160 shqiptarë “zhduken” nga Kranji

Askush nuk e di se në ç’vend në Europë, apo gjetiu, gjenden të paktën 161 shqiptarë nga Kosova, të cilët në bazë të dokumenteve do të duhej të ishin duke punuar në Kranj, 25 kilometra larg Lubjanës.
Shefi i kriminalistikës së Gorenjskës (krahinë në Slloveni), Bostjan Lindau, dyshon se rreth 400 shtetas të Kosovës në këtë mënyrë kanë kaluar në zonën e Schengenit, shkruan gazeta lubjanase “Dnevnik”.
“Kemi arrestuar dy vëllezër, njëri 40 e tjetri 29-vjeçar, të cilët dyshohet se nëpërmjet katër ndërmarrjeve kanë organizuar punësimin e punëtorëve nga Kosova në Slloveni, përkatësisht në Kranj. Punësimet ishin vetëm formale, ngase ata punëtorë kurrë nuk kanë punuar aty, mirëpo kanë marrë leje valide për punë dhe qëndrim. Gjithçka është bërë sipas dispozitave ligjore, por natyrisht që punësimet kanë qenë të rrejshme dhe janë keqpërdorur edhe shënimet noteriale”, ka thënë ai për gazetën, pa saktësuar nacionalitetin e dy vëllezërve të arrestuar në Kranj.
“Se ku gjenden tashti ata 161 persona, nuk e dimë”, thonë në policinë e Kranjit, ku tashmë kanë arritur fletëparaqitje (për qindra vepra të tilla ndëshkuese) kundër dy vëllezërve, kurse hetimi ende nuk ka përfunduar. Para pak kohësh, ndërmarrjet ndërtimore me pronarë të tillë, të dyshimtë, janë akuzuar për arsye të mashtrimeve tatimore. Pra, qëllimi ka qenë fare i qartë: të sillet dikush nga Kosova në Slloveni, e kësisoj edhe në zonën Schengen.
Se sa njerëz, “ndërmarrës” të tillë, kanë përfituar në këtë mënyrë do të tregojë hetimi policor, i cili hap edhe një çështje tjetër: athua “avullimi” i shqiptarëve si ky në Kranj” është shtrirë edhe në anë të tjera të Sllovenisë.