje, në leximin e parë është miratuar dhe për shkak të braktisjes së koalicionit nga ana e LDK-së, shpërbërjes së Kuvendit, nuk ka pasur mundësi praktikisht që të miratohet një ligj i tillë”, tha ai.