E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e Alisë, ceremonia mortore të djelën

Trupi i pajetë i ish-presidentit të Shqipërisë Ramiz Alia do të qëndrojë në morg deri ditën e djelë, ditë ku do të zhvillohet edhe ceremonia mortore. Kjo pasi njëra nga vajzat dhe djali i ish-presidentit Alia ndodhen në Suedi.
 

Presidenti i parë shqiptar i shtetit pluralist Alia ndërroi jetë rreth orës 07:00 të mëngjesit të sotëm në spitalin e Senatoriumit në kryeqytet pasi ka pësuar trombozë ndërsa vuante prej kohësh nga trenboembolia pulmonare dhe për këtë arsye ai ndodhej në spital prej 4 ditësh.

Ramiz Alia ka lindur më 18 tetor 1925. Është me orgjinë nga Gjakova e Kosovës, lindi në Shkodër, u arsimua në Rusi dhe prej 70 vitesh jeton në kryeqytet.

Ai është ndër të rrallët politikanë që ka jetuar dhe jeton tre epoka në Shqipëri. Atë të Luftës Antifashiste si partizan, të sistemit komunist si kuadro i Partisë e deri në udhëheqës i gjithë sistemit, si dhe atë të demokracisë, si President i parë pluralist i vendit.

Detyrat më të rëndësishme të Ramiz Alisë kanë qenë, ajo e sekretar të Parë të KQBRPSH (1949-1955), ministër i Arsimit dhe Kulturës (1955-1958), anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i KQ PPSH-së për ideologjinë (1961-1985), deputet, kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor (1982-1990), sekretar i Parë i KQ të PPSH-së (1985-1991) dhe kryetar i Këshillit Presidencial (1991).

Për nëntë vite, nga 1982 deri më 1991 ka mbajtur funksionin e kryetarit të shtetit në regjimin komunist. Në këto vite posti i presidentit funksiononte si organ kolegjial dhe quhej Presidium i Kuvendit Popullor. Alia e mori këtë post pas Haxhi Lleshit.

Ramiz Alia ishte Presidenti që firmosi ligjin që lejonte krijimin e partive dhe shoqatave politike. Ky akt i firmosur më 12 dhjetor 1990 formalisht i dha fund sistemit monopartiak dhe krijonte mundësinë e pluralizmit të partive dhe shoqatave të tjera në vend.

Ai është President i parë i dalë nga një parlament shumë partiak. U zgjodh në 30 nëntor të vitit 1991 dhe e mbajti këtë detyrë për 11 muaj e 21 ditë, deri në zgjedhjen e pasuesit të tij, Sali Berisha, më 9 prill 1992.

Është i pari zyrtar i lartë i komunizmit që pranoi të largohej nga pushteti me zgjedhje demokratike. Edhe sot zgjedhjet e vitit 1992, mbahen më pak problematiket me gjithë tensionin që shoqëruan një eveniment të tillë. Alia dha dorëheqjen më 3 prill të vitit 1992.

Ramiz Alia u akuzua për korrupsion dhe për dhunim të të drejtave njerëzore në vitin 1993. Bashkë me të u arrestuan Nexhmije Hoxha, Zylyftar Ramizi, Hajredin Shyti, Shefqet Peçi, Aranit çela, Hekuran Isai.

Gjyqi për ish-funksionarët e lartë të Partisë së Punës e dënoi me 9 vite burg, për dhunim të të drejtave njerëzore. Në vitin 1997 dhe çështja e tij u pushua dhe Ramiz Alia fitoi sërish lirinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›