E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leja për EULEX’in

Gjykata Kushtetuese sqaroi të martën se imuniteti nuk i mbron deputetët nga arrestimet për vepra penale e civile. Aktgjykimi hyn në fuqi brenda disa ditësh, kur të publikohet në Gazetën Zyrtare. Çështja e imunitetit u dërgua në Gjykatë nga Qeveria- pas presionit ndërkombëtar. EULEX’i, para këtij vendimi, ka pasur dilema nëse mund ta arrestojë deputetin Fatmir Limaj. Nga Shpend Limoni më 21 shtator 2011 në ora 08:35

Gjykata Kushtetuese ka hequr dilemat rreth imunitetit të zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Ky institucion të martën i është përgjigjur një kërkese të Qeverisë së Kosovës, e cila dy muaj më parë kishte kërkuar sqarime për këtë temë.

Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur se zyrtarët më të lartë, si deputetët e Kuvendit, anëtarët e Qeverisë dhe Presidenti i Kosovës nuk gëzojnë imunitet nga ndjekja penale për veprimet dhe vendimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre.

Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për të kërkuar sqarim rreth imunitetit pasi misioni europian për sundim të ligjit, EULEX, kishte ngritur padi për krime lufte ndaj deputetit Fatmir Limaj.

EULEX’i kishte dështuar ta arrestonte deputetin Limaj për shkak të imunitetit që parashihet në Kushtetutë.

Kjo çështje kishte nxitur mospajtime në skenën politike, sidomos nga Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili kishte thënë se urdhër arresti për Limajn duhet të tërhiqet pasi ai ka imunitet.

Krasniqi po ashtu kishte refuzuar që Kuvendi të autorizojë Qeverinë për të kërkuar sqarime nga Gjykata Kushtetuese rreth çështjes së imunitetit, me gjithë presionin nga faktori ndërkombëtar.

Ndërkohë, pyetjen rreth kësaj çështjeje është detyruar ta deponojë në Gjykatë Qeveria e Kosovës.

Një gjë e tillë kishte nxitur reagimin e Limajt. Ai ka vlerësuar se Qeveria nuk ka të drejtë të merret me deputetët.

Sido që të jetë, Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Qeverisë duke i hequr dilemat rreth imunitetit.

Njoftimi që ka dërguar të martën ky institucion e bën të qartë se zyrtarët e lartë, duke përfshirë edhe deputetët, nuk kanë imunitet në rastet kur dyshohen se kanë kryer vepra jashtë fushëveprimit të tyre.

“Deputetët nuk gëzojnë imunitet nga ndjekja penale për veprimet dhe vendimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre. Kjo ka të bëjë me ndjekjen penale për veprat penale të cilat pretendohen të jenë kryer para fillimit të mandatit të tyre dhe gjatë rrjedhës së mandatit të tyre si deputetë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjykata ka përmendur edhe një rast tjetër kur përfaqësuesit e popullit nuk kanë imunitet.

“Deputetët nuk gëzojnë imunitet nga paditë civile për veprimet dhe vendimet jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre”.

Aty po ashtu thuhet se deputetët e Kuvendit mund të shkarkohen vetëm ashtu siç parashihet në Nenin 70 të Kushtetutës.

Gjykata ka bërë të ditur se deputetët mund të jenë edhe subjekt të arrestimit.
“Deputeti mund të arrestohet apo ndalohet gjatë kohës që është duke kryer detyrat e tij/e saj, pra në mbledhje plenare të Kuvendit dhe/ose në mbledhje të komisioneve të tij, pas vendimit të Kuvendit”, ka bërë të ditur Gjykata.
Në njoftimin e këtij institucioni përmendet edhe një rast tjetër kur mund të arrestohet deputeti.

“Deputeti mund të arrestohet apo ndalohet gjatë kohës që nuk është duke i kryer detyrat e tij/e saj, pra kur nuk ka mbledhje plenare të Kuvendit ose mbledhje të komisioneve të tij, edhe pa vendim të Kuvendit”.

Përfaqësuesit e popullit, sipas Gjykatës, mund të arrestohen nëse kapen duke kryer vepra të rënda penale.

“Deputeti mund të arrestohet apo ndalohet nëse kapet në kryerje e sipër (in flagrante) të një vepre të rëndë penale, që është e dënueshme me pesë (5) ose më shumë vjet burgim, edhe pa vendim të Kuvendit”, thuhet në interpretimin e Gjykatës.

“Deputeti mund të arrestohet apo ndalohet kur mandati i tij/i saj mbaron për shkak të dënimit me një ose më shumë vjet burgim me një vendim gjyqësor të formës së prerë për shkak të kryerjes së veprës penale”, ka njoftuar Gjykata Kushtetuese.

Aktgjykimi, sipas Gjykatës, hyn në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare, e cila sipas procedurës standarde, merr disa ditë. Stafi i Gazetës Zyrtare duhet ta përkthejë Aktgjykimin në pesë gjuhë para se ta botojë atë.

Bazuar në këtë, sipas paralajmërimeve të mëhershme të EULEX’it, deputeti Limaj shumë shpejt mund të gjendet prapa grilave.

Gjykata po ashtu ka theksuar se institucionet e ndjekjes penale kanë të drejtë të kërkojnë nga Kuvendi i Kosovës që deputetit t’ia heqin imunitetin.

“Ky organ/institucion është i autorizuar ta arrestojë apo ndalojë deputetin edhe pa vendim të Kuvendit gjatë kohës që deputeti nuk është duke i kryer detyrat e tij/e saj, pra kur nuk ka mbledhje plenare të Kuvendit ose mbledhje të komisioneve të tij”, thuhet në njoftim.

Gjykata ka dhënë përgjigje edhe rreth imunitetit të Presidentit. Aty thuhet se Presidenti nuk gëzon imunitet kur vepron jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tij.

“Presidenti nuk gëzon imunitet nga ndjekja penale për veprimet dhe vendimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tij/të saj. Ndjekja penale mund të iniciohet dhe zhvillohet kundër Presidentit për një krim të rëndë”.

Presidenti nuk është imun as ndaj padive civile.

“Presidenti nuk gëzon imunitet nga paditë civile për veprimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tij/të saj”.

Por Presidenti, sipas Gjykatës, nuk mund të arrestohet në detyrë.

“Presidenti nuk mund të arrestohet apo ndalohet gjatë mandatit të tij/të saj për shkak të natyrës së funksionit të Presidentit, pasi ai kërkohet të jetë përherë në dispozicion për t’i kryer ato”, thuhet në njoftim.

Në këtë njoftim përshkruhet vetëm rasti kur Presidenti mund të shkarkohet.
“Presidenti mund të shkarkohet vetëm në përputhje me Nenin 91 të Kushtetutës”, thuhet në njoftim.

Çështjen e imunitetit të zyrtarëve të Qeverisë, Gjykata e ka trajtuar shkurt në njoftimin e saj. “Anëtarët e Qeverisë nuk gëzojnë mbrojtje të posaçme për veprimet dhe vendimet e tyre të ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre”, ka njoftuar Gjykata.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›