E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdon shkëlqimin

Albert Bunjaku vazhdon të shkëlqejë në Bundesliga 1. Sulmuesi kosovar, të shtunën e ka realizuar edhe golin e katërt të këtij sezoni për Nurnberg, i cili barazoi në shtëpi me Werder Bremen me rezultat 2:2. 25 vjeçari e shënoi edhe një gol, por ai u anulua nga gjyqtari i ndeshjes. Sipas tij, ky gol ka mundur ta përmbyllte dilemën e fituesit.

Ndoshta, gjyqtari po mendonte se e kam prekur topin me dorë para se ta plasoja atë në rrjetë, por kjo nuk ishte e vërtet. As vet nuk e di se çka ishte në pyetje. Është mëkat që u anulua ky gol, i cili do të ishte i mjaftueshëm për të fituar, theksoi ai për uebfaqen zyrtare të klubit.

Bunjaku ishte ankuar edhe javën e kaluar, ku sipas tij gjyqtari nuk e kishte ndalur një penallti të pastër në dobi të Nurnberg, pasi futbollisti kosovar ishte penguar në zonën e rreptësisë.

Gjilanasi ishte zëvendësuar në minutën e 55-të në ndeshjen e së shtunës pasi kishte pësuar një lëndimi në nyjën e këmbës. Uroj që lëndimi im të mos jetë i rëndë. E kam lënduar kyçin e këmbës, por shpresoj që ai të mos jetë thyer, shtoi ai.

Me gjithë këtë, pritet që Bunjaku të jetë në fushë të shtunën që vjen, në udhëtimin e Nurnberg në Mainz. Të paktën optimist duket trajneri i tij, Michael Oenning. Alberti do ti rikthehet stërvitjeve në mes të javës, ndërsa më pas do të rikthehet në formacion, ishte i sigurt Oenning.

Sipas uebfaqes së Nurnberg, golat e Bunjakut në Bundesliga mund të jenë objektiv të tij për ta fituar një vend në Kombëtaren e Zvicrës, për Botërorin 2010. Nëse vazhdon të shënojë gola, atëherë me siguri se futbollisti kosovar do ta marrë një ftesë nga selektori i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›