E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e Matilda Petritit, familja kërcënohet me jetë

Vdekja e 17-vjeçares Matilda Petriti nga fshati Libonik i Korçës pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në bajame ende nuk i ka fshirë gjurmët për të afërmit e saj, të cilët këtë herë po kërcënohen për shkak të denoncimit kundër mjekut kirurg.

Me këtë pretendim familjarët e Matilda Petritit i janë drejtuar tashmë policisë së Korçës, pasi thonë se ndihen të kërcënuar për jetën. Kanë qenë dy telefonata në adresë të familjes së 17-vjeçares së vdekur, që i kanë vënë të afërmit e saj në alarm, duke i detyruar që në mëngjesin e djeshëm t‘i drejtohen me një denoncim policisë së qytetit të Korçës. Siç tregon daja i 17-vjeçares, Luan Adili, ka qenë ai vetë që ka bërë një denoncim për kanosje pranë Komisariatit të Policisë së Korçës.

Ai e lidh faktin se po kërcënohen me anë të telefonatave me rastin e bërjes publike të pretendimeve ndaj mjekut kirurg. Sipas familjarëve të Matildës, kërcënimet vijnë nga ana e njerëzve të mjekut që ka operuar vajzën. Ata thonë se janë kërcënuar me jetë dhe u është kërkuar të tërheqin sa më parë denoncimin e bërë ndaj mjekut Xhevahir Hoxhallari.

Daja e Matildës, i cili ka ndjekur nga afër çdo lëvizje të saj që nga moment i parë i operimit në klinikën private në Pogradec, tregon se telefonata e parë i ka ardhur në mbrëmje. Sipas tij, nëpërmjet telefonit i është kërkuar tërheqja e denoncimit, dhe i është bërë presion duke e kërcënuar me jetën e familjes në rast se të afërmit e viktimës insistojnë në çështjen e nisur prej tyre.

"Çdo gjë ka ndodhur për shkak të denoncimit ndaj mjekut kirurg. Ka qenë një telefonatë anonime e përsëritur gjatë mbrëmjes ku personi që ka telefonuar më ka thënë se në rast se nuk heqim dorë nga çështja do të kalojnë në vrasje. Ne dyshojmë se ky presion dhe këto kërcënime vijnë nga njerëzit e doktorit. Më është thënë: Tërhiquni nga denoncimi që keni bërë ose do t‘ju zhdukim si familje! Ne jemi tensionuar shumë pas këtyre kërcënimeve derisa u detyruam të kërkojmë ndërhyrjen e policisë. Kam bërë personalisht një denoncim pranë policisë së Korçës për këtë rast, pasi telefonatat janë bërë në numrin tim personal", thotë Luan Adili.

Sipas të afërmve, ata e kanë denoncuar rastin e mjekut të bindur për fajësinë e tij dhe pakujdesinë e treguar gjatë operacionit që çoi deri në vdekjen e Matildës nga hemorragjia. Por ndërsa çështja është nën hetim, të afërmit që kanë dhënë edhe sinjalin e parë për dyshimin se vdekja ka ardhur për faj të kirurgut pogradecar, thonë se nuk do të tërhiqen deri në zbardhjen e plotë të së vërtetës mbi vdekjen e 17-vjeçares. Nisur nga kjo të afërmit e Matildës thonë se janë tashmë para presioneve dhe kërcënimeve, ndërsa u është thënë hapur se këto kërcënime kanë si shkak humbjen e vajzës së tyre.

"Ne kërkojmë të jemi të mbrojtur. Nuk duam asgjë përveç drejtësisë për bindjen tonë se vajza na ka vdekur për fajin e mjekut. Për sa kohë që ndihemi të kërcënuar, jemi detyruar të kërkojmë ndërhyrjen e policisë për të gjetur edhe ata që bashkëpunojnë me mjekun për të na mbajtur nën presion dhe për të na detyruar që të tërhiqemi. Ne jemi në pritje të ekspertizës mjekoligjore në çfarë përfundimi do të dalin dhe jemi paraqitur edhe në prokurori për pretendimet që kemi. Pavarësisht këtyre kërcënimeve, ne do ta vazhdojmë këtë çështje deri në fund, se është marrë jeta e vajzës", ka thënë Adili. Denoncimi i bërë nga të afërmit e Matilda Petritit konfirmohet edhe nga policia lokale, e cila ka marrë përsipër të hetojë këtë rast.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›