Rama: S'njohim qeveri të dalë nga maskarada elektorale
Lideri i opozitës, Edi Rama, deklaroi se vendimi i Kolegjit Zgjedhor kundër PS-së për qarkun e Beratit është pasojë e presionit të kryeministrit Sali Berisha, ndaj këtij institucioni
TIRANË- Vendimin e Kolegjit Zgjedhor, dy ditë më parë, për të mos pranuar kërkesën e PS-së lidhur me qarkun e Beratit, kryetari i PS-së, Edi Rama, e ka cilësuar presion të hapur ndaj këtij institucioni, nga kryeministri Sali Berisha. Përmes një konference për shtyp, lideri i opozitës, Edi Rama, deklaroi se vendimi ishte skandaloz, dhe në kundërshtim të plotë me Kodin Zgjedhor. "Dje Kolegji Zgjedhor nuk i rezistoi dot presionit të pushtetit të Sali Berishës dhe dha një vendim skandaloz, në kundërshtim të plotë me Kodin zgjedhor, që në çështjen e rinumërimit të votave, është i qartë si drita e diellit. Mjafton që 2 anëtarë të KQZ-së ta kërkojnë rinumërimin dhe kjo bëhet pa asnjë lloj kushti.
Dje, drejtësia e vendosur nën presionin e pushtetit, nuk dha drejtësi, por thelloi padrejtësinë ekstreme të KQZ-së ndaj Partisë Socialiste, duke e degjeneruar edhe më tej procesin zgjedhor nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, duke e bërë edhe më të rëndë barrën e përgjegjësisë së opozitës, e cila mbetet përditë e më shumë e vetmja forcë dhe e vetmja shpresë e njerëzve, për të rezistuar në emër të lirisë dhe të demokracisë, pa u bërë pjesë e kësaj farse përditë e më të neveritshme, ku pushteti po mbyll, dita-ditës, çdo kanal të pavarur të funksionimit të demokracisë përmes presionit në rritje ndaj drejtësisë, medias, sipërmarrjes, dhe qytetarit", - tha Rama. Kryetari i opozitës theksoi se, Kolegji Zgjedhor, përmes vendimit të marrë, mbylli rrugën e transparencës ligjore mbi procesin zgjedhor në Berat.
Por në të njëjtën kohë, Rama theksoi se vendimi i marrë i hapi rrugën mosnjohjes nga ana e PS-së, së legjitimitetit të qeverisë. "Dje, pushteti mbylli përmes një padrejtësie alarmante rrugën e transparencës ligjore mbi procesin zgjedhor në Berat.
Por, hapi rrugën e mos njohjes nga ana jonë të legjitimitetit të qeverisë, që do të dalë nga kjo maskaradë elektorale, e cila e bën të detyrueshme rrugën tonë të kontestimit demokratik me të gjitha mjetet që ka në dorë opozita, të këtij pushteti të korruptuarish e korruptuesish, që duan ta kthejnë Shqipërinë në një republikë pa opozitë demokratike, pa drejtësi të pavarur, pa media të lirë, pa sipërmarrje të panënshtruar, pa qytetarë të pakërcënuar për shkak të bindjeve të tyre politike", - tha ai.
Kryetari i opozitës shtoi se, Berisha grabiti përkohësisht një mandat të Partisë Socialiste në Berat, por "përcaktoi verbërisht edhe koston shumë të lartë politike, që duhet të paguajë ai vet dhe qeveria shtatanike, që do të dalë nga këto zgjedhje, të cilat ndryshojnë prej atyre të vitit 1996 vetëm në formë, por jo në thelb".
"Kjo e vërtetë e hidhur këtë herë nuk doli në shesh qysh atë ditë si në vitin 1996, nuk ka dalë e gjitha në shesh ende sot, por nuk do të vonojë të dalë në shesh për turpin e madh të të njëjtit njeri, që për pushtetin personal sakrifikon interesat e vendit e të një populli të tërë, dhe të gjithë atyre, që janë përfshirë në grabitjen e këtyre zgjedhjeve, apo në ligjërimin e kësaj grabitjeje, qoftë duke dhënë vendime të padrejta, qoftë duke ndërtuar alibi të pavërteta.
Sot, është e sigurt që Partia Socialiste do t'i kundërvihet këtij pushteti të korruptuar dhe korruptues, pa asnjë rezervë, pa asnjë kompromis, pa asnjë pauzë",- tha ai, duke shtuar se, Partia Socialiste ka më shumë arsye dhe moral të luftojë për një politikë të re për ndryshim.