E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha garanton biznesin: Ulje të mëtejshme të taksave

30-03-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar një paketë të re reformash ekonomike që do të mundësojnë uljen e mëtejshme të taksave, ndërsa ironizoi taksën progresive të socialistëve. Kreu i qeverisë zhvilloi sot një bashkëbisedimi me përfaqësues të biznesit, ku dëgjoi edhe shqetësimet e tyre. “Sot është jetike një paketë e re reformash. Sot është vendimtare një përpjekje e re për të bërë sërish më kompetitive ekonominë shqiptare. Ne jemi vendi i përcaktuar për taksën e ulët. Ne jemi të vendosur ta konsolidojmë atë dhe ju garantoj ju se jo vetëm që s’do ketë rritje taksash por do të ketë ulje të mëtejshme të tyre. Ne besojmë se taksat e ulëta janë shumë herë më të dobishme për shoqërinë sesa taksat e larta. E vërteta është se bota përjetoi krizën më të thellë jo se ajo u gjet me taksa të ulëta por se u gjet me taska të larta. E vërteta tjetër është se studimet shumë të besueshme kanë faktuar se çdo dollar i ulur nga tatimfitimi apo taksa e të ardhurave, 0.4 përqind i shkon punonjësit. Ata që mendojnë se do ta shërojnë ekonominë duke shkatërruar të pasurit, nuk bëjnë gjë tjetër veçse mendojnë të rikthejnë ato cikle që u provuan më rrënimtarët në histori. Thirrjet e tyre të kujtojnë kohërat e nepit, por nëse është faktuar në mënyrën më të sigurt një gjë, të varfrit nuk ndihmohen kurrë duke shkatërruar të pasurit në një vend të lirë. Nuk besojmë në dogmën marksiste të taksave të larta, jemi dhe do bëjmë gjithçka të ruajmë pozicionin e vendit me taksa më të ulëta në botë”- tha Berisha.
Ndërsa ka folur për ligjin për Gjykatën Administrative, Kryeministri tha se opozita kërkon t’i japë atribute Gjykatës Administrative më shumë nga se sa parashikon ligji.
Për më shumë se tre orë Kryeministri ka dëgjuar shqetësimet e përfaqësuesve të biznesit, të cilët kanë ngritur problematika të shumta që kanë të bëjnë me taksat, marrëdhëniet me shtetin, procedurat tenderuese të prokurimit elektronik etj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›