Parku i Biznesit, shkëputen 17 kontrata
Tri kabinete qeveritare janë ndërruar e Parku i Biznesit në Drenas ende nuk është i gatshëm për bizneset që të fillojnë veprimtarinë e tyre.
Deri tani janë shkëputur 17 kontrata nga gjithsej 44 biznese përfituese - nënshkruese të kontratave. Ajo që aktualisht është në funksion në hapësirat e Parkut, është ndriçimi i hapësirave të jashtme, i cili nuk pushon ditë e natë, vetëm atëherë kur shkyçet nga KEK-u.
Sipas drejtorit të Agjencisë se Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, Naser Grajqevci, arsyeja e shkëputjes së kontratave ka ardhur si rezultat i mosrespektimit të kushteve të kontratës nga ana e bizneseve.
“Njëzetë e shtatë bizneset përfituese të parcelave në PBD kanë deklaruar se do të punësojnë 714 punëtorë, mirëpo momentalisht janë duke punuar rreth 150 punëtorë në ndërtimin e objekteve dhe punë të tjera të angazhuar nga bizneset e vendosura në PBD. Me rastin e lëshimit në punë të fabrikave të veta, shpresojmë se do të punësohet edhe numri i deklaruar nga bizneset”, ka thënë ai.
Grajqevci ka shtuar se disa biznese nuk janë duke i vazhduar punimet, por vetëm kanë bërë nivelizim të dheut. “Këtyre u është dërguar shkresë zyrtare për vazhdimin e punimeve, apo përndryshe do të marrim masa konform kontratës. Ndërsa pjesa tjetër kanë vazhduar dhe disa kanë përfunduar ndërtimin e objekteve në tërësi dhe kanë startuar me prodhim. (Një biznes ka nisur prodhimin) dhe katër biznese të tjera janë në prag të fillimit të prodhimit”, theksoi Grajqevci.
Nga ana tjetër, vonesat në përfundimin e punimeve sipas pronarëve të bizneseve, përfitues të parcelave aty, janë bërë pa fajin e tyre. Ata janë vonuar sepse vetëm tani ka përfunduar furnizimi me energji elektrike dhe ujësjellës.
Pronari i fabrikës për prodhimin e plastikës, Astrit Shabani ka thënë për ‘Express’ se vetëm tani janë krijuar kushtet për të filluar punën. “Por me prodhim final mund të nisim shumë shpejt nëse na garantohet rrymë 24 orë, ashtu siç jemi marrë vesh”, ka thënë ai.
E, drejtori i agjencisë së NVM-ve, Grajqevci pohon se lëshimi në punë i PBD-së ka sjellë nevojën edhe për disa investime infrastrukturore, si “zgjerimin e kapaciteteve energjetike”, sepse kanë qenë të planifikuar 2000 kV, ndërsa kërkesat e bizneseve po arrijnë deri në 8000kV. Për këtë, sipas tij, janë iniciuar procedurat për “zgjerimin e kapaciteteve energjetike”, duke mos saktësuar se kur bizneset mund të kenë energji elektrike pa ndërprerje.
Pronari i biznesit ‘Plastika’, Astrit Shabani thotë se nëse këtë premtim nuk janë në gjendje ta përmbushin, është më mirë të tregojnë me kohë. “Sepse mund të na shkojë dëm i tërë investimi. Teknologjia që ne kemi investuar nuk i duron ndërprerjet e rrymës”, tha ai.
Po ashtu, edhe pronari i biznesit ‘Venena’, Bashkim Kastrati thotë se ka filluar të punojë, ndërsa për vonesat, ai ka shtuar se deri tani s’ka qenë e mundur të fillohet për shkak të mungesës së furnizimit të rregullt me energji elektrike.
Mirëpo, Grajqevci një pjesë të fajit e ka hedhur edhe te Komuna e Drenasit për mosfinalizimin e punimeve. “Kemi ngecje në projektin ‘Ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza dhe industriale dhe ‘Kanalizimi për trajtimin e ujërave të zeza’. Këto janë dy projekte të ndara. Që të dy këto projekte janë ndërprerë nga disa banorë të fshatit Korreticë të komunës se Drenasit. MoU që kemi me KK Drenasin, zgjidhja e çështjeve pronësore i takon KK të Drenasit, mirëpo deri me sot ende nuk kanë mundur të bëjnë zgjidhje”, ka thënë ai.
Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim ekonomik të Drenasit, Skënder Hasi thotë se nuk është i kënaqur me dinamikën e punimeve në parkun e biznesit. Ai shpreson se nga ky projekt, Komuna do të përfitojë në zbutjen e papunësisë. “Aktualisht janë duke punuar disa punëtorë që bëjnë sigurinë fizike të PBD-së, ndërsa më vonë ne presim që kompanitë të punësojnë më shumë punëtorë kur të fillojnë prodhimin, me përjashtim të menaxhmentit dhe stafit profesional”, ka thënë ai.
Përveç kësaj, drejtori Hasi thotë se përfitimi i Komunës është edhe nga taksat komunale dhe tatimi në pronë.
Për mosrespektim të kontratës, Grajqevci ka bërë të ditur për Express se në takimin e Bordit Mbikëqyrës për Menaxhimin e Parkut të Biznesit në Drenas, të mbajtur më 06/05/2011 është marrë vendim se tëgjitha ato biznese përfituese të parcelave në PBD dhe që nuk kanë filluar ndërtimet e objekteve afariste brenda afatit të paraparë në kontratë, apo që nuk kanë kërkuar që të shtyhet ky afat, të iu shkëputen kontratat. Bizneset të cilave u është shkëputur kontrata janë: ‘Asdreni’, NPT Inter Comerc’, NTSH Metaliku’, LTI Expik’, ‘NPT Agro-Butrinti’, ‘NNP Orgesi’, ‘NGB Raster’, ‘Agroulpiana’, ‘NGQ Meta Company’, ‘B&B Company’, ‘NP Krapi Com’.