Vazhdon mosmarrëveshja rreth projektit Street View Google-i mbron produktin e diskutueshëm

Përdoruesi sheh një paraqitje ekzakte të qytetit
Një lloj harte, kështu e quan Google projektin e tij Street View. Me anë të kërkimit në Google apo funksionit me hartë Google Maps përdoruesit do të jenë në gjendje të gjejnë vende dhe t'i shohin ato në paraqitje tredimensionale. Në vend që të shohë rrugë abstrakte në një hartë qyteti, përdoruesi do të mund të lundrojë në një paraqitje ekzakte të qytetit. Për këtë qëllim sipërmarrja qarkullon me automjet nëpër rrugët e qytetit dhe fotografon mjedisin rrethues, shpjegon Raphael Leiteritz, hartues i projektit Street View.
"Ne kemi vizituar gati të gjitha rrugët publike në Gjermani. Duhen mbushur ende disa vende të zbrazëta, ku ka pasur probleme teknike. Asnjëherë nuk është krejt e përsosur, por me gjasa do ta mbyllim në verë dhe do ta vëmë në punë brenda vitit."
Street View në përorim në Francë dhe në Zvicër
Në vende fqinje si Franca dhe Zvicra, Street View është tashmë në internet. Një risi, që sipas Google-it bën të mundur për përdoruesin që të shohë vende pushimesh përpara se t'i rezervojë, apo të kontrollojë para vizitës një apartament, nëse para tij kalon ndonjë rrugë e madhe ose gjëra të ngjashme. Pika kyç në këtë mes: Të gjitha fotografitë janë bërë gjatë punës së përditshme dhe çdo njeri që ka qenë rastësisht atje, kur kaloi automjeti i Google-it, do të shihet për vite me radhë në internet. Në Finlandë, ku ky shërbim ishte online, pronari i një shtëpie e paditi ofruesin e shërbimit, sepse ai ishte fotografuar pa pantallona në oborrin e vet. Kudo në universin e Street View-së ndesh gjatë lundrimit kalimtarë, që rastësisht kanë qenë të pranishëm, kur kanë kaluar automjetet me kamera të Google-it.
Për të parandaluar rezervat Google-i i retushon fytyrat dhe targat automatikisht, por pranon që software-i nuk dallon çdo fytyrë. Google-i merr qëndrimin: Kush gjen fytyra të paretushuara tek Street View, t'ia bëjë këtë të ditur firmës. Për Gjermaninë, ku rezistenca është veçanërisht e theksuar, ka një lëshim shtesë: Pronarët e shtëpive dhe banorët mund të kërkojnë edhe që pamja e shtëpisë së tyre të shuhet. Atëherë vendi do të mbetej i zi, shpjegon Arnd Haller, drejtor i seksionit juridik të Google-it.
Në Gjermani personat mund të kërkojnë shuarjen e pamjes së shtëpisë
"Natyrisht, ne nuk verifikojmë nëse dikush banon diku. Atëherë do të duhej ndoshta të shkonim në gjendjen civile dhe të pyesnim. Këto informacione nuk na interesojnë dhe as nuk duam t'i grumbullojmë. Por në rast se dikush bën dhjetërëra a mijëra kërkesa dhe pretendon se banon gjithandej, atëherë kjo do të binte në sy."
Disa mijëra banorë kanë kërkuar tashmë prej koncernit që shtëpia e tyre të shuhet. Google-i beson se me përmbushjen e kësaj nuk shkel më rregullat për mbrojtjen e të dhënave private.
Autor: Mathias Bölinger/Elert Ajazaj
Redaktoi: Auron Dodi