Vdekja e Ahmetit i pikëlloi të gjithë

Producenti i këtij seriali, Shkumbin Istrefi, përmes një komunikate, shprehu keqardhjen për humbjen e aktorit dhe shtoi se kontributi i tij në ambientin artistik kosovar është i një vlere të madhe.
“Ali Ahmeti ka luajtur një serë rolesh të suksesshme në teatër dhe film, si dhe në programe televizive, ku publiku mund ta kujtojë me rolin e Delisë, në programin humoristik televiziv ‘Autobusi’ si dhe se fundmi në rolin e Elezit, në serialin vendor ‘Kafeneja Jone’”, thuhet në komunikatën e dërguar nga Istrefi. Sipas tij, mungesa e Ali Ahmetit do të lerë zbrazëti në veprat e ardhshme artistike dhe argëtuese.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Ahmeti.
“Me keqardhje dhe pikëllim e morëm lajmin për vdekjen e familjarit tuaj, artistit të njohur dhe shumë popullor, doajenit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Ali Ahmeti, i cili u nda prej nesh në kohën kur ende kishte t’i jepte teatrit tonë dhe artit në përgjithësi. Ahmeti ishte një aktor me intuitë dhe me diapazon të admirueshëm. Me karakterin e tij, me aftësinë për të depërtuar thellë në ndërtimin e roleve, ai bëri për vete zemrat e shumicës prej nesh, brez pas brezi”, thuhet në telegramin e dërguar nga ministri Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se Ali Ahmeti ishte një artist i përkushtuar i cili, gjatë tërë karrierës së tij të gjatë, bëri përpjekje që ta ngre në nivel profesional komedinë në teatër dhe në televizion, duke lënë pas vetes dhjetëra role që i interpretoi me plot dashuri dhe talent.
Edhe Kryeministri Thaçi i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Ahmeti, në të cilin thuhet: “E nderuara familje Ahmeti, me pikëllim e morëm lajmin për vdekjen e aktorit Ali Ahmeti, aktor i cili u bë pjesë e familjeve tona, me rolet e tij të paharrueshme në skenë. Arritjet profesionale të Ali Ahmetit ndihmuan artin kosovar në ndërtimin e imazhit artistik, duke dhënë një shembull të rëndësishëm për t'u ndjekur nga gjeneratat e reja të artistëve. Familja e Aliut, por edhe i gjithë komuniteti artistik, institucionet dhe populli i Republikës së Kosovës, do të gjejnë ngushëllim në krijimtarinë artistike që ai e la pas vetes”. Tutje, në telegramin e kryeministrit thuhet se përkushtimi i artistit të madh Ali Ahmeti ndaj artit do të kujtohet gjithnjë me përzemërsi.
Telegram ngushëllimi familjes Ahmeti i ka dërguar edhe Teatri Kombëtar i Kosovës.
"Me krijimtarinë e tij në teatër, film dhe televizion, aktori Ali Ahmeti ka bërë emër në mbarë hapësirën artistike dhe kulturore të botës shqiptare duke ngritur lart në pietet identitetin tonë kombëtar”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të dërguar nga Burbuqe Berisha, drejtoreshë e Teatrit Kombëtar.
Po ashtu, nga Teatri Kombëtar bëhet e ditur se prej të dielës, në holin e Teatrit Kombëtar do të jetë i hapur libri i zisë, ku qytetarët mund të ndajnë bashkërisht ndjenjën e dhimbjes por edhe krenarisë.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet të martën, në orën 13:00, në varrezat e Prishtinës.