Vazhdon pasiguria në Bregun e Fildishtë
Krerët e shteteve të Afrikës Perëndimore kanë zhvilluar një samit të jashtëzakonshëm në Nigeri, për të diskutuar krizën në Bregun e Fildishtë, pas zgjedhjeve të diskutuara presidenciale.
Ministri i Jashtëm nigerian, Odein Ajumogobia, tha se nuk do të kishte kompromis lidhur me kërkesën që presidenti ende në detyrë, Laurent Gbagbo të largohej nga posti.
Ai tha se nuk kishte një marrëveshje për ndarjen e pushtetit me fituesin e zgjedhjeve, Alassane Ouattara.
Në vend u njoftua se transmetimet e televizionit shtetëror, që kontrollohet nga zoti Gbagbo, ishin bllokuar në disa zona jashtë kryeqytetit Abixhan.
Banka Qendrore e grupit rajonal, afrikano-perëndimor, ECOWAS, tha se po i transferon llogaritë bankare shtetërore tek Alassane Ouattara, politikani i pranuar si fitues i zgjedhjeve presidenciale nga ECOWAS dhe Kombet e Bashkuara.
Udhëheqësit e rajonit të Afrikës Perëndimore po shqyrtojnë mundësitë për të dërguar më shumë trupa paqeruajtëse në Bregun e Fildishtë si edhe për ndërhyrje ushtarake.
Komuniteti Ekonomik i shteteve të Afrikës Perëndimore, ECOWAS ka qenë një prej kritikëve më të ashpër të vendimit të zotit Gbagbo për të mos e kaluar pushtetin te zoti Alassane Ouattara, personi i njohur ndërkombëtarisht si fitues i zgjedhjeve të muajit të kaluar.