E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Vdekja e 32-vjeçarit, Berisha akuza policisë: Iu vendos një qese me kokainë në stomak

Sali Berisha ka bërë akuza të forta ndaj policisë për vdekjen e Lear Kurtit pasi u shoqëruar nga policia në komisariat. Berisha tha se 32-vjeçari vdiq nga torturat e policisë dhe se qesja me kokainë iu vendos në stomak gjatë autopsisë që bëhej nën terrorin e Ardi Veliut.

Ai tha se më këtë rast po përsëritet skenari i Klodian Rashës, të cilit i shpikën sikur kishte pistoletë, ndërkohë që realiteti ishte krejt tjetër.

“Çfarë ndodhi pas kësaj, gjithçka u bë po kaq e shëmtuar sa krimi. U vërsulën kriminelë të tjerë me uniformë me në krye Ardi Veliun, për të falsifikuar çdo të dhënë, njoftuan se ndërroi jetë në spital, kur e dërguan kufomë. Në kundërshtim absolut me praktikën e hetimit, ndërmorën autopsinë sikur të ishin klandestinë, në ora 4 të mëngjesit, e palejueshme për një akt autopsie, sidomos kur thua për vdekje natyrale, të japë rezultatin, duhet lënë të paktën 12 orë. Në një rast të tillë kur vdes një 32-vjeçar dhe është subjekt hetimi, autopsia bëhet nga grup ekspertësh dhe jo një të vetmi nën terrorin e Ardi Veliut. Një grup kriminal u krijua në këtë rast si e si të vrasin për së dyti Lear Kurtin, jashtë çdo lloj imagjinate. U ripërsërit skenari i Klodian Rashës. Dje Veliu njoftoi se në stomak iu gjet një qese me kokainë. Broçkulla. Iu vendos një qese kokainë atij në stomak, njëlloj si revolja. Çdo natë patrulla e policisë mund të takojë të rinj që ose nuk e kanë kartë e ID me vete, ose tremben, por kjo do të thotë që t’i ndjekë dhe t’i vrasë, t’i ndjekë dhe t’u marrë shpirtin. Pasi i morën shpirtin xhelatët, u hodhën pastaj në një lumë akuzash, shpifjesh trillime për të ndjerin. Ky është morali i Edi Ramës”, tha Berisha.

32-vjeçarit Lear Kurti sipas autopsisë i është gjetur një qese në stomak me lëndë të bardhe që dyshohet se ishte lëndë narkotike. Ai u shoqëruar mesnatën e 19 tetorit në komisariat por shfaqi probleme shëndetësore ku u dërguar pa shenja jete në spitalin e Traumës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›