Vazhdon rrëfimin
Pas më shumë se 17 muaj hetimesh, merret në pyetje. Fatmir Limaj ka dalë vonë pasditen e së martës nga objekti i Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Deputeti dhe ish-ministri i Transportit, për më shumë se gjashtë orë është marrë në pyetje nga një prokuror i EULEX-it në lidhje me dyshimet që ka kjo prokurori për keqpërdorimet në ish-Ministrinë e Transportit në kohën sa Limaj ishte ministër. Ky dikaster ishte nën llupën e EULEX-it që nga prilli i vitit të kaluar, kur policia e misionit evropian bastisi këtë ministri si dhe pronat e ish-ministrit Limaj.
Por prokurori me gjasë pati shumë pyetje për deputetin e Kuvendit të Kosovës. Marrja në pyetje do të vazhdojë edhe të mërkurën (sot) për të njëjtat dyshime. Pikërisht pak pa përfunduar marrja në pyetje për ditën e martë, Gjykata Kushtetuese nxori interpretimin se deputetët nuk i mbron imuniteti në rast të ndonjë arrestimi. Vetë Limaj nuk dha asnjë deklaratë për media, por këtë ia la avokatit të tij mbrojtës, Tahir Rrecaj.
Avokati u paraqit shumë optimist në lidhje me dyshimet ndaj klientit të tij. “Po ju them me besim të plotë se deri më tash nga ajo që sot prokurorët kanë prezantuar, nuk ka asnjë provë e as dëshmi lidhur me çfarëdo lloj shkeljeje të ligjit që ka të bëjë nga ana e Fatmir Limajt në kohën kur ky ishte ministër, për shkak se të gjitha ato procedura që kanë të bëjnë lidhur me tenderët, janë kompetencë e Departamentit të prokurimit dhe janë persona përgjegjës dhe ministri nuk ka asnjë lloj përgjegjësie”, tha Rrecaj.
Ai sqaroi se pyetjet e prokurorit të EULEX-it më shumë ka qenë disa pyetje të përgjithshme lidhur me aktivitetet e Limajt gjatë kohës sa ishte ministër, por nuk dha më shumë detaje për shkak të procedurës së hetimeve. Avokati tha se edhe mbrojtja do t’i prezantojë provat e veta të bazuara në ligjet e aplikuara. Sipas tij, shumë qartë dihet se është në fuqi rregullorja për funksionimin e Qeverisë kur përcaktohet në mënyrë shumë të qartë kompetencat e secilit person zyrtar, ku në këtë rast, vetë ministrit dhe Ministrisë dhe personave përgjegjës për menaxhimin e financave publike në kuadër të ministrive.
Rrecaj po ashtu sqaroi se nëse prokurorët nuk mund t’i sigurojnë provat gjatë fazës së hetimit, sigurisht se ata janë të detyruar në bazë të ligjit që ta pushojnë hetimin. Po ashtu, Rrecaj sqaroi se edhe pak e bëhen 18 muaj nga fillimi i hetimeve dhe nëse as në këtë fazë nuk ka prova, Prokuroria ka afat që të paraqesë kërkesë në Gjykatën Supreme që të vazhdojë hetime edhe për gjashtë muaj të tjerë.
Në lidhje me keqpërdorimet e mundshme të tenderëve në Ministrinë e Transportit, përveç Limajt, dyshohet edhe Nexhat Krasniqi, zyrtar i prokurimit në këtë ministri dhe Gani Zogaj, një zyrtar tjetër i Ministrisë.